Tentimi për ta rivendosur regjimin demokratik në Maqedoni duket se po përballet me absurde politike të paregjistruara deri më tani. Mëtohet që një regjim autoritar të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, të cilat duhet të organizohen nga një qeveri teknike hibride.
Operacioni i filluar një vit më parë nga lideri i LSDM-së opozitare maqedonase, Zoran Zaev, me publikimin e materialeve komprometuese për qeverinë, pritej që të shkaktojë një tërmet të fuqishëm politik. Kjo nënkuptonte dorëheqjen e kryeministrit, qeveri kalimtare dhe organizim të zgjedhjeve kredibile dhe demokratike. Përmbajtja e materialeve që buruan nga një përgjim i paligjshëm, me indicie të qarta për korrupsion masiv, paralajmëronin një gjë të tillë. Nisur nga shembulli i Kroacisë dhe ai i Bullgarisë, Maqedonia dukej se ishte një rast ku ndryshimi dhe tranzicioni do të shkonte më kollaj.
Kryeministri i atëhershëm kroat, Ivo Sanader, u detyrua të dorëhiqet pasi që në maj të vitit 2009 në zyrën e tij papritmas u fut Jadranka Kosor, zëvendësja e tij në qeveri. Ajo mbante në dorë dosjen që argumentonte lidhjet e Sanaderit me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sanaderi ishte i bindur se publikimi i mundshëm i tyre do të shkaktonte një llavë pakënaqësie, që do ta shkrumbonte atë dhe partinë e tij. Nuk kishte rrugë tjetër, përveç dorëheqjes dhe ballafaqimit me drejtësinë.
Edhe Borisovi u detyrua të dorëhiqet në shkurt të vitit 2013, pas eruptimit të protestave kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike. Një qeveri teknike e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, ku partia e Borisovit doli fituese. Ai u rikthye në zyrën e kryeministrisë, por tani me një miqësor ndaj Brukselit. Ai dha shenja se kishte kuptuar leksionin dhe nuk do të përsëriste gabimin që prodhoi protestat masive.
Rasti i Maqedonisë
Por, vlerësimet për Maqedoninë dolën të gabuara. Pritjet se dorëheqja e Gruevskit do të rezultojë menjëherë pas takimit të parë me Zaevin në kabinetin qeveritar, i mbajtur kah fundi i vitit 2014, dolën të pabazuara. Gruevski vazhdoi të ngelet kryeministër dhe e pranoi sfidën e vështirë për ballafaqim publik me sekretet e pista të tij dhe të bashkëpunëtorëve partiakë ose në koalicionin qeverisës. Për dallim nga ish-kolegët e tij në Kroaci ose Bullgari, në 10 vitet qeverisje Gruevski kishte arritur ta fusë nën kontroll sistemin gjyqësor, prokurorinë, institucionet e sigurisë, trupat e pavarur, parlamentin, komunat dhe sferën mediale. Kjo i jepte një garanci se do të mund t’i neutralizojë goditjet nga aferat e mëdha korruptive, që pritej të shpaloseshin nga opozita dhe ai të fitojë një kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar politikisht.
Në fillim të vitit të kaluar Zaev filloi të shpalosë anën e errët të politikanit, i cili kishte krijuar imazhin e një patrioti dhe politikani të sinqertë e punëtor, i nevojshëm për Maqedoninë. Bombat filluan ta zhveshin Gruevskin dhe partinë e tij nga petku i nacionalistit dhe të shpërfaqin një lukuni të uritur që prioritet kanë gjahun. Megjithatë, reagimet ishin të vakëta. Konferencat e shtypit që organizonte Zaevi, ku lëshoheshin audio-incizimet e përgjuara të qeveritarëve teksa përdhunojnë ligjet e vendit, filluan të krahasohen me telenovelat që ndiqeshin nga shumica e qytetarëve. Gruevski vazhdonte të ngelet i parrezikuar, duke pësuar vetëm një rënie jo të konsiderueshme të rejtingut. Prokuroria Publike planifikonte t’i vë në dry këto raste dhe t’i procesuojë vetëm ato kundër opozitës, policia t’i neutralizojë protestat, gjykatat të shqiptojnë dënime të gatuara në zyrat partiake, kurse mediat proqeveritare të krijojnë një opinion iluzor mbi faktet e gjalla për korrupsionin masiv. Të gjithë motorët e mekanizmit të pushtetit autoritar u ndezën për të mbrojtur qeveritarët nga e vërteta e shpalosur nga ana e opozitës.
