Liverpool do të nënshkruajë kontratë me sulmuesin japonez

Klubi anglez Liverpool ka njoftuar se në janar do të nënshkruajë kontratë me sulmuesin japonez Takumi Minamino nga klubi austriak Red Bull Salzburg.

“Klubi i futbollit Liverpool mund të konfirmojë se ka arritur marrëveshje me Red Bull Salzburg për transferimin e Takumi Minamino. Përfaqësuesi i kombëtares japoneze do të bashkohet me Reds në 1 janar të vitit 2020 pasi ka kryer kontrollin mjekësor dhe ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me kampionët evropianë të mërkurën”, thuhet në faqen zyrtare të Liverpool.

“Ka qenë një ëndërr, ëndrra ime për t’u bërë një lojtar i Liverpool-it. Jam aq i ngazëllyer që ky moment është bërë realitet. Unë jam informuar në lidhje me këtë për një kohë”, tha Minamino.

Futbollisti 24-vjeçar do të jetë japonezi i parë në historinë e klubit anglez Liverpool.

Në ndërkohë, media angleze The Mirror ka njoftuar se Liverpool do t’i paguajë Salzburg-ut dëmshpërblim prej rreth 9,5 milionë eurosh.

Gjatë karrierës së tij, Minamino ka luajtur për klubin japonez Cerezo Osaka dhe për klubin austriak Red Bull Salzburg.

Ai ka 199 paraqitje për Salzburg, ku ka shënuar 64 gola dhe 44 asiste.

Minamino është gjithashtu pjesë e kombëtares japoneze, ku ka shënuar 11 gola në 22 paraqitje për shtetin e tij.

Vetëm disa futbollistë japonez në Premier Ligën angleze

Blerja e lojtarëve japonezë është një gjë që ndodh rrallëherë në Premier Ligën angleze.

Shinji Okazaki, 33-vjeçar, ndihmoi klubin Leicester City në rrugën drejt titullit në vitin 2016. Ai ishte futbollist i klubit Manchester United në vitet 2012-2014.

Një tjetër futbollist japonez, Hidetoshi Nakata, luajti për klubin Bolton Wanderers në sezonin 2005-2006.

Junichi Inamoto ishte futbollist i klubeve Arsenal dhe Fulham në fillim të viteve të 2000-ta.

Aktualisht, ka dy futbollistë japonezë në Premier Ligë, mbrojtësi i Southampton, Maya Yoshida, si dhe Yoshinori Muto nga Newcastle United.

Shekulli Agency