Fillimi Opinion/AnalizaSë bashku apo veças?

Së bashku apo veças?

nga Shekulli Agency
Abdi BALETA

Abdi BALETA

Duhet që Kosova dhe Shqipëria, së pari, të mos përballen me Serbinë diplomatikisht e politikisht secila në kokë të vet e për hesap të vet. Kosova e Shqipëria duhet të zbatojnë edhe në politikë e në diplomaci parimin “një komb, një përfaqësuese kombëtare”, që ka dhënë rezultate të mira në futboll. Shqipëria dhe Kosova duhet të formojnë një strategji të vetme veprimi diplomatik, edhe pse formalisht do të paraqiten në skenën diplomatike veç e veç për njëfarë kohe.

Kjo është temë e ditës në ligjërimin politik e diplomatik shqiptar, edhe pse nuk e gjejmë të formuluar kështu në deklarata zyrtare, analiza e komente politike. Është kohë hamendësimesh të shumta mbi krijimin në Ballkan të një klime mirëkuptimi e bashkëpunimi pas Samitit të Vienës të 27 gushtit 2015, pas shpeshtimit e shtensionimit të kontakteve midis kryeministrave të Shqipërisë e të Serbisë. Ka padurim për të parë nëse “Nisma Merkel” do të përshpejtojë vërtetë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Nuk largohen shqetësimet që udhëheqjet shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup i japin në unison përparësi integrimit europian mbi bashkimin kombëtar. Kjo vjen nga potenciali i dobët shqiptar për të reaguar ndryshe, nga mungesa e strategjisë së duhur, apo nga që nuk ka vullnet për bashkim?!. Nuk reshtin interpretimet e kota se bashkimi kombëtar shqiptar sjell ndryshim kufijsh në Ballkan, gjë që nuk e duan diplomacitë e BE-së dhe SHBA-ve. Shqiptarët u gjendën ditët e fundit edhe para dy zhvillimeve prekëse: (I) dyndjes së refugjatëve të luftës nga Lindja e Mesme nëpër korridorin Greqi-Maqedoni-Serbi; (II) “pelegrinazhit fetar” ndërkombëtar në Shqipëri, nën kujdesin e San Exhidios nën moton “Paqja është gjithmonë e mundshme”. Ky pelegrinash u shoqërua dhe me urimin papnor që: “Nga toka shqiptare, nga toka e martirëve të mund të nisë të lindë një profeci e re paqeje” (“55”, 7 shtator 2015). “Sikur të ishte kaq e lehtë në realitetin e sotëm” (“Shekulli’ 10 shtator 2015).

 

Por Ballkani mbetet ai që ka qenë edhe pas Samitit të Vienës e urimit papnor. Në tokën e bekuar të Shqipërisë po ashpërsohet në ekstrem lufta politike për pushtet e për grabitje pasurish. Në Kosovë po rriten dukshëm tensionet pas zyrtarizimit të “Zajednicës” serbe, çka po thellon krizën politike dhe amullinë e lidershipit. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërcënohen nga Beogradi pse shpallën edhe ata “bashkësinë e komunave” të tyre. Shqiptarët e FYROM-it nuk e kuptojnë më se ç’po ndodh me ta dhe me politikanët e tyre. Prandaj diplomacia e bujshme dyshe e me shumë batuta “Rama -Vuçiq” dhe diplomacia e thatë, më tepër nën zë, “Mustafa -Vuçiq”, nuk mjaftojnë për të ngjallur mirëbesim midis kombeve shqiptar e serb. Në Ballkan janë të freskëta gjurmët e luftërave gjenocidale serbe, në kohën kur në Europë festohej mbarimi i Luftës së Ftohtë. Mbeten të pashlyera imazhet tronditëse të kolonave me refugjatë të mjeruar shqiptarë që Serbia e Maqedonia i trajtonin shumë më keq se refugjatët e sotëm nga Lindja e Mesme. Në Ballkan kanë ndodhur vërtetë ndryshime të thella, është dyfishuar numri i shteteve brenda një çerek shekulli, por konfliktet, kontradiktat, përplasjet e rreziqet nuk janë pakësuar. Meritojnë vëmendjen e duhur, jo përfolje inatçore, fjalët e Ramës se po nuk u përfshi Ballkani Perëndimor në BE do të ketë cikël tjetër dhune. Madje as kjo përfshirje nuk jep garanci absolute për të përjashtuar shpërthimet e trazirave. Integrimi nuk i zgjidh vetvetiu disa probleme madhore therëse. Europa e ndjen veten të zënë ngushtë, sepse nuk do t’i hyjë zgjidhjes së vërtetë të çështjes shqiptare. Ajo nuk po çlirohet as nga ideja që të mbetet një klub i krishterë, çka nënkupton që të mos krijohet një shtet shqiptar me shumicë popullsie myslimane në Europë, por dy shtetet e sotëm shqiptare të përthithen në një konglomerat shtetëror të Ballkanit Perëndimor, ku të ketë një popullsi të krishterë pak më të madhe se ajo myslimane. Europa ende nuk e mbledh dot mendjen të kuptojë realisht se pa zgjidhur çështjen shqiptare në Ballkan, nuk bën dot asgjë të mirë.

“Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, e titullonte zonja e nderuar britanike Edit Durham, analizën mbi gjendjen e zhvillimet në Ballkanin e dy dekadave të para të shekullit XX Këto ngatërresa tani janë bërë 120-vjeçare. Projekti europian për “Jugosllavinë e tretë” na kujton se nuk janë për t’u shpërfillur as sot vlerësimet e Edit Durhamit: “Në Ballkan mund të ndryshosh mendje sa herë të duash, por vetëm një gjë nuk e ndryshon: qiellin e mbuluar përherë nga retë e Fuqive… Zhvillimet e fundit na kanë treguar se intrigat e Lindjes për të cilat është folur aq shumë janë punë kalamajsh, po të krahasohen me planet që ka kurdisur Perëndimi”. (“Brenga e Ballkanit” Tiranë 1990, f.264, 367) . Në muajin maj 2015 pata një bisedë interesante mbi zhvillimet në Ballkan me një politologe nga Bosnja, këshilltare politike pranë një zyre europiane. I shpreha pikëpamjen time se kontradiktat e problemet që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë nuk janë fashitur, por janë gjithnjë të pranishme e vepruese dhe janë klonuar në disa Jugosllavi më të vogla. Ajo u pajtua pjesërisht me këtë arsyetim, madje përmendi vetë si “shembull klonimi” BH dhe FYROM-in. Unë shtova tre shembuj të tjerë : Mali i Zi, ku gjysma e popullsisë është serbe, Serbia që ka problemet e Vojvodinës e të Sanxhakut dhe Kosova, që po e bëjnë një BH të dytë .

Mendimin për “klonimin e një Jugosllavie të re” në Kosovë ma përforcon pranimi nga politika kosovare e shqiptare i “Zajednicës” serbe, që është amalgamë enklavash serbe të krijuara nga “Plani Ahtisari” dhe që po merr funksione të qarta si shtet i ri parazitar, i mbivendosur në Kosovë. Bëjnë shumë përshtypje dy vlerësime të kundërta, njëri serb e tjetri shqiptar, lidhur me rrjedhojat e krijimit të Zajednicës. Zonja Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi është shprehur se “Zajednica” do të dëmtojë shqiptarët. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaaga, gjatë vizitës së saj në Tiranë më 10 shtator 2015, deklaroi se “Zajednica” nuk e dëmtoka Kosovën, nuk e cenoka sovranitetin e saj shtetëror. Për logjikë politike e seriozitet gjykimi duhet t’i besojmë zonjës serbe, Biserko. Vendosja e “Zajednicës”, si kërcu serb mbi samarin e ngarkuar me shumë detyrime të Kosovës, do t’i vështirësojë lëkundjet prej lavjerrësi të Kosovës midis Beogradit e Tiranës.

