Fillimi PolitikëIvanov: Nuk do t’u jap mandatin atyre që negociojnë platforma të shteteve të huaja

Ivanov: Nuk do t’u jap mandatin atyre që negociojnë platforma të shteteve të huaja

nga Shekulli Agency

Dy ditë pasi lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, me nënshkrimin e 67 deputetëve të partisë së tij, Bsshkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deklaroi se, “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovrenitetin dhe pavarësinë e saj”.

Sipas presidentit Ivanov, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit Maqedonia u ballafaqua me një suprizë të pakëndshme nga një platformë politike paszgjedhore e përgatitur nga një vend i huaj. Ai theksoi se është dokument paszgjedhor i përpunuar dhe i nënshkruar në një vend dhe kabinet të një shtetasi të huaj me ndërmjetësimin e kryeministrit të një vendi të huaj.

“Përmbajtja e platformës është jashtë Kushtetutës dhe Marrëveshjes Kornizë së Ohrit. Me këtë platformë kërcënohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e sjellë në një pozitë të nënshtrimit apo varësisë nga një vend tjetër. Me këtë platformë, Republika e Maqedonisë është e cenuar, ndërsa uniteti, sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të kërcënuara”, deklaroi Ivanov.

Në vijim të adresimit të tij, Ivanov theksoi se kjo platformë e bllokon vendin edhe në një krizë më të thellë, e cila sipas tij, vë në pikëpyetje interesat themelore të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Ai shtoi se në takim me liderin e LSDM-së, ka kërkuar që ta refuzojë këtë platformë, sepse siç theksoi ai, qytetarët më 11 dhjetor votuan për reforma dhe zbatimin e plotë e Marrëveshjes së Përzhinës, e jo për platformë paszgjedhore nga një vend i huaj.

Presidenti Ivanov kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar qartë dhe publikisht të dënojë një platformë të tillë, e cila sipas tij, paraqet përzierje të paskrupullt në punët e brendshme dhe në redifinimin e karakterit unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Shumë mirë e dimë kur komuniteti ndërkombëtar doli me qëndrime të tilla me vendet tjera të rajonit. Fatkeqësisht, në rastin e Maqedonisë, një dënim ashtu të qartë nuk kishte. Kjo heshje e zhurmshme na vërtetoi se Maqedonia tani varet vetëm nga ne, qytetarët e saj dhe institucionet e saj”, u shpeh Ivanov.

Ivanov theksoi se as Kushtetuta, por as ndërgjegjja e tij nuk e lejon të jap mandatin e dikujt që, sipas tij, dëmton sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë. Ai shtoi se nuk do të pranojë kërcënime që do të shkelin Kushtetutën. “Në të njëjtën kohë, i inkurajoj të paraqesin padi penale në bazë të Kodit penale të Maqedonisë ndaj të gjithë atyre që çojnë Maqedoninë në një pozitë të nënshtrimit apo varësisë nga një vend tjetër”, deklaroi Ivanov.

Platforma e përbashkët e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni 

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies