Barcelona ka shënuar fitoren e 10 radhazi në La Liga, duke mposhtur 1:5 në udhëtim Rayo Vallecanon. Me këtë fitore, skuadra e Luis Enriques shkon në 35 ndeshje pa humbje në të gjitha garat, ku lënë pas Realin, që në vitin 1989 kishte serinë prej 34 ndeshje pa humbje.
Në fitoren e vlefshme për xhiron e 27-të, shkëlqeu Lionel Messi, që shënoi tre gola.
Rakitic në minutën e 22’, shënoi për 0:1, ndërsa Messi në minutën e 23’, dyfishoi epërsinë.
Në minutën e 53’, Messi shënoi golin e tretë për Barcelonën, për 0:3.
Vendasit me anë të Manuchu, ngushtuan epërsinë në 1:3 kur shënuan në minutën e 57’.
Në vazhdim të ndeshjes, Barcelona shënoi edhe dy gola, kur Messi në minutën e 72’ kompletoi hattrikun, ndërsa Arda Turan në minutën e 86’, mbylli serinë e golave, për fitoren 1:5.
Tani me 69 pikë, Barcelona kryeson bindshëm ndaj ndjekësve të Atleticos që kanë 61 pikë, dhe Real Madridit me 57 pikë.