Teknologjia e vijës së portës në Euro 2016

euro-2016-6533333Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, që në mbledhjen e fundit aprovoi me unanimitet përfshirjen e teknologjisë në evenimentin në Francë. Një histori suksesi, e cila largoi të gjitha dyshimet përsa i takon golave fantazëm. Teknologjia e vijës së portës është eksperimentuar me sukses në Botërorin 2014 në Brazil dhe në kampionatet më të rëndësishëm në kontinent. Në deklaratën për shtyp të konfederatës europiane të futbollit shkruhej se “UEFA aprovoi përdorimin e teknologjisë së vijës së portës në fazën finale të Euro 2016”, ndërsa theksohej se sistemi do të funksionojë së bashku me prezencën e gjyqtarëve të portës, të cilët kanë detyrën të vëzhgojnë se çfarë ndodh në zonë. Teknologjia do të përdoret edhe në evenimentet më të rëndësishëm për klube. Në Champions ajo debuton prej ndeshjeve play-off të edicionit 2016-2017, ndërsa për ndeshjet në Europa League duhet pritur edhe një sezon më tepër.

Një tjetër vendim i Ekzekutivit të UEFA-s që lidhet me Kampionatin Europian është prezantimi i një neni për ndeshjet përgatitore të ekipeve të kualifikuara në Francë. Ai do t’i lejojë përfaqësueseve që do të luajnë në Euro 2016 të zhvillojnë dy miqësore kundër skuadrave të tjera pjesëmarrëse në eveniment, me kushtin që rivalët nuk do të jenë në të njëjtin grup. Në mbledhjen e zhvilluar në Nyon, Komiteti Ekzekutiv vendosi edhe që të mos mbahen zgjedhje presidenciale për UEFA-n, deri në vendimin e organeve të drejtësisë, duke përfshirë edhe atë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv rreth pezullimit të Michel Platini.

Shekulli Agency