 

Pozicioni prej lavjerrësi i Kosovës u përvijua fillimisht në formulën e Ibrahim Rugovës “Kosova, shtet i pavarur e sovran, i hapur për Shqipërinë e për Serbinë”. Pra, zhvillimet negative nuk mbërritën rastësisht e menjëherë në pikën ku janë sot. Pas çlirimit të Kosovës (1999) jetuam disa vite ankthi se pavarësimi i saj mund të pengohej nga diplomacitë ndërkombëtare. (Rezoluta 1224 dhe administrimi i gjatë nga UNMIK-u 1999-2008). Edhe “Plani Ahtisari” e ngarkoi statusin e pavarur të Kosovës me aq shumë privilegje për serbët sa e bëri “një vend të paqeverisshëm” (Henri Perrit Jr). Pavarësia e Kosovës u shpall dhe u njoh ndërkombëtarisht (2008) falë vendimit providencial që mori në qershor 2007 ish-presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush. Por nuk u ndërprenë përpjekjet serbe e ndërkombëtare për të shpupluar shtetin e pavarur të Kosovës dhe për të gërryer sovranitetin e tij. Kosovën e kthyen në “shtet-fusnotë” për hir të Serbisë. U shpikën 6 pikat minuese të Ban Ki Munit, që u bënë baza e “bisedimeve shqiptaro-serbe” në Bruksel, nga të cilat lindi “Zajednica”, si “hibrid simbioze shtetërore”, njëfarë projektimi në të sotmen i “simbiozës pushtetore” midis pushtuesve serbë e të pushtuarve shqiptarë dikur në Kosovë.

Proceseve rrënuese të pavarësisë së Kosovës duan t’ua vënë kapakun me një “pajtim të madh shqiptaro-serb”. Si për ironi, për këtë qëllim po përdoret dhe “diplomacia futbollistike”, përurimi i së cilës ishte e vetmja risi që solli Samiti i Vjenës, sepse gjithçka tjetër që ndodhi atje shënoi fillimin e zbehjes së “Procesit të Berlinit”, të një viti më parë mbi Ballkanin Perëndimor. Mbetet të shohim sa efikase do të dalë kjo “diplomacia futbollistike” gjermano-austriake. Por dimë që topi i futbollit merr gjithfarë flurudhash. Pajtim të vërtetë midis Shqipërisë e Serbisë nuk arritën dot të bënin Fuqitë e Mëdha që janë përpjekur në të kaluarën. Nuk e bëri dot Nikita Hrushovi pas vitit 1956, kur nisi afrimin me Titon. Nuk e arritën udhëheqësit kinezë në vitet 1970 kur sugjeruan krijimin e trekëndëshit Shqipëri-Jugosllavi-Rumani, që të bezdisnin BS. Nuk e bënë dot as diplomacitë perëndimore, duke e mbajtur Shqipërinë larg proceseve diplomatike për çështjen e Kosovës.

Pajtimi shqiptaro-serb do të ishte me dobi dhe i dëshiruar për shqiptarët. Por për shumë kohë ai do të mbetet iluzion. Shqiptarët nuk kanë përse t’u përgjigjen me “JO” të prerë ftesave të miqve ndërkombëtarë që të luajnë bashkë me serbët në ndonjë ekip të Ballkanit Perëndimor përballë ekipit të BE-së. Por UEFA e ka mirë që nuk do të lejojë më që Serbia e Shqipëria të jenë në të njëjtin grup eliminator për kampionatet europiane e botërore. Rruga drejt pajtimit real shqiptaro-serb do të jetë e gjatë, e vështirë dhe terreni duhet shtruar me kujdes e me durim.

