Fillimi PolitikëAnalistët komentojnë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

Analistët komentojnë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

nga Shekulli Agency

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vlerësohen si proces i zhvilluar në mënyrë të rregullt, por nga ana tjetër analistët politik në Kosovë për Anadolu Agency (AA) vlerësuan se në aspektin e rezultateve situata është më e komplikuar se në zgjedhjet e fundit në vitin 2014.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës (KQZ) ka publikuar rezultatet paraprake nga 97,67 për qind të votave të numëruara, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, ose për 2432 nga gjithsej 2490 vendvotime.

Nga numërimi i votave të deritanishme të cilat ndryshojnë gati në çdo minutë, koalicioni PDK-AAK-NISMA me kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn është në vend të parë me 34,15 për qind apo 234.184vota.

E dyta është Lëvizja Vetëvendosja me kandidat për kryeministër Albin Kurtin me 27.02 për qind të votave të numëruara apo 185.297 vota, ndërsa në vend të tretë është LDK-AKR-Alternativa, që ka si kandidat për kryeministër ka Avdullah Hotin, me 25.74 për qind të votave të numëruara apo 176.481 vota.

Analisti Mazllum Baraliu theksoi se të gjithë qytetarët dhe institucionet e Kosovës do të duhej të ishin të kënaqur me një proces elektoral që e cilësoi si të qetë, korrekt dhe demokratik. Ndërsa, sa i përket rezultateve të këtyre zgjedhjeve të parakohshme Baraliu u shpreh se ky rezultat ka sjellë të papritura dhe risi të rëndësishme.

Ai duke folur për koalicionet të cilat sipas tij u rreshtuan para zgjedhjeve me qëllim që të përfitonin sa më shumë vota, tha se të gjitha subjektet politike në Kosovë ndodhen në një pozicion të caktuar sipas rezultateve preliminare. Baraliu theksoi se me rezultatet deri më tani dhe shkallën e numërimit e cila është rreth 90 për qind të votave të numëruara tha se koalicioni PDK-AAK-NISMA ka dalë fitues.

Sipas Baraliut ky rezultat është paralajmërues nëse do të ketë mundësinë koalicioni fitues ta formojë qeverinë, por ai beson se do të ketë nevojë për “kombinime paszgjedhore”.

Ai u shpreh se edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas tij ka befasuar me një rezultat të dyfishuar mund ta ketë këtë mundësi, por që të gjitha subjektet do të duhej të silleshin në kuadër të zgjidhjeve kushtetuese dhe ligjore.

Baraliu shprehu dëshirën që do të duhej të formohet një qeveri e qëndrueshme, stabile dhe kredibile e cila do të ketë mundësi që të marrë vendime me shumicë votash, vendime të rëndësishme, sepse sipas tij Kosova po sprovohet me sfida të ndryshme.

Ndërsa në pyetjen nëse mund të formohen koalicione të ngjashme si në mandatin e kaluar tha se është e mundur çdo lloj matematike dhe kombinimi.

“Pra mund të ketë koalicion në mes të koalicionit PAN dhe të LDK-AKR- Alternativa edhe pse paraprakisht janë prishur mes tyre. Mocioni i mosbesimit pati sukses me përkrahjen e PDK-së dhe LDK është e hidhëruar dhe ka deklaruar se me PDK-në nuk do të ketë bashkëpunim apo koalicion në asnjë mënyrë. Megjithatë mund të ndodhin gjëra të ndryshme më tepër në ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare e cila ka dhe kishte interesat e saj në rastin e këtij koalicioni që ishte deri më tani, që është trajtuar si i panatyrshëm në mes të PDK-së dhe LDK-së në rrethanat konkrete”, tha Baraliu.

Ndërsa sa i përket vonimit në formimin e qeverisë nga koalicioni PAN, i cili doli fitues në zgjedhjet e 11 qershorit, brenda 30 ditëve, Baraliu supozon se do të duhej që të mbizotërojë arsyeja kudo qoftë edhe në Presidencën e Kosovës. Sipas tij nëse nuk do të ketë sukses koalicioni PAN për ta bërë një qeveri stabile të qëndrueshme edhe LVV apo edhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me partitë tjera të minoriteteve (minoriteti turk, boshnjak, ashkali apo serb) mund të kenë sukses në formimin e qeverisë së re.

Azem Vllasi, njohës i situatës politike në Kosovë theksoi se zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë janë mbajtur në mënyrë të rregullt, por shton se situata është shumë më e komplikuar se në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2014.

“Tani në njërën anë ndodhet koalicioni i madh PDK-AAK-NISMA i cili ka fituar rreth 35 për qindëshin e votave, por askush nuk mund të formojë qeverinë pa ju afruar njërës nga dy blloqeve të tjera, LVV-së ose koalicionit rreth LDK-së dhe çështja është se nën çfarë kushtesh këto dy blloqe do të pranonin të hynë në koalicion. Situata është e komplikuar tani sa i përket mundësive për formimin e Qeverisë. Pra edhe mandatari i ardhshëm duhet të jetë i pranueshëm nga të gjitha komunitetet etnike”, tha Vllasi.

Ai theksoi se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kadri Veselit, në një mënyrë të caktuar u dënua nga votuesit në këto zgjedhje dhe mori më pak vota se në zgjedhjet e mëparshme. Vllasi gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh rezultatin e koalicionit PAN, duket se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka marrë më pak vota se në zgjedhjet e vitit 2014.

“Kjo do të thotë se ka ndodhur një dështim në zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe koalicionet, për këtë arsye LVV ka arritur tashmë një rezultat më të mirë kryesisht në pakënaqësinë e qytetarëve me ata që kanë qenë deri më tani në pushtet dhe kjo është një manifestim i pakënaqësisë me situatën në vend “, tha Vllasi.

Ai e vlerësoi se mund të jetë pozitive pjesëmarrja e LVV-së në qeveri, përkundër faktit se në sjelljet e saj ka edhe elemente të dhunës dhe forma të ndryshme të sjelljeve destruktive.

Kurse për fitoren e “Listës Serbe” kundër partive tjera të serbëve të Kosovës , Azem Vllasi tha se “Lista Serbe” është në duart e Beogradit dhe është përfaqësues i shtetit të Serbisë në Kuvendin e Kosovës.

“Lista Serbe ndoshta do të bie dakord për të marrë pjesë në koalicionin qeverisës, vetëm për të marrë karrige, por detyra e saj kryesore do të jetë të veprojë kundër Qeverisë së Kosovës dhe të zbehi zërin kur është fjala për vendime vitale shtetërore”, tha Vllasi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies