
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Bahamet e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe është nënshkruar marrëveshja për marrëdhënie diplomatike mes dy shteteve.
Presidentja Osmani, e cila e quajti historik këtë njohje nga Bahamet, tha se njohja nga ky shtet është e 121-ta në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.
“Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahameve, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahameve, mikun tonë të mirë Philip Davis”, njoftoi presidentja Osmani.
Në deklaratën e plotë të nënshkruar nga të dy shtetet, bëhet e ditur se të dyja shtetet kanë riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
“Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv. Bahamet dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga presidentja Osmani dhe kryeministri Davis.
Në fund të deklaratës u bë e ditur se Komonuelthi i Bahameve dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.