De Biasi: Nuk kemi frikë askënd

de-biasi-Shqipëria nuk stepet. Austria, e konsideruar si një prej përfaqësueseve më të mira në Euro 2016 është një skuadër për të cilën kuqezinjtë kanë respekt, por që nuk i tremben. Pasi zbarkuan në Vjenë, ku mbështetja e tifozëve në aeroport nuk mungoi, trajneri Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana u shfaqën përpara mediave.

“Ne do të luajmë me kujdes, si në kualifikuese. Nuk kemi frikë askënd. Kemi lënë pas vetes ekipe të forta në grupin tonë eliminator. Austria është me meritë në Kampionatin Europian dhe trajneri Koller ka punuar mjaft mirë. Ata kanë një skuadër të madhe, janë të fort, teknikisht ka lojtarë shumë të mirë, që luajnë në klube të mëdha”.

De Biasi foli edhe për talentin shqiptar Donis Avdiaj, duke lënë të hapur mundësinë e grumbullimit në Kombëtare, por vetëm pas Europianit.

Përpara ndeshjes miqësore me Austrinë, përfaqësuesja shqiptare zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në Ernst Happel Stadion. Seanca e fundit e përgatitjeve u ndoq nga afër edhe nga grupe tifozësh shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar posaçërisht drejt Vjenës nga rajoni, Europa e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Miqësorja me Austrinë, është e para për Kombëtaren kuqezi në aventurën drejt fazës finale të evenimentit në Francë. Në kuadër të përgatitjeve, Shqipëria do të luajë më 29 Mars edhe ndaj Luksemburgut.

Shekulli Agency