Fillimi PolitikëSamiti BE-Afrikë: Fjalë të reja, loja e njëjtë

Samiti BE-Afrikë: Fjalë të reja, loja e njëjtë

nga Shekulli Agency

Mbi shtatëdhjetë liderë evropianë dhe afrikanë do të mblidhen pasdite në Bruksel për Samitin e Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan që nis me një ofertë të diskutueshme nga BE-ja për të forcuar pozicionin e saj në kontinentin fqinj mes konkurrencës së fortë nga Kina, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish afrikane konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në Samitin e 6-të Bashkimi Evropian-Bashkimi Afrikan, të cilët do të bashkohen me homologët e tyre evropianë në diskutimin e rritjes ekonomike, ndryshimeve klimatike, migrimit dhe sigurisë.

Krerët e shteteve dhe qeverive afrikane dhe evropiane do të marrin pjesë në shtatë tryeza të rrumbullakëta në vend të një seance të vetme plenare për të sjellë, sipas shpresave të organizatorëve, diskutime më reale dhe të thelluara mbi temat kryesore të bashkëpunimit BE-Afrikë.

Siç theksoi një zyrtar i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, blloku pret që samiti të jetë një “hap ndryshimi në natyrën e marrëdhënieve” me Afrikën.

BE-ja ka njoftuar plane ambicioze për investimet dhe dhurimin e vaksinave në Afrikë përpara takimit dy-ditor, por faktori PR duket të jetë më dominues pas këtyre premtimeve sesa angazhimi ose kapaciteti real i bllokut.

– Lufta kundër COVID-19

“Tashmë është një sukses që takimi mund të zhvillohet”, pranoi një tjetër zyrtar i BE-së, duke iu referuar faktit se ngjarja u shty për dy vjet për shkak të pandemisë COVID-19.

Një nga tryezat do t’i kushtohet luftës kundër koronavirusit dhe zhvillimit të sistemeve shëndetësore afrikane.

BE-ja u zotua vitin e kaluar të ndajë një miliardë euro për të ndërtuar objekte të reja që prodhojnë vaksina në Afrikë.

Fabrikat e reja në Ruandë dhe Senegal do të hapen këtë vit, ndërsa liderët pritet të diskutojnë projekte të reja gjatë samitit.

BE-ja gjithashtu premtoi të dhurojë 450 milionë vaksina kundër COVID-19 në vendet afrikane deri në mesin e vitit 2022, por deri më tani ka dorëzuar vetëm 148 milionë doza.

Sipas burimeve të BE-së, Komisioni Evropian do të blejë 200 milionë doza nga kompanitë farmaceutike dhe vendet e BE-së do ta japin pjesën tjetër nga stoku që kanë blerë tashmë për vete.

Megjithatë, për të përmbushur objektivin dhe për të ruajtur besueshmërinë e saj, blloku duhet të përshpejtojë përpjekjet e saj për të arritur objektivin pasi dorëzoi rreth 30 milionë doza gjatë tre muajve të fundit.

– Investime në infrastrukturë

BE-ja ka njoftuar një paketë investimi në shkallë të gjerë prej 150 miliardë euro për Afrikën nën strategjinë e saj “Global Gateway”, e cila synon të kundërshtojë Iniciativën e kineze “Rrugë dhe Brez”.

Aspirata e BE-së për të mbetur investitori numër një në rajon reflektohet mirë nga fakti se gjysmën e fondeve nga plani “Global Gateway” i dedikon Afrikës.

BE synon të financojë kryesisht investimet infrastrukturore, të mbështesë arsimin dhe sipërmarrjen gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Planet përfshijnë investime në korridoret e transportit, teknologjitë e ndërlidhjes, si komunikimi satelitor dhe fibra optike, si dhe sektori i energjisë duke mbështetur energjinë e hidrogjenit dhe burime të tjera të rinovueshme.

“Paketa e investimeve u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të shprehura nga udhëheqësit afrikanë”, konfirmoi një zyrtar i tretë i BE-së, duke shtuar se blloku do të mbështesë vetëm projekte që janë mjedisore, sociale, financiarisht të qëndrueshme dhe transparente.

Mbështetja gjithashtu i shërben interesave jo aq të reja të sigurisë të bllokut, pasi konfliktet në Afrikë mund të krijojnë terren për terrorizmin ndërkombëtar dhe të përforcojnë migrimin drejt Evropës.

“Pa zhvillim nuk ka paqe. Me ndihmën ne parandalojmë, menaxhojmë krizën dhe kontribuojmë në rindërtimin pas konflikteve”, thonë nga BE.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies