Shqipëria në aksion për asgjësimin e bimëve narkotike, në Lazarat zhduket fenomeni

 Fatjon Cuka

Fatjon Cuka

Ndërhyrja e Policisë së Shtetit Shqiptar në Lazarat një vit më parë për asgjësimin e bimëve dhe lëndëve narkotike në këtë zonë do të përbente një kthesë në operacionet anti-drogë në Shqipëri, konkretisht anti-kanabis. Përfundimi i atij operacioni të komplikuar dhe disa ditor, do të shtronte terrenin edhe për nisjen e operacioneve të ngjashme në zona të tjera të vendit, si në Shkodër, Krujë, Tepelenë, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, etj.

Por lindin pyetjet pse kaq shumë kultivim të bimëve narkotike në Shqipëri? Pse konkretisht në disa rajone të veçanta?Si dhe sa është i shtrirë fenomeni i kultivimit të kanabisit? Si janë rezultatet e operacioneve në dy vitet e fundit anti-kanabis?.

Për të mësuar më shumë rreth këtyre pyetjeve Anadolu Agency (AA) ka marrë prononcimin e Drejtorit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit Shqiptar, Skënder Kalemi.

Kalemi shprehet se operacionet anti-kanabis në vend kanë të bëjë me një nga misionet dhe detyrat e policisë së shtetit që është aktualisht e angazhuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të gjithë aktivitetin e mundshëm kriminal, por aksionet janë edhe sipas planit të veprimit kombëtar miratuar nga ministri i Brendshëm  dhe policia sipas tij është e angazhuar totalisht në identifikimin, asgjësimin e bimëve narkotike, kudo që ato ndodhen.

Ndërkohë për momentin operacioni anti-kanabis është duke vazhduar në Dukagjin, ku ka një specifike ndryshe nga zonat e tjera sepse shtrihet në një terren jashtëzakonisht malor, që paraqet vështirësi për të shkuar në destinacion.

“Fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike pothuajse është në të gjithë brezin malor që shtrihet  në Ultësirën Perëndimore. Ky terren dhe afërsia me detin krijon kushte të mira për kultivimin e bimëve narkotike, por faktikisht sasia e kultivuar në zona të ndryshme është e ndryshme, më tepër dallohet në Malësinë e Krujës, në zonën e malësisë së Tepelenës dhe Vlorës, dhe të Dukagjinit në Shkodër. Ndërsa pjesët e tjera të territorit vendit kanë prani, por jo në përmasa të mëdha, por më të vogla”- shprehet Kalemi për AA.

-Lazarati, nga “Kolumbia e Shqipërisë” në zero kultivim-

Ndërkohë një nga operacioni më të rëndësishme anti-drogë në Shqipëri në vitet e fundit ishte ai i ndërmarrë në Lazarat, në muajt qershor-korrik 2014. Gjatë këtij operacioni disa ditor dhe përballë vështirësive të shumta u gjetën dhe u asgjësuan një sasi prej 71 ton e 87  kilogramë kanabis sativa dhe u  asgjësuan rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike, së dhe u sekuestruan 5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroine.

Zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit Shqiptar, Skënder Kalemi në intervistën e tij me AA shprehet se operacioni i Lazaratit ishte i mirë studiuar dhe i përgatitur dhe me një organizim të mirë për vetë specifikën që kishte, pasi për një periudhë të gjatë kohe, gati për më shumë se një dekadë ishte jashtë kontrollit dhe pranisë policore. “Për këtë arsye ky operacion mori një seriozitet në organizim njëkohësisht dhe në veprim. Për momentin në Lazarat dhe zonat përreth atje nuk ekziston asnjë bimë narkotike. Në 2014 në Lazarat u asgjësuan mbi 133 mijë bimë narkotike, gati 71 ton mariuanë, 5 laboratorë të cilët përpunonin, 426 armë zjarri dhe sasi e konsiderueshme municioni”- shprehet Kalemi.

Sipas tij për këtë vit policia është në monitorim situatës dhe veprim aktiv në të gjithë territoret ku është prezent fenomeni i kultivimit dhe deri tani ajo ka identifikuar dhe asgjësuar për vitin 2015 rreth 425000 rrënjë të bimëve narkotike.

