
Nga: Alpin Ollogu
Është fakt që partitë qeverisëse, veçanërisht në shtetet e ballkanit, nëpërmjet joshjeve të pushtetit dhe trysninë së tërthortë në pjesë të administratës shtetërore, ndikojnë në masë të caktuar në përcaktimin e votës elektorale. Megjithatë, jo element i mjaftueshëm për të mbetur në pushtet një parti politike. Si e këtillë, rotacioni i pushtetit rëndom ndodh kur opozitat arrijnë të sigurojnë diferencë votash të konsiderueshme që e tejkalojnë këte masë votuesish. Fenomen i kuptueshëm ky, për të gjithë ata që sadopak ndjekin rrjedhat politike.
Në rastin e zgjedhjeve legjislative të 15 korrikut, fill pas publikimit të rezultatit zgjedhor jo-zyrtar, opozita shqiptare, përjashtuar Besën e Kasamit, ngre akuzën e vjedhjes së votës, drejtur gishtin partisë më të madhe shqiptare në qeverisje, Bashkimit Demokratik për Integrim. Marrë parasysh se në qeverisje, merrte pjesë edhe vetë Alternativa e Afrim Gashit. Çuditërisht, akuza e vjedhjes së votave përfshin disa metoda të dekadës së kaluar, koha e gjakderdhjes në procese zgjedhore, në vjedhjen e dhunshme të vullnetit të sovranit. Normale, në çdo aksion jolegjitim në qendrat e votimit, lind edhe reaksioni i anëtarëve dhe vëzhguesve të partive tjera kundërshtare. Sot, ndër pretendimet më kryesore në këtë drejtim, theksohen si: mbushje kutish me fletevotime; votime të personave që s’kanë qenë në listën zgjedhore; votime të mërgimtarëve që nuk kanë qenë prezent në vend, si dhe numri i madh i votave për Bashkimin Demokratrik për Integrim në zona të caktuara, si shumë përmenduara zona e Zajazit.
Komisioni qendror zgjedhor i rrëzoi si të pabaza ankesat e opozitës shqiptare, me arsyetimin se ato nuk kanë bazë ligjore. Nuk ka vërejtje nga anëtarët dhe vëzhguesit partiak të opozitës, në procesverbalet 16 dhe 20, të materialeve të besueshme zgjedhore, gjatë dhe pas përfundimit të numërimit të votave. Dhe nëse ka pasur vëretje në ndonjë qendër votimi, ato nuk kanë qenë në përputhje me akuzat që janë bërë nga partitë politike, mbas shpalljes së rezultatit zgjedhor jozyrtar. Si të tilla, edhe paditë e partive, me të gjitha gjasat, brenda 60 orëve, do të hidhen poshtë nga Gjykata Administrative, disa prej të cilat kanë filluar të rrëzohen që sot. Duke mos përjashtur as ankesat dhe paditë e „VMRO“-së, apo tragji-komikes „levica“. Nga e gjitha kjo ne shohim një teatër politik për të hedhur tymnajën e pretekstit të vjedhjes së votave për të shmangur dhe gjetur rrugëdalje në mos–votimin e kandidatit shqiptar për kryeministër, që do të ishte një kryeministër historik për shqiptarët, për nga pesha simbolike dhe për nga mekanizmi që do të avanconte më shpejt Marrëveshjen e Ohrit . Kryeministër që normalisht do të dërgonte ujë (mbeshtetje elektorale) edhe në mullirin e partisë se Ahmetit, pasi është kandidat i saj. E siç duket qartë, opozita shqiptare këtë nuk e përtyp dot, pavarësisht dobisë që kryeministri shqiptar do të kishte për rolin shtetformues shqiptar dhe barazinë qytetare.
