
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Thomas Greminger, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton AA.
Në përfundim të takimit Cakaj dhe Greminger mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku Cakaj tha se gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm është biseduar mbi elementë për një bashkëpunim të ngushtë i cili do të vazhdojë edhe gjatë kryesisë shqiptare 2020.
“Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020, është procesi më i rëndësishëm në historinë e angazhimeve multilaterale që nga anëtarësimi në NATO”, tha Cakaj. Sipas tij, Shqipëria po punon fuqimisht në tre aspekte: atë politik, financiar dhe të burimeve njerëzore.
“Së pari, aspekti politik ka të bëjë me finalizimin e prioriteteve. Së dyti, qeveria po vë në dispozicion të gjitha burimet financiare të nevojshme për një mbarëvajtje sa më të mirë të kryesimit. Së treti, tashmë kemi emëruar diplomatët më të mirë e më të përkushtuar si në Misionin tonë në Vjenë, ashtu dhe në Task Forcën e ngritur në Tiranë për këtë qëllim. Gjithashtu po punohet për një Kryesi shqiptare të suksesshme të Organizatës në vitin 2020”, deklaroi Cakaj.
Në përfundim të fjalës së tij Cakaj theksoi se marrja e kryesisë së OSBE-së është një përgjegjësi e madhe por e merituar nga Shqipëria.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger gjatë takimit dhe fjalës së tij foli për përgatitjet e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së.
“Dëshiroj të vlerësoj përgatitjet e Shqipërisë dhe vendosjen e tonit të duhur nga ana e ministrit Cakaj gjatë paraqitjes të kuadrit paraprak të prioriteteve në Vienë”, u shpreh Greminger.
Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Greminger theksoi se OSBE-ja është gati për të ofruar mbështetje për zgjidhjen e krizës, por zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe të brendshëm.
“OSBE-ja është gati për të ofruar mbështetje por qartësisht asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse nuk përfshihen të gjithë aktorët politikë”, deklaroi Greminger.
Kujtojmë se Shqipëria po përgatitet të marrë kryesinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2020.