
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe shpërngulja e miliona ukrainasve kanë ngjallur një simpati në mesin e popullit francez për të pritur refugjatët krahë hapur në vendin e tyre, por kjo nuk i ka penguar kandidatët për president që ta bëjnë luftën kundër emigracionit të shtetasve të huaj një agjendë kyçe të fushatës së tyre elektorale, raporton (AA).
Me pasojat e luftës që duken se po ndikojnë shumë në ekonomi dhe në sektorët e energjisë dhe ushqimit, emigracioni nuk është shqetësimi kryesor i votuesve në këto zgjedhje presidenciale, por kjo vazhdon të jetë tema dominuese e diskutimit për kandidatët presidencialë.
Debati mbi emigracionin është i lidhur ngushtë me çështjen e sigurisë. Tema kryesore që i tejkalon të gjitha është kriza e identitetit francez. Politikanët e të gjitha anëve, të djathtë, të majtë dhe të qendrës, kanë argumentuar se emigracioni në rritje i shtetasve të huaj ka degraduar vlerat tradicionale franceze.
“Kur kemi frikë nga fenomenet e emigracionit, mendoj se duhet të mbrojmë edhe ADN-në tonë”, tha presidenti Emmanuel Macron gjatë mitingut të tij elektoral më 2 prill.
Derisa Macron pozicionohet si një lider global, komentuesit e kanë përshkruar atë si një politikan i majtë që luaj një politikë të djathtë, pasi politikat dhe deklaratat e tij gjatë mandatit të tij të parë në detyrë kanë pasqyruar agjendën e ekstremit të djathtë.
Ai me krenari deklaroi se është detyrë e francezëve që të mirëpresin ata që ikin si ukrainasit, por paralajmëroi se Franca po ashtu duhet “të dijë të luftojë kundër emigracionit të paligjshëm”.
Disa organizata jofitimprurëse, që punojnë me azilkërkuesit, kanë denoncuar qeverinë e presidentit Macron për diskriminim racor duke ofruar strehim të menjëhershëm për refugjatët ukrainas, ndërkohë duke i lodhur refugjatët e pastrehë dhe emigrantët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme.
Trajtimi i pabarabartë u bë i dukshëm pas tragjedisë katastrofike të fundosjes së anijes në muajin dhjetor, që mori jetën e 27 emigrantëve të cilët ndërmorën kalimin e rrezikshëm në brigjet franceze përmes Kanalit Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Derisa Macron është zotuar se do të reformojë sistemin e azilit me vendime më të shpejta për kërkesat, ai dëshiron që atyre që u refuzohet e drejta e azilit, detyrimisht të largohen nga territori francez. Ai po ashtu dëshiron të kushtëzojë dhënien e një leje qëndrimi afatgjatë për ata që arrijnë sukses në provimin e gjuhës frënge dhe që janë të suksesshëm profesionalisht, kështu duke parandaluar Francën të popullohet nga emigrantë të pashpresë ekonomikisht.
Agjenda e preferuar e krahut të djathtë
Kandidati i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, e ka shpallur veten shpëtimtar të francezëve dhe e ka inkuadruar fushatën e tij zgjedhore rreth luftës kundër një “pushimi” emigrantësh dhe rikthimit të së kaluarës së lavdishme të vendit.
Popullariteti i fushatës së tij zgjedhore, të cilin sondazhet e renditin në vendin e pestë me 9 për qind të votave, i atribuohet jashtëzakonisht agjendës së tij të krahut të djathtë, i cili sulmon emigrantët dhe Islamin, përkrah nacionalizmin e bardhë dhe hedh një teori konspirative të quajtur ‘Zëvendësimi i Madh’.
Zemmour, një ish-gazetar dhe lider i partisë ‘Reconquest’, u përpoq të ri-përqendronte vëmendjen e popullit francez, që është devijuar nga lufta.
“Lufta nuk e zgjidh problemin themelor të vendit tonë, që është kriza e paprecedentë e shpërbërjes, zëvendësim i madh i popullsisë”, tha ai më 30 mars gjatë një interviste për fushatën e tij në BFMTV.
Nëse zgjidhet, Zemmour premton se do të largojë shtetasit e dyfishtë që janë shkelës të shtetësisë së tyre franceze.
“Unë do të dëbojë 1 milion njerëz”, tha të hënën në një miting Zemmour, i cili po ashtu dëshiron të krijojë një ministri për ri-emigracionin që do të dëbojë të huajt e padëshiruar, respektivisht shkelësit, të burgosurit, ata që qëndrojnë ilegalisht dhe të papunët, si dhe që do të kufizojë të drejtën e azilit “në një grusht individësh në vit”.
Rivalja e tij kryesore, Marine Le Pen, për shumë vite ka ndërtuar karrierën e saj politike dhe partinë ‘Rassemblement national’ përmes nxitjes së frikës për emigrantët e huaj. Ajo aktualisht kryeson në sondazhet për zyrën presidenciale pas Macron-it.
