Fillimi Poezi/LetërsiNEVOJA E RISHIKIMIT TË ORIENTALIZMIT DHE DR. EDWARD SAID

NEVOJA E RISHIKIMIT TË ORIENTALIZMIT DHE DR. EDWARD SAID

nga Shekulli Agency

Nga: Ermal BEGA

Edward Said (1 Nëntor 1935 – 25 Shtator 2003) ishte një teoricien letrar dhe intelektual, i njohur në fushën e teorisë kritike të periudhës pas-koloniale. I lindur si një arab palestinez në Jerusalem, Palestinë, ai u bë dhe një qytetar amerikan përmes babait të tij. Saidi e kaloi fëmijërinë e tij në Jerusalem dhe Kajro, ku studioi në shkollat elitare britanike. Më pas, ai shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku u diplomua nga Princeton si dhe mori doktoratën në letërsinë angleze nga Harvard. Said, më pas, u regjistrua në Universitetin e Kolumbias në vitin 1963, ku u bë profesor i anglishtes dhe letërsisë krahasuese në vitin 1991.

Si një kritik kulture, Saidi është i mirënjohur për librin e tij të famshëm “Orientalizmi”, botuar për herë të parë në vitin 1978, dhe ribotuar disa herë deri më sot, si dhe i cili është përkthyer edhe në shqip, nga dy përkthyes të ndryshëm, njërin prej të cilëve e kemi sonte të pranishëm mes nesh, Dr. Xhevat Lloshin. Në atë libër, ai analizon paraqitjet kulturore të cilat janë baza e orientalizmit, një term të cilin ai e rishpjegoi duke iu referuar kuptimeve dhe përshkrimeve të Perëndimit për shoqëritë në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikën Veriore – “Lindjen”. Ai e luftoi idenë se orientalizmi ishte, dhe mbetet, i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me shoqëritë imperialiste të cilat e krijuan atë, të cilët realizuan shumë vepra qenësisht politike, nënshtruese ndaj fuqisë, dhe si rrjedhim të dyshimta nga ana intelektuale. Veprat e Saidit treguan ndikimin tek njerëzimi, veçanërisht në teorinë letrare, dhe patën një ndikim shndërrues në studimet mbi Lindjen e Mesme, praktikuesit e të cilave nisën të studiojnë se si ata i shohin, përshkojnë dhe përcaktojnë kulturat e Lindjes së Mesme. Saidi fuqishëm diskutoi dhe debatoi mbi çështjet kulturore të përbëra nga orientalizmi, në mënyrë të veçantë ashtu siç janë aplikuar në histori dhe studimet hapësinore; megjithatë, disa akademikë të rrymës së përgjithshme nuk pajtohen me këtë teori, sidomos Bernard Lewis.

Si një intelektual publik, Saidi diskuton rreth kulturës, letërsisë, muzikës dhe politikës bashkëkohore. Nga përvojat familjare të tij si të krishterë palestinezë në Lindjen e Mesme gjatë kohës së themelimit të Izraelit në vitin 1948, Saidi tregon nevojën e themelimit të shtetit të Palestinës. Për më tepër, ai ishte një avokat i të drejtave politike dhe njerëzore për palestinezët në Izrael, dhe i nxiti SHBA-të që të ushtrojnë trysni ndaj Izraelit që t’u japë dhe t’i respektojë këto të drejta. Saidi ishte përshkruar nga gazetari Robert Fisk si “zëri më i fuqishëm politik” i popullit palestinez. Sidoqoftë, ai gjithashtu kritikoi regjimet arabe dhe muslimane të cilët vepronin kundër interesave të popullit të tyre. Ai mbeti një intelektual aktiv deri në muajt e fundit të jetës së tij, dhe ndërroi jetë nga leucemia në fund të vitit 2003.

Si figurë intelektuale, Edward Said është përgjithësisht pak i njohur në mesin e popullit shqiptar, dhe kontributet në lidhje me jetën dhe veprën e tij janë relativisht të pakta në gjuhën shqipe.

Një rol të madh në prezantimin e figurës së Dr. Edward Said ka dhënë dhe revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), e cila që nga numri i parë i saj, në vitin 2008, e deri më sot, në çdo numër të saj ka botuar shkrime të tij të përkthyera në gjuhën shqipe nga bashkëpunëtorë të ndryshëm të kësaj reviste, disa prej të cilëve janë të pranishëm në këtë aktivitet dhe i falënderoj përzemërsisht.

Gjithashtu, fatmirësisht, më vonë janë botuar dhe dy nga veprat kryesore të tij, libri “Orientalizmi” dhe “Shtrembërimi i Islamit”.

Në lidhje me temën time, mendoj se për trojet shqiptare, orientalizmi (orientalistika ose studimet orientale) si fushë studimi, duhet të marrë një formë tjetër trajtimi për studime të tilla. Tradita dhe trashëgimia jonë islame-orientale, është shumë e lidhur me popullin shqiptar, pavarësisht se kjo lloj trashëgimie është duke u humbur shumë dita-ditës. Këtu mund të bëjmë dhe një krahasim me vendet e tjera europiane të cilët me nderim dhe respekt mundohen ta ruajnë çdo lloj trashëgimie kulturore, fetare, historike, qoftë në objekte dhe ndërtime, qoftë në letërsi etj. Me këtë kuptojmë se çfarë është e qenësishme për një popull dhe vend, nuk është për një tjetër, por me parimin e sotëm “Të gjithë të njëjtë – të gjithë të barabartë”, duhet të kuptojmë se duhet të mundohemi sa më shumë të ruajmë trashëgiminë tonë dhe të të tjerëve që kanë jetuar dhe sjellë diçka në këto troje.

Pas ndarjes së Shqipërisë nga Sulltanati Osman, Shqipëria u bë shtet i pavarur dhe sistemet e ndryshme që erdhën më pas nisën të shkatërronin pak nga pak trashëgiminë kulturore të saj, sidomos atë orientale-islame. Prandaj, si në mesin e shqiptarëve, ashtu dhe në mbarë botën, mendojmë se sot ka ardhur koha që duhet të ndryshojmë mendim për Orientin, për orientalin, për Islamin dhe muslimanët në Lindjen e Mesme dhe në botën orientale në përgjithësi.

Pikërisht për të trajtuar më shumë figurën e këtij intelektuali dhe humanisti të madh të shekullit 20, kemi ftuar studiues të cilët janë marrë me studimin e jetës dhe veprave të Dr. Edward Saidit. Prandaj, falënderojmë përzemërsisht ligjëruesit, duke shpresuar që të kemi arritur sadopak të japim një këndvështrim sa më të saktë për jetën dhe veprën e Dr. Edward Saidit.

Gjithashtu, një falënderim i veçantë, në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, dhe në emrin tim personal, shkon për donatorin modest të këtij aktiviteti, ambasadën e Kuvajtit në Tiranë dhe ambasadorin e saj, Najeeb A. Al-Bader, të cilët shprehën gatishmërinë për të përkrahur aktivitete të tilla kulturore. Po ashtu, falënderojmë dhe ambasadorin e Shtetit të Palestinës në Shqipëri, Yasser Alnajjar, për përkrahjen e tij morale, pjesëmarrjen dhe mesazhin përshëndetës të rastit.

Faleminderit dhe ju të nderuar pjesëmarrës, të cilët treguar interes për këtë simpozium.

Fjala e drejtorit ekzekutiv të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), e mbajtur më 27 Qershor 2014 në simpoziumin shkencor kushtuar studiuesit dhe humanistit të mirënjohur palestinezo-amerikan, Dr. Edward W. Said, organizuar nga Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), Tiranë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies