Fillimi SportZero fitore me turqit, Skënderbeu për të thyer tabunë

Zero fitore me turqit, Skënderbeu për të thyer tabunë

nga Shekulli Agency

skenderbe-111

Këtë të Enjte në Elbasan Arena, Skënderbeu nuk do të kërkojë vetëm të shkruajë historinë si klubi i parë shqiptar që luan një ndeshje në fazën e grupeve të Europa League kur të përballet me Beshiktashin, pasi do të tentojë të bëhet edhe skuadra e parë shqiptare që merr një rezultat pozitiv në duelet me ekipet turke në kompeticionet europiane. Ky ndaj Beshiktashit do të jetë takimi i parë i Skënderbeut kundër një ekipi nga kampionati turk, por nëse korcarët nuk regjistrojnë asnjë përballje me skuadrat e këtij vendi, klube të tjera shqiptare si Dinamo, Partizani, Vllaznia apo edhe Kukësi në të kaluarën janë ndeshur me disa klube turke.

Statistikat nuk janë në favorin e skuadrave tona madje ekipet shqiptare në 12 takime me ato turke regjistrojnë plot 12 humbje me golaverazh negativ 33-3. Në këtë kontekst edhe Skënderbeu pritet ta ketë shumë të vështirë për të marrë një rezultat pozitiv, qoftë edhe një barazim përballë formacionit që drejtohet nga trajneri Senol Gunes mbrëmjen e kësaj të Enjteje në Elbasan Arena. Duelet e vetme të Beshiktashit ndaj një klubi shqiptar në të shkuarën janë ato ndaj Dinamos.

Në raundin e parë të Kupës së Kampioneve të sezonit 1986-1987, ekipi nga Stambolli mposhti në dy raste Blutë kryeqytetas pa pësuar gol. Edhe Partizani nuk arriti të bënte asgjë përballë një skuadre të madhe si Fenerbahce teksa në raundin e parë kualifikues të Kupës Uefa në sezonin 1995-1996 u mposht me rezultat të përgjithshëm 6-0 nga verdhezinjtë. Klubi shqiptar që numëron më shumë përballje me skuadrat turke është Vllaznia plot 4.

Në sezonin 2001-2002 në ruandin e dytë të Uefa Champions League shkodranët u eliminuan me shifrat e përgjithshme 6-1 nga Galatasaray. 5 vjet më pas Vllaznia e pësoi akoma edhe më keq me kuqeblutë që në ruandin e dytë të Kupës Intertoto u dorëzuan pa kushte përballë Trabzonsporit, që fitoi 4-0 në sfidën e parë në Loro Borici dhe 6-0 në atë të kthimit në Trabzon. Ekipi shqiptar që ka luajtur sëfundmi me një skuadër nga Turqia eshte Kukesi. Përpara 2 sezonesh verilindorët sfiduan pikërisht Trabzonsporin klubin që ka vizituar në dy raste Shqipërinë pas viteve 2000, në play-offin e Europa League. Edhe në këtë rast ishin turqit që avancuan më tej teksa regjistruan dy fitore me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Gjithsesi tashmë radhën e ka Skënderbeu, edhe pse për të shkruar historinë si klubi i parë shqiptar që arrin një rezultat pozitiv përballë një ekipi nga Turqia kampionëve të Shqipërisë do tu nevojitet një ndeshje në kufijtë e perfeksionit./SuperSport

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies