Në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës janë mbyllur qendrat e votimit. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror Zgjedhore është 514 mijë e 374 votues apo 27.66 për qind e votuesve nga gjithsej 1.872.941 votues të regjistruar.
Këto të dhëna janë të fundit të publikuara në ueb-faqen online të KQZ-së, e cila në konferencën e fundit për shtyp, në orën 15:00 njoftoi se procesi zgjedhur ka ecur normalisht dhe pa incidente.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën e parë për shtyp bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës janë hapur në mënyrë të rregullt në orën 07:00.
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, e cila vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë ka raportuar për disa parregullsi gjatë ditës, të tilla si tentime për të votuar më shumë se njëherë, votimi familjar, fotografimi i votës, raste të votimit jashtë kabinave, blerje të votës dhe parregullsi tjera të vogla.
Mirëpo, Daka në pyetjet e gazetarëve në konferencën e orës 15:30 u përgjigj se gjatë procesit zgjedhor nuk ka pasur ndonjë shqetësim serioz që ka ndërprerë procesin zgjedhor, por se nëse qytetarët janë kërcënuar dhe udhëzuar si të votojnë, “ajo është vepër penale dhe me çështjet e tilla do të merren organet ndjekëse”.
Ndryshe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë marrin pjesë 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë. Secili qytetar me të drejtë vote mund të votojë një subjekt politik dhe 5 kandidatë të tij, në gjithsej 889 qendra të votimit me 2.490 vendvotime në mbarë Kosovën.