Kosovë, prezantohet trajneri i ri i kombëtares në basketboll

Federata e Basketbollit të Kosovës ka prezantuar të premten në një konferencë për media trajnerin e ri të Kombëtares së Kosovës në Basketboll, Christos Marmarinos, raporton AA.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka qenë në kontakte mbi tre muaj me trajnerin e ri grek, Marmarinos, por sot u nënshkrua kontrata me FBK-në (Përfaqësuesja A) për tre vitet e ardhshëm. 

Kryetari FBK-së, Arben Fetahu tha se trajneri i ri është trajner me përvojë në nivelet më të larta të basketbollit dhe me njohuri akademike dhe praktike në këtë sport.

“Është e veçantë që ka entuziazëm të madh për t’i hyrë kësaj pune. Entuziazmin e kemi të përbashkët, nuk i hymë kësaj pune vetëm për ta udhëhequr reprezentacionin e Kosovës, përkundrazi, po i hymë si pjesë e një projekti afatgjatë për zhvillimin e basketbollit. Udhëheqja e reprezentacionit do të jetë një nga pikat më të menjëhershme me të cilën do të fillojmë nga java e ardhshme mirëpo kemi edhe shumë pika të tjera me të cilat do të kemi paraqitje”, tha Fetahu.

Trajneri i ri Marmarinos u shpreh i kënaqur dhe i nderuar të bëhet pjesë e ekipit kosovar, duke thënë se synimi i parë dhe i fundit i tij do të jetë fitorja.

Sa i përket ndeshjeve të parakualifikimeve për Kampionati Botëror i Basketbollit “FIBA Basketball World Cup 2023”, trajneri i ri tha se do ta japin më të mirën për të dalë me rezultat pozitiv.

“Kur unë them fitore, them në çdo ndeshje në të cilën do të paraqitemi. Do të përpiqemi të japin më të mirën në çdo pozicion, kjo është mënyra se si ne do ta shohim çdo ndeshje”, tha Maraminos.

Ai shtoi se “do ta jap më të mirën time, për t’i bashkuar të gjithë njerëzit përreth kësaj skuadre dhe t’i inspiroj ata të bëhen kontribuues krenarë në basketbollin kosovar, ashtu siç unë po ndihem krenar tani”.

I pyetur se nëse duhet që skuadra t’i përshtatet trajnerit të ri, apo trajneri do t’i përshtatet skuadrës, Maraminos ka thënë se është i mendimit që “nuk ka lojtarë të dobët, por thjeshtë duhet ditur t’i vendosësh ata në pozicionin e duhur”.

Christos Marmarinos ka qenë ndihmës trajner në shumë skuadra të njohura evropiane, duke fituar shumë trofe, madje edhe te skuadra e San Antonios në kampin veror, derisa së fundi ishte trajner në Japoni te skuadra Nishinomiya Storks.

Drejtori i ekipit kombëtar të Kosovës në basketboll, Granit Rugova tha se përbërja do të ketë 17 lojtarë dhe tre ndihmës-trajnerë. Rugova njoftoi se më 21 shkurt do të nisen drejtë Luksemburgut, ndërsa mëngjesin e 17 shkurtit do t’i fillojnë stërvitjet.

Lista e lojtarëve e publikuar nga FBK përfshinë lojtarët: Alban Veseli, Altin Morina, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Edmond Azemi, Ergin Grosha, Erjon Kastrati, Fisnik Rugova, Gezim Morina, Leonard Mekaj, Meriton Ismaili, Mikaile Tmusic, Samir Zekiqi, Shaën Jones, Ujkan Karanezi Urim Zenelaj dhe Valon Bunjaku.

Kosova në parakualifikimet për Kupën e Botës 2023 ndodhet në një grup me Islandën, Luksemburgun dhe Sllovakinë. Ajo gjatë muajit shkurt zhvillon dy ndeshje para kualifikuese, më 20 shkurt, në Prishtinë do të vijë Islanda, ndërsa më 23 shkurt, “Dardanët” do të jenë mysafir të Kombëtares së Luksemburgut.

Kampionati Botëror i Basketbollit do të zhvillohet në tri shtete: Japoni, Indonezi dhe Filipine, më datat 1-17 shtator 2023.

Shekulli Agency