Për këtë duhet që Kosova dhe Shqipëria, së pari, të mos përballen me Serbinë diplomatikisht e politikisht secila në kokë të vet e për hesap të vet. Kosova e Shqipëria duhet të zbatojnë edhe në politikë e në diplomaci parimin “një komb, një përfaqësuese kombëtare”, që ka dhënë rezultate të mira në futboll. Shqipëria dhe Kosova duhet të formojnë një strategji të vetme veprimi diplomatik, edhe pse formalisht do të paraqiten në skenën diplomatike veç e veç për njëfarë kohe. Për të arritur këtu u duhen dhënë fillimisht përgjigje të sakta, pa lënë shtigje bishtnimi, pyetjeve: A do të vazhdojë Shqipëria të qëndrojë në pozitat e indiferentizmit ndaj zhvillimeve në Kosovë, sikurse ka qëndruar shumicën e kohës, qysh kur u krijua shteti i pavarur e i cunguar shqiptar? A do të vazhdojë shteti i ri shqiptar, Republika e Kosovës, të sillet ndaj më të vjetrit, Shqipërisë, si ndaj një fqinji të çfarëdoshëm? Shqipëria duhet t’i japë fund indiferentizmit. Kosova duhet të mos pajtohet me pozicionin e lavjerrësit midis Beogradit e Tiranës. Por deri tani shohim që pushtetarët e Tiranës e të Prishtinës po bëjnë më shumë llafe se punë në këto drejtime; shumë demagogji e pak vepra konkrete për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit vëllazëror në të gjitha fushat. Kjo vjen edhe për faktin se pushtetarët dhe mjaft politikanë e intelektualë në Tiranë e në Prishtinë, i japin përparësi integrimit europian. Me këtë duan edhe të shfajësohen që i janë larguar përgjegjësisë për t’u marrë seriozisht me forcimin e lidhjeve Shqipëri-Kosovë, në funksion të bashkimit të ardhshëm shqiptar. Ky bashkim kombëtar nuk ka për të gjetur zgjidhje vetëm se Kosova e Shqipëria integrohen në BE veç e veç, dorë për dore, apo toptan si Ballkan Perëndimor. Kryeministri italian Renci deklaroi se zgjerimi i ri BE-së është më mirë të nisë me Shqipërinë e Serbinë. Nëse veprohet kështu si do të tundet “lavjerrësi kosovar”?!

Nuk jam aspak i dëshiruar të paraqitem para lexuesit me perceptime e qasje skeptike dhe kritike. Por zhvillimet më të fundit në Kosovë e në marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare me Serbinë, si dhe projekti i diplomacisë europiane për Ballkanin Perëndimor dhe nxitimi për të arritur një pajtim fiktiv shqiptaro-serb, të shtyjnë të mendosh edhe për më të keqen. Para disa muajsh gjatë një darke me një grup ish-diplomatësh francezë dhe shqiptarë gjeta rastin të rreshtoja “ankesat” e mia që vendet perëndimore ende nuk po i trajtojnë shqiptarët njësoj si kombet e shtetet e tjera të Ballkanit dhe vazhdojnë t’u kundërvihen pa ndonjë arsye parimore të drejtës së shqiptarëve për bashkim kombëtar. Përmenda se diplomacia perëndimore “zgjidhjen boshnjake” kërkon ta zbatojë në Kosovë, ku minoritarët serbë përbëjnë vetëm 3% të popullsisë dhe nuk e zbaton në FYROM, ku mbi 30% e popullsisë është shqiptare. Në BH i detyron 3 kombe të ndryshëm të jenë në një shtet ku mpleksen tri njësi të veçanta e dy federata, kurse kombit shqiptar i kërkon të pajtohet me copëtimin midis 6 shtetesh. Njëri prej bashkëbiseduesve të huaj reagoi me “argumentin ”se shqiptarët nuk kanë jetuar ndonjëherë në një shtet të përbashkët” (fatkeqësisht “argumentin” e bashkëbiseduesit francez e kisha dëgjuar më herët nga politikanë shqiptarë). M’u desh të sillja argumentet se shqiptarët kanë jetuar në shekuj bashkë në kuadër të perandorive të ndryshme, si shumë kombe të Europës e të botës, që sot kanë shtetet kombëtarë unitarë. Në kohën e daljes në skenën e historisë të shteteve kombëtare në Europë (fillimi i shekullit XIX) shqiptarët kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane dhe ndaheshin vetëm me kufij administrativë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) paraqiti si kërkesë themelore bashkimin e shqiptarëve në një Vilajet, si pararendës të shtetit kombëtar të pavarur shqiptar. Si për ta mbyllur serinë e “ankesave” të mia erdhi shprehja “I kuptojmë pakënaqësitë tuaja, por ju nuk keni një Putin”. Përgjigjja ime ishte: “Shqiptarët nuk kanë dhe nuk mund të kenë Putin. Shqipëria është vend i vogël, jo si Rusia gjigande. Po të mos ishin potencialet e mëdha që disponon Rusia, as atje nuk do të dilte Putini”. Për fat të keq Shqipëria për gjysmë shekulli ndoqi rrugën socialiste sovjetike. Edhe gjatë 25 vjetëve pas rrëzimit të komunizmit Shqipëria ecën në atë rrugë theqafëse të Rusisë pas-sovjetike, të cilën Dejvid Sater në librin e tij “Errësirë në agim. Ngritja e shtetit kriminal rus” e quan “tragjedia e privatizimit” dhe përshkruan se: “Ajo që e drejtoi procesin (e privatizimit) nuk ishte vendosmëria për të krijuar një sistem të mbështetur mbi vlerat universale, por ishte më shumë një vullnet për të futur një sistem të pronësisë private, i cili në mungesë të ligjit hapte rrugën kriminale drejt parasë dhe pushtetit” (cituar nga M.S. King në “The War Against Putin”, gusht 2015, f. 36). Fatkeqësisht Shqipëria nuk ka ende një prijës pushtetar që të drejtojë me vendosmëri luftën për zbutjen e efekteve të privatizimit masiv kriminal të pasurive e të pushtetit në vend (!) Nuk është krijuar imazhi dhe modeli i duhur i “liderit shqiptar” të vërtetë.

