Çmenduria e shqiptarëve, 1000 euro bileta ndaj Serbisë

sh-kombetarja

“Çmenduri” për një biletë. Të shohësh në “Elbasan Arena” sfidën midis Shqipërisë dhe Serbisë mund të të kushtojë plot 1 mijë euro. Tifozët e Kombëtares, kryesisht ata nga Kosova që e konsiderojnë si speciale këtë përballje, janë të gatshëm të ofrojnë këtë shumë për të pasur një biletë për këtë sfidë.

Nuk ka rëndësi se për cilin sektor bëhet fjalë, mjafton të hyjnë në stadium. Burime të besueshme të “Panorama Sport” konfirmojnë se një pjesë e madhe e tifozëve kanë arritur të prenotojnë bileta me shuma marramendëse, në shifra që deri tani ishin të padëgjuara.

Mekanizmi – Gazeta arrin të zbardhë edhe mekanizmin sesi një biletë, qoftë edhe më e lira, ajo 1 mijë lekë të rinj,ka arritur deri në 1 mijë euro. Personat që kanë akses në Federatë dhe mund të sigurojnë bileta, janë ata që i kanë dërguar çmimet deri në këtë pikë, e lidhur kjo me kërkesën e jashtëzakonshme nga ana e shqiptarëve të Kosovës për të siguruar hyrjen në stadium. Në disa raste, një biletë kalon në tre duar, ndaj edhe çmimi i saj shkon deri në 100­-fish.

Shekulli Agency