Benzema në Euro 2016, ja plani i Francës

BenzemaPërballë Shqipërisë, në fazën e grupeve të Euro 2016, Shqipëria do të ketë përballë një rrezik më tepër. Franca ka gati planin, sesi Karim Benzema mund të kthehet në Kombëtare, pas akuzave për shantazh ndaj shokut të përfaqësueses Valbuena.

Sulmuesi i Realit të Madridit duhet të presë për t’iu bashkuar sërish “gjelave”. Dhe kjo nuk do të ndodhë të paktën deri në momentin e shpalljes së listës përfundimtare për lojtarët që do të jenë në Kampionatin Europian.

Benzema është lënë jashtë ekipit nga trajneri Didier Deschamps, në kuadër të miqësoreve që Franca do të luajë më 25 Mars ndaj Holandës dhe më datë 29 përballë Rusisë.

Vendimi u konfirmua nga presidenti i Federatës Franceze, Noel Le Graet, për të shmangur të gjitha spekulimet dhe të shmangë ngarkimin e përgjegjësive nga drejtuesi i stolit.

Synimi i federatës është që Benzema të rikthehet së shpejti në përfaqësuese, pavarësisht presioneve të qeverisë franceze, ku Kryeministri dhe Ministri i Sportit janë shprehur publikisht kundër thirrjes së sulmuesit.

Përkundër kësaj, drejtuesit e federatës kanë planifikuar që brenda javës të zhvillojë një takim kokë më kokë me Benzema dhe Valbuena, pavarësisht se gjykata ka vendosur masën parandaluese që nuk e lejon sulmuesin të takojë ish-shokun e tij.

Presidenti Le Graet bëri të ditur se FFF do ta trajtojë çështjen me shumë seriozitet, për ta sqaruar ngjarjen përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

Shekulli Agency