Manifesti i saj i emigracionit ngjan shumë me atë të Zemmour-it. Ajo po ashtu është zotuar se do të ndalojë rregullimin e emigrantëve të huaj që janë pa dokumente të vlefshme dhe që qëndrojnë në vend pa lejen e kërkuar, se do të penalizojë hyrjen e paligjshme dhe do të dëbojë të gjithë të huajt që nuk kanë punuar në Francë për më shumë se një vit.
Pikëpamjet rrënjësisht tronditëse të dy kandidatëve presidencial, Zemmour dhe Le Pen, kanë bërë jehonë tek votuesit francezë dhe kanë fituar një probabilitet të lartë për shkak të çështjes së emigracionit.
Kandidatja e partisë konservatore ‘Les Republicains’ (LR), Valerie Pecresse, e cila barazohet me Zemmour-in në pozitën e katërt sipas sondazheve, premton se do të rifitojë “kontrollin e emigracionit për të mbrojtur identitetin dhe kulturën” franceze.
Ajo dëshiron të zbatojë kuota vjetore të emigracionit, të dëbojë emigrantët që janë kthyer ilegalisht duke i dërguar me avionë çarter, të dëbojë azilkërkuesit e refuzuar brenda dy muajsh dhe të reduktojë akordimet e asistencës sociale për azilkërkuesit.
Të gjithë kandidatët që janë zotuar se do të kundërshtojnë emigracionin kanë njoftuar se do të marrin pjesë në programin e qeverisë për të mirëpritur ukrainasit.
Kandidatët pro-emigrantëve
Ndryshe nga perceptimi, jo të gjithë kandidatët presidencialë bëjnë propagandë kundër emigracionit. Gjashtë nga 12 kandidatët përfundimtar kanë propozuar hapa pozitive ndaj azilkërkuesve, emigrantëve ekonomik dhe refugjatëve që mbërrijnë në Francë.
Kandidatja e partisë ‘Lutte Ouvriere’, Nathalie Arthaud, ka deklaruar se emigrantët kontribuojnë pozitivisht në ekonominë franceze.
“Pa emigrantë nuk mund të funksionojnë sektori i ndërtimit, ai spitalor, i aeroportit, hotelierisë, pastrimit, sigurisë, transportit, industrisë së makinave dhe ai i industrisë ushqimore”, pohoi Arthaud në manifestin e saj zgjedhor, e cila propozon vendosjen e lirisë së lëvizjes për emigrantët.
Përveç saj, përfaqësuesi i klasës punëtore, Phillipe Poutoi, kandidati i krahut të majtë, Jean-Luc Melenchon, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, kandidati i partisë ‘Europe Ecologie Les Verts’, Tannick Jadot dhe kandidati i Partisë Komuniste Franceze, Fabien Roussel, kanë shpallur një program pro-emigrantëve.
Programi përfshin hapa për rregullimin e të gjithë emigrantëve pa dokumente, garantimin e azilit për refugjatët, sigurimin e një pritjeje me dinjitet për azilkërkuesit në të gjitha rrethanat, mbylljen e qendrave administrative të ndalimit, ofrimin e të drejtës për të punuar, si dhe përfundimin e operacioneve të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), të cilat përfshijnë kontrollin kufitar në Detin Mesdhe dhe riatdhesimin e emigrantëve të paautorizuar.
Retorika kundër numrave
Edhe nëse emigracioni dominon debatet dhe ndihmon në rritjen e popullaritetit të kandidatëve për president, të dhënat zyrtare tregojnë se situata është më pak e tmerrshme sesa parashikohet nga politikanët. Franca nuk po përmbytet nga emigrantët ekonomik që përpiqen të përfitojnë nga burimet e vendit apo të vjedhin vendet e punës të banorëve vendas.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2021 janë dhënë 733.069 viza për arsye familjare, të ndjekura nga ato studentore, humanitare dhe ekonomike, ndërsa gjithsej 94.092 persona kanë marrë nënshtetësinë franceze.
Vitin e kaluar, vendi mori 121.554 kërkesa për azil, përfshirë nga të mitur, kryesisht nga Afganistani i shkatërruar nga lufta, Bregu i Fildishtë, Bangladeshi dhe Guinea. Prej tyre, vetëm 39 për qind iu dha mbrojtje, ndërsa pjesa tjetër e kërkesave për azil u refuzuan.
Emigrantët e dokumentuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, përfaqësojnë vetëm 10 për qind të punësimit në Francë, kryesisht në punë në shërbime, ndërtimtari dhe punë publike.
Francezët janë jashtëzakonisht krenarë për moton zyrtare të vendit për lirinë, barazinë dhe vëllazërinë. Por diskursi politik është fokusuar në nënshtrimin e emigrantëve për të provuar vazhdimisht besnikërinë e tyre ndaj vlerave të Republikës.
Pesë vitet e ardhshme të qeverisë së re duket se do të sjellin reforma të mëdha sistematike për emigracionin dhe kontrollin e kufijve, ndërsa së bashku me të, emigracioni dhe identiteti francez do të vazhdojnë të jenë një temë e përdorur si një thes grushtimi politik.