Në vitin 2014, sipas të dhënave zyrtare të policisë janë asgjësuar 530.177 bimë narkotike kanabis sativa dhe shtuar të dhënat e këtij vitit, kjo shifër po shkon gradualisht në rreth 1 milion bimë narkotike të asgjësuara për dy vitet e fundit, duke marrë parasysh se operacionet janë në vazhdim.

Kalemi deklaron se një ndihmëse të madhe në këtë drejtim, për evidentimin e bimëve narkotike në terren ka dhënë  bashkëpunimi me Interforcë Italiane, që ka bërë monitorimin nga ajri me avionë me pajisje speciale, ku kanë përcaktuar në mënyrë specifike territoret, vendet dhe koordinatat.

Edhe në procesin e fundit në Dukagjin nga 224 parcela të identifikuara nga Interforca Italiane nëpërmjet monitorimit nga ajri, janë hequr 6 më tepër, me mbi 33 mijë bimë narkotike.

Kalemi deklaron në fund të intervistës së tij se ky operacion do të vazhdojë deri në asgjësimin e bimës së fundit narkotike të evidentuar dhe sipas tij forcat policore do të jenë të angazhuara për të asgjësuar përfundimisht këtë fenomen.

– Në substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabisit-

Ndërkohë fenomeni i përdorimit të drogës pranohet si mëse i dukshëm edhe në Shqipëri nga autoritete shtetërore, duke u konsideruar me përmasa tejet shqetësuese për shoqërinë. Në fund të vitit 2014 Ministria e Shëndetësisë ka raportuar shifra zyrtare rreth këtij fenomeni,  ku referuar këtyre të dhënave numri i përdorues/abuzuesve në Shqipëri ka kapur shifrat rreth 50-60 mijë. Në substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% , rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të Institut të Shëndetit Publik të Shqipërisë, sipas një studimi të fundit të kryer në vitin 2014, në Shqipëri prevalenca e përdorimit të drogave ilegale përgjatë gjithë jetës për grupmoshën 15-64 vjeç është kanabisi (11.6%), kokaina (4.7%), ekstasi 1%, heroina (0.7%), amfetaminat (0.4%) dhe LSD (0.1%). Këto shifra tregojnë se të rinjtë e moshës 15-34 vjeç janë përdoruesit më të shumtë të drogave ilegale në Shqipëri. Numri i përdorimit të substancave ilegale tek të rriturit, është 8 deri në 10 herë më e lartë te meshkujt sesa te femrat.

Për të mbajtur nën trajtim përdoruesit e drogës janë hapur qendra, pro edhe shoqata të ndryshme operojnë në këtë drejtim, ku njëra prej tyre është edhe Aksion Plus. Nga kjo shoqatë deklarojnë se ka 7 vjet qe po zbatojnë terapine me metadon në Tirane për rreth 490 klientë që e marrin terapinë çdo ditë. Aktualisht funksionojnë dhe pese qendra te tjera në Durrës, Korcë, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Vetëm në Tirane, pranë qendrës së Aksion Plus marrin shërbime të përditshme rreth 200 përdorues të drogave narkotike dhe këtu nuk janë përfshirë ata përfitues që janë në burg, Shërbim Prove apo në Komisariatet e Policisë, ku kjo organizatë ka shtrirë shërbimet për personat përdorues.

Ndërkohë edhe Shqipëria i është bashkangjitur thirrjes së Zyrës së OKB-së për Luftën ndaj Drogave dhe Trafikimit Ilegal të Tyre (UNODC), për të ndërmarrë hapa konkrete nëpërmjet promovimit dhe edukimit të sjelljeve të shëndetshme në popullatën e rrezikuar, dhe për të ofruar informacione edukuese të bazuara në të dhëna shkencore mbi pasojat e abuzimit të substancave ilegale. Strategjia Kombëtare aktuale Anti-drogë  në Shqipëro (2012-2016) është konceptuar në trajtimin e katër aspekteve thelbësore për kontrollin e drogës: koordinimin strategjik, reduktimin e ofertës dhe aksesit për drogë, reduktimit të kërkesës, reduktimit të dëmit, dhe i kushton vëmendje të konsiderueshme frontit jo-represiv të këtij kontrolli.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.