Nuk është vetëm kjo arsyeja e këtyre akuzave për vjedhje votash, është edhe arsyeja e llogaridhënies partiake për mos-fitoren e përgjithshme, që duhet ta japë udhëheqesia partiake në nivele lokale dhe qëndrore, aty ku ata kanë pasur rezultate negative. Me akuzën e vjedhjes se votave, krijohet urra e tejkalimit të kësaj përgjegjësie, tymnaje ndaj mbështetësve partiak, për të vazhduar me përbërjen aktuale partiake, në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse opozita shqiptare, qoftë edhe ajo maqedonase, ka kopje të procesverbaleve ku anëtarët e saj apo vëzhguesit, janë ankuar me shkrim, siç e parasheh ligji, në procesverbalet 16 dhe 20 te materialeve zgjedhore, vërejte këto që duhet të janë në përputhje me ankesat drejtuar KQZ-se dhe padive në Gjykatën Administrative, le ti shpallin – denoncojnë në media apo minimalisht në rrjete sociale. Sikur të kishin prej vërtëti këta procesverbale, me siguri do ti kishin prezantuar si fakte para institucioneve kompetente. Fundja, edhe hapja e kutive kërkon dëshmi për të inicuar kërkesa të tillë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe gjithë monitoruesit e brendshëm zgjedhor, i kanë vlerësuar zgjedhjet si të drejta dhe demokratike, pos disa parregullsive që nuk ndikojnë në vullnetin e përgjithshëm elektoral. Kjo u vërejt edhe nga elektorati por edhe nga anëtarët e komisioneve zgjedhore, komunale dhe asaj qëndrore. Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e kaluara kishte përgjysmim të votave, rrjedhimisht edhe mandateve. Sikur ti kishte vjedhur votat në këtë mënyrë, me mbushje masive kutish, nuk do ta kishte përgjysmimin e mandateve, kjo është logjikë e thjeshtë. Sikur të kishte bërë këto manipulime zgjedhore, as opozita shqiptare në këto zgjedhje nuk do të kishte mundësi të trefishojë mbështetjen elektorale.
Një gjë duhet pranuar, partia e Ahmetit në qeverisjen e fundit Zaev, ka qenë më e riorganizuar dhe reflektuese, duke marrë mësim nga pësimi i zgjedhjeve të kaluara. Të gjitha projektet zhvilluese dhe integruese në mandatin e fundit, kanë pasur bashkëpunimin dhe miratimin e BDI-së. Duke mos dashur këtu të arsyetoj një pjesë të korruptuar të funksionarëve të saj, të cilët, si pasojë e kohës së gjatë në pushtet, kanë rënë në kthetrat e lakmisë. Por edhe si pasojë e pushtetit gjyqësor jo-funksional, me paaftësinë dhe korrupsionin për ti vendosur para drejtësisë së duhur. Mos përjashtur edhe ata kryes të veprave penale, e cilët i ngjiten strukturave partiake qeverisëse, për të shpëtuar veten dhe pasurinë, nëpërmjet sistemit të drejtësisë të kapur politikisht.
Duhet ta pranuar se reflektimi në qeverisjen e fundit trevjeçare, karta pompoze me kandidatin për kryeministrin shqiptar, sulmet nga partitë maqedonase (kryesisht LSDM-ja) për ta kaluar partinë e Ahmetit në opozitë, pozicioni qeverisës që tërheq padyshim një pjesë të elektoratit, dhe sigurisht hija e pandashme e Ushtrisë Çlirimtare Kombetare, bënë të mundshme ruajtjen dhe rritjen e BDI-së në disa mandate të tjera. Ёshtë arsyeja e thjeshtë, se pse edhe kësaj here triumfoi projekti i Ahmetit.
Fatkeqësisht, opozita shqiptare sot, me pretendimet për vjedhje masive të votave, i ngjason shembullit të partisë nga e cila derivoi Aleanca për Shqiptarët dhe pjesë e madhe e elektoratit të saj. I ngjason Partisë Demokratike Shqiptare e cila në çdo cikël zgjedhor akuzonte dhe nuk pranonte fitoret e Ali Ahmetin. Në vend që ajo të reformohej dhe të bëje autokritikën e vërtetë të humbjes. Pavarësisht se në këtë rast, mund ta konsiderojmë me plotë të drejtë, fitore, ngritjen dhe fuqizimin e opozitës shqiptare sot, në 12 mandatet e arrituara, si një e mirë për garën serioze politike në kampin shqiptar. Për më tepër, votat e shqiptarëve erdhën në foletë e veta, jo për nacionalizëm romantik, po për sigurinë nga mashtrimet e koncepteve qytetare, sigurinë e dinjitetit dhe drejtësisë së nevojshme shoqërore.
Opozita shqiptare, mbivendos kohërat dhe akuzat. Se si është të vjedhësh dhe mbushësh kuti, se si nuk pranohen zgjedhjet nga faktori ndërkombëtar, dhe se si ndiqen penalisht autorët e tyre. Ato ishin kohë tjetër, të cilën opozita shqiptare e njeh shumë mirë. Ishte vetë pjesë e konsiderushme e atij protagonizmi delikuent zgjedhor. Andaj, sot, rruga e ndershme e opozitës, nuk duhet të ndjëkë rrugën e ish partisë nga e cila rrodhi, por të jetë bashkëpunuese dhe të krijojë standart të ri të opozitarizmit politik, atë standart që Ziadin Sela kërkonte dhe mori mbeshtjetjen kur u shkëput nga ish partia e tij. Trefishimi i votave është rrugë e dinjitetshme për të ardhmen e ngjitjes në pushtet, pavarësisht se pushteti mund të vonojë, por kjo vonesë kur bëhet për interesa kombëtare, do të jetë triumfuese dhe më e frytshme ditën e pushtetit. Mos bëhet ky trefishim votash “kasap” politik në zgjedhjet e ardhëshme lokale, duke marrë entuziazëm dhe hapësirë për akuza të pabazuara vjedhje votash. Ngazëllimi i fitores së vogël sot (trefishimit të votës), në zgjedhjet e 15 korrikut, neës nuk përdoret drejtë, mund të bëhet kasap i suksesit të madh neser. Madje, opozita shqiotare kuk ka as pse të kompleksohet dhe të arsyetoje humbjen perball oponentit politik, me “filmat” e njohur të vjedhjes së votës, ngase rritja elektorale e opozitës është fitore më vete e cila do konsideratë.
Le ti shkojë partisë së Ahmetit tullë në kalanë e tij politike, kryeministri shqiptar, megjithatë populli do të vlerësojë me patjetër, me tullat e veta elektorale në zgjedhjet vijuese, kontributin e opozitës, për bashkëpunimin e bashkimit kryeministror. Konkurrenca politike dhe përpjekja për ta mundur politikisht BDI-në, korrupsinin brenda saj, le të mbeten objektiva të forta opozitare, por aman të jenë objektiva të realiziueshme në rrugë të ndershme, pa dëmtuar interesat kombëtare. Madje opozita shqiptare mund të kushtëzojë këtë të fundit, që me votën për kryeministër shqiptar, në programin e ardhshëm qeverisës, të parashihen pika programore nga programi i saj, siç mund të jenë, lufta kundër korrupsionit, arsimimi, shëndetësia, lojërat e fatit, sistemi i drejtësisë e të tjera. Kështu opozita fiton në dy aspektet, edhe të programit të saj zgjedhor, edhe të mbështetjes historike për kryeministrin shqiptar.
Tani është mundësia më shumë se kurrë për të kushtëzuar faktorin politik maqedonas në pranimin e kryeministrit shqiptar. Jo për të shpëtuar partia e Ahmetit, se ajo fitoi dhe fiton edhe kur e braktisen ish partia, Këshillin kordinativ shqiptar në 2001, edhe kur opozita nuk ju bashkuan thirrjes se Ahmetit për presidentin shqiptar në zgjedhjet e kaluara. Edhe në këto zgjedhje e vërtetoi se nuk e benë këtë për të shpëtuar lekuren politike. Ndoshta pikërisht edhe nga këto fakte, ajo gezon mbështetje të konsiderueshme në bllokun politik shqiptar sot e 20 vite me rradhë, pavaresisht korrupsionit dhe qeverisjes së gjatë. Nëse ajo i qëndron me konsekuence kërkesës për kryeministër shqiptar, qofte me ksoton opozitare, të jeni të bindur se asnjë qeveri e ardhëshme nuk do të mund ta përfundoje mandatin katër vjeçar, pa u kthyer ajo edhe më e fuqishme në qeverisje. Ёshtë dëshmuar kjo ne 2008-tën.
Andaj, çdo rrugë tjetër justfifikuese e opozitës shqiptare, çdo rrugë false, me pretekstet nga më banalet për mos-bashkim, do ta bëjë opozitën e sotshme, partitë e kësaj opozite, kopje të partisë së zotëri Thacit, e cila po kalon në histori pikërisht nga gabimet e lartshënuara. Dashtë Zoti të kemi një opozitë të shëndoshë për një qeverisje të nesërme të suksesshme. Asnjë rrugë nuk është e gjatë dhe e vështirë, nëse të prêt diçka e mirë. E kundërta, të shpie në disfatë.