
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell tha se vendimin për ndihmë ushtarake për Ukrainën mund ta marrin në muajin tetor.
Borrell i cili ndodhet në New York në kuadër të bisedimeve të Asamblesë së 77-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka bërë deklarata për gazetarët lidhur me rendin e ditës.
Në përgjigje të pretendimeve të Rusisë se “shumica e drithit të eksportuar nga Ukraina ka përfunduar në BE”, Borrell tha se “Shumica e eksporteve të drithit nga Ukraina kanë shkuar në vendet në nevojë. Shikoni të dhënat, shikoni statistikat. Dy të tretat e eksporteve nga Ukraina kanë shkuar në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi”.
Lidhur me vendimin e BE-së për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës, Borrell tha: “Shpresoj se këtë vendim mund ta marrim në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në muajin tetor. Në takimin e ministrave të Jashtëm në tetor mund të paraqesim në tryezë një propozim dhe kjo do jetë një procedurë mjaft e shpejtë”.
Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell nuk ka ndarë detaje lidhur me atë se çfarë do të përfshijë ndihma ushtarake.