Shqipëria ende nuk ka krijuar tabutë e saj diplomatike të paprekshme. Mendoj se Shqipëria ka sot në krye të diplomacisë dyshen, Rama-Bushati, më të mirë gjatë 25 viteve të fundit, kryesisht në raport me marrëdhëniet me Greqinë. Por këtë dyshe po e qortojnë se po bën diplomaci të dyzuar, edhe pse një qortim si ky nuk i vlen Shqipërisë. Partia Demokratike ka hedhur sërish në shtyp formulën e vjetër demagogjike të Berishës (1998) “Një komb – një qëndrim”. Kjo formulë mbetet pa përmbajtje e pa kuptim përsa kohë nuk është përcaktuar qartë qëndrimi. Sipas mendimit tim, qëndrimi duhet të jetë i prerë, pa mëdyshje: Gjithçka në funksion të bashkimit kombëtar. Meqenëse nuk ndiqet ky parim, është lënë mënjanë “Programi kombëtar i Lidhjes së Prizrenit” dhe nuk është përpunuar një strategji për përmbushjen e tij. Nuk mund të ndërtohet strategji e saktë kombëtare, pa përcaktuar qartë qëllimin që do të arrish. Përderisa si qëllim i vetëm shpallet integrimi europian, nuk ka nevojë për strategji shqiptare, sepse strategjinë në këtë rast e përcakton edhe e imponon Brukseli.

Diplomacia shqiptare në fakt nuk ka dalë asnjëherë nga binarët që i shtruan Ismail Qemali, Esat Toptani dhe Luigj Gurakuqi. Ata ishin për marrëdhënie sa më të mira me fqinjët, por i pari kishte preferenca për Greqinë, i dyti për Serbinë, i treti për Italinë. Pas tyre Ahmet Zogun rrethanat e bënë të lidhej kryesisht me Italinë. Enver Hoxhën ideologjia komuniste e hodhi në anën e Jugosllavisë. Ramiz Alia dhe këshilltarët e tij u përkëdhelën më shumë me Greqinë. Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta e të gjithë drejtuesit e Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve, janë kolovitur sa andej-këndej, midis fqinjëve për hir të interesave të tyre pushtetore. Ata që vështrojnë nga Greqia gjatë shumë vitesh kanë thënë “greku po na mban me bukë”. Ndaj Serbisë qysh pas Luftës së Dytë Botërore qeveritë shqiptare i janë përmbajtur diplomacisë së Esat Pashës, edhe pse ky demonizohet padrejtësisht e pa pushim si “tradhtar”. Nano lëshonte parullën “Serbinë ta rrethojmë me demokraci,” Berisha ndiqte shabllonin “Të nxisim në Serbi demokratizimin nga brenda”. Kryeministri i tanishëm Rama zgjedh diplomacinë e hapave konkretë, ideve të guximshme për të hapur faqe të re, vlerat e së cilës do të gjykohen kur të shihen rezultatet. Analistët nga Shqipëria e Kosova flasin kot se Rama po sjell në diplomacinë shqiptare projektin e pajtimit serbo-kosovar. Këtë e kanë kërkuar me kohë politikanë, akademikë, intelektualë e biznesmenë të Kosovës dhe të Shqipërisë. E mira është të mos bëhen spekulime e hipokrizira për pajtime e miqësira, por të gjendet e të respektohet një modus vivendi fqinjësor serioz.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies