Arabia Saudite ka përsëritur dënimin e saj ndaj vendimit të javës së kaluar të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit.
Dënimi i përtërirë saudit u artikulua në një mbledhje të kabinetit të kryesuar nga Mbreti Saudit Muhammad bin Salman në Pallatin Mbretëror Al-Yamama të Rijadit.
Pas takimit, ministri i Informacionit i Arabisë, Awwad Saleh al-Awwad, i tha agjencisë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite (SPA) se anëtarët e kabinetit kishin theksuar atë që ata e përshkruan si “konsensusi ndërkombëtar” kundër lëvizjes kontroverse të SHBA-ve.
“Mbretëria rithekson dënimin e saj për këtë lëvizje keqdashëse nga administrata e SHBA-ve, e cila shkel të drejtën historike palestineze në Kuds, e cila është e sanksionuar në rezolutat ndërkombëtare”, u citua të ketë thënë al-Awwad.
Ai më tej vazhdoi të kërkojë nga administrata amerikane që të ndryshonte vendimin sa më parë që të ishte e mundur, “me qëllim për t’u dhënë palestinezëve të drejtat e tyre legjitime”.
Tensionet janë ngritur në territoret palestineze pas vendimit të së mërkurës së kaluar të presidentit Trump për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën amerikane në këtë qytet.
Kudsi mbetet në zemër të konfliktit palestinezo-izraelit, me palestinezët të cilët shpresojnë që Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti palestinez.
Në prill, Rusia zyrtarisht e njohu Kudsin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit, me shpresën se gjysma lindore e qytetit mund të shërbejë përfundimisht si kryeqytet i një Palestine të pavarur.