Shqipëria miqësore me Katarin më 29 maj

111-kombetaria-shqipri356Shqipëria zyrtarizon miqësoren e dytë, përpara startit të Euro 2016 në Francë. Kundërshtari i kuqezinjve do të jetë Katari. Ndeshja është përcaktuar të luhet më 29 maj, në Kapfenberg të Austrisë.

Testi cilësohet mjaft i rëndësishëm për trajnerin Gianni De Biasi, për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve dhe përcaktuar mënyrën sesi Shqipëria do të luajë në debutimin historik në finalet e Kampionatit Europian.

Kjo do të jetë përballja e dytë në histori ndërmjet Kombëtares kuqezi dhe Katarit. Ndeshja e mëparshme është luajtur më 22 Maj 2012, sërish në një fushë neutrale në Madrid.

Ajo miqësore, që ishte ndeshja e dytë e De Biasit në stolin e Shqipërisë, përfundoi me fitoren 2-1, pas golave nga Elis Bakaj dhe Erjon Bogdani me 11-metërsh.

Katari ka bërë hapa gjigand në këto vitet e fundit, e tashmë pozicionohet e 78-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërsa kulmi i futbollit për vendin e vogël nga Lindja e Mesme pritet të jetë organizimi i Botërorit 2022.

Miqësorja me Katarin është e dyta e përcaktuar zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, pas ndeshjes së 26 Marsit kundër Austrisë.

FSHF njoftoi gjithashtu se në kuadër të përgatitjeve për Euro 2016, Kombëtarja do të luajë edhe një tjetër miqësore përpara nisjes drejt Francës. Sipas federatës, kundërshtari dhe data e ndeshjes do të zyrtarizohen në ditët e ardhshme, ndërsa më parë si një alternativë ishte përfolur ndeshja e mundshme Me Kanadanë, në datën 5 Qershor, vetëm 6 ditë përpara debutimit në Euro 2016 ndaj Zvicrës.

Shekulli Agency