Pavarësisht përpjekjeve të shumta të liderit të LSDM-së Zoran Zaev për të joshur me poste, Lëvizja Besa vështirë se mund të pranojë të bëhet pjesë e qeverisë së re. Portali Kumanovapress, merr vesh se BESA është e prerë në vendimin se pa respektimin e parimeve të saj nuk do të koalicionojë me Zaevin dhe Ahmetin.
Mësohet se gjatë takimeve me drejtuesit e Besës, kreu socialdemokrat Zoran Zaev nuk ka pranuar që të jep garanci të shkruara për kërkesat e Besës që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë përmes zbatimit të programit tashmë të njohur “Ridefinimi”. Udhëheqësit e Lëvizjes Besa i kanë bërë me dijë edhe Zaevit por edhe përfaqësuesve ndërkombëtar se nuk marrin pjesë në asnjë qeveri që nuk garanton se shqiptarët do të gëzojnë të drejtat e tyre që i’u takojnë me Kushtetutë. Poashtu, ata janë kundër pjesëmarrjes së personave të inkriminuar në qeverinë e re, të ashtuquajtur reformatore. Ndryshe nga Besa, Kumanovapress nga burime brenda negociatave merr vesh se drejtuesit e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët kanë pranuar të marrin pjesë në kabinetin qeveritar të Zaevit pa asnjë garanci të shkruar, por janë joshur vetëm nga postet.
Sonte BDI vendos për emrat e ministrave të rinj që sipas të gjitha gjasave do të jenë njerëz të afërt të ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ky vendim pritet të shkaktojë reagime të shumta në opinion por edhe brenda partisë, ndërsa nuk përjashtohet që të ketë krisje në këtë subjekt pas shpalljes zyrtare të emrave të ministrave që kryesisht janë kuadro që në të kaluarën nuk kanë treguar ndonjë sukses. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Zijadin Sela, nesër do të vendos për emrat e ministrave.
/Kumanovapress/