
Nga: Alpin Ollogu
Tërmeti i magnitudës 6.4 i shkallës Rihter, i cili goditi Republikën e Shqipërisë më 26 Nëntor të këtij viti, dy ditë para përvjetorit të flamurit kuq e zi, rrëzoi përfundimisht në mënyrën më argumentuese, konceptin dhe thirrësit e kombit kosovar. Ndjeshmëria dhe mbështetja e gjithanshme institucionale, ekzekutive, politike, e organizatave joqeveritare, sportit, artit, bashkësive fetare dhe mbarë popullatës së Kosovës, për vëllezërit shqiptarë të Shqipërisë administrative, demonstroi fuqinë gravitacionale të unitetit kombëtar, atë të Ismail Qemal Bej Vlorës dhe Isa Boletinit, të cilët, ndër të tjerash, më 29 nëntor të vitit 1912, në qytetin e Vlorës, formalizuan qenësinë e kombit mbarë shqiptar, të shtrirë në të gjithë territorin etnik të Ballkanit.
Si në kohë festive, ashtu edhe në kohë të vështira, përbashkimi rreth një fIamuri të vetëm, i shqiptarëve të kosovës, shqiptarëve të shqipërisë administrative, bashkë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, luginës, Malit të Zi, dhe gjithandej ku ata jetojnë, është tregues i fuqishëm i shpirtit të kombit, i kombit subjektiv shqiptar që prevalon ndaj çdo teorie tjetër të formimit të kombeve. Pavarësisht jetesës në shtete të ndryshme (nga padrejtësitë historike), me tërmetin e 26 nëntorit, figurativisht u vulos Nëntor i tretë shqiptar. Ashtu siç Zoti i njerëzimit, Allahu, me drejtësinë e Tij absolute, i sprovon njerëzit me gjendje të ndryshme, ashtu edhe shqiptarët e kudondodhur në Ballkan e me gjërë, kësaj sprove me humbje të jetëve dhe dëmeve materiale, j’u përgjigjen me solidaritet dhe bashkëveprim nga më shembullorët në botë, e nga sprova nxorën frytin e dëshmisë, të qenit një, e një trungu të pandarë shqiptar.
Përveç mësimit që duhet marrë shteti shqiptar dhe mbarë shtetet e rajonit, për zbatimin ligjor në ndërtimin e objekteve dhe ndëshkueshmërisë penale ndaj gjithë atyre që kanë shkelur dhe shkelin standartet e ndërtimit, tërmeti i 26 Nëntorit, në prapavijë, shfaq në mënyrë gati spektakolare, aspiratën dhe nevojën e bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm, minimalisht të shtetit Shqiptar dhe atij të Kosovës, nëpërmjet mekanizmave ligjor të referendumeve popullore. U dëshmua se të bashkuar tejkalohen më lehtë fatkeqësitë. Të bashkuar, ngritet më hovshëm mirëqenia shqiptare, gjë e cia nuk mund të zëvendësohet dhe të barazohet me asnjë bashkim në strukturat evropiane apo gjetiu, por që këta të fundit, do ta ploësonin mirësinë e bashkimit.
Ky tërmet, jo vetëm që rrëzoi përfundimisht “kombin kosovar” dhe propaganduesit dritëshkurtër të tij, po ju dëshmon rishtazi edhe Kombeve të Bashkuara, pozitën sui generis të shqiptarëve në Ballkan. Me gjasë, i ka prekur dhe ju ka dhënë zemër edhe partnerëve tanë strategjik, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sa më parë, të mbështesin zëshëm bashkimin e natyrshëm territorial Shqipëri – Kosovë, kur shohin se si bashkëveprojnë shqipet për folenë e tyre, edhe pas shumë viteve të luftërave të armatosura.
Me lutjen që Zoti ti pranojë si dëshmorë viktimat e tërmetit të qytetit të Durrësit dhe fshatit Thumanë, urojmë dhe lutemi që e gjithë kjo situate e dhimbshme, të kthehet në favorin mbarëkombëtar. Shenjat e para po përmbushen nëpërmjet bashkimit shpirtëror dhe ndihmesën e pakursyeshme të çdo aspekti për vëllezërit shqiptar në zonat e prekura nga fatkeqësia. Njëkohësisht me shpresën që në të ardhmen e afërt, të konkretizohet bashkimi territorial Kosovë – Shqipëri, konform të drejtës ndërkombëtare për vetëvendosjen e popujve.
Ne jemi popull me shumicë muslimane, njerës më humanë në sipërfaqen e tokës (dëshmuar nga statistikat e ndihmave dhe pohimi i mendimtarëve me renome botërore), dhe njihemi për tolerancen fetare, sigurisht si rezultat i dukshëm i kësaj shumicë, gjë të cilën nuk kemi pse ta fshehim (përkundër qarqeve dhe individeve publike, islamofobë, të cilët fatkeqësisht edhe në momentë vështirësie për kombin, shfaqin urrejte ndaj muslimaneve të botës që japin ndihma dhe bëjnë apel botes islame për të ndihmuar shqiptarët, siç ishte thirrja e presidentit Erdogan të Republikës së Turqisë).
Gjithsesi, ne nuk dorëzohemi nga vështirësitë, por nga vështirësitë nxjerrim të mirën e fshehur. Ashtu siç tërmeti rrëzoi “kombin kosovar”, ashtu edhe vuri në piedestal kombin e unifikuar shqiptar, ndriçoi edhe njëherë fjalët e rilindasit Mit`hat Frashëri: “Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”