Ajo që mbase nuk ishte vlerësuar mirë është pranimi i korrupsionit në opinionin publik si një aktivitet normal i pushtetit, me ç‘rast lufta bëhej jo për ta çrrënjosur këtë dukuri, por për të marrë pjesën më të madhe të plaçkës. Partnerët e koalicionit ndanin paratë dhe pronën publike, sekserët përqindjet, mediat reklamat, biznesmenët privilegjet joligjore, kurse votuesit kalkulonin përfitimin konkret nga vota.
Fundi i ngërçit politik
Protesta e organizuar më 17 maj 2015 pritej të ishte fillimi i fundit të Gruevskit, me ç’rast grushti vendimtar do t’i jepej nga qytetarë të bashkësive të ndryshme etnike dhe religjioze. Do të ishte ky një revolucion atipik për Maqedoninë, e cila është e ndarë në realitetin etnik maqedonas dhe shqiptar ose atë religjioz ortodoks e mysliman. Ngjarjet e Kumanovës vetëm një javë para protestës, kur një grup i armatosur zhvilloi një luftë dyditore në brendi të qytetit që solli 18 të vrarë, duket se e minuan këtë tentim. Protesta kaloi në hije të luftimeve që e rikthyen luftën e vitit 2001, kur u zhvilluan përplasje të armatosura midis maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë.
Ish-zyrtari amerikan dhe shkrimtari Samuel Huntington në librin e tij “Vala e tretë” thotë se një regjim autoritar mund të rrëzohet vetëm nëse i shkaktohet një padëgjueshmëri forcave të sigurisë dhe institucioneve të tjera të rëndësishme për ushtrimin e pushtetit. Në të kundërtën, për të bindur të tërhiqet dhe të mundësojë tranzicionin në sistemin demokratik, bartësit të regjimit duhet garantuar të drejtën e garimit politik ose falje për veprat e bëra.
Në Maqedoni opozita nuk arriti ta bindë Gruevskin të dorëhiqet para publikimit të aferave (njëjtë si Sanaderi) e as të organizojë protesta masive, që do ta detyronin Gruevskin të largohet (njëjtë si Borisovi), por kjo erdhi pasi ai u ul në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve.
Marrëveshja që u nënshkrua në Shkup ende mbetet e paimplementuar në tërësi, për shkak të obstruksioneve që bëhen nga institucionet e kontrolluara nga, tani, ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Reforma e sferës mediale dhe pastrimi i listës zgjedhore ishin dy parakushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të caktuara për 24 prill të këtij viti, të cilat i kërkoi opozita e udhëhequr nga LSDM-ja. Shkaku i vonesave të implementimit të marrëveshjes, zgjedhjet u prolonguan për në 5 qershor, edhe pse VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e shqiptarëve etnikë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), deri në ditët e fundit këmbëngulën që data të mos ndryshojë edhe përskaj mospërmbushjes se kushteve të kontraktuara paraprakisht.
Opozita nuk e përkrahi as 5 qershorin si datë fikse e votimit, edhe pse ishte më e zëshme që zgjedhjet të prolongohen dhe të mos mbahen më 24 prill. Ajo ka për alibi përmbushjen e dy kushteve themelore – pastrimi i listave dhe reformimi i mediave, gjë që rëndë se do të përmbushen edhe brenda afatit të ri deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo i jep mundësi që sërish të kërcënojë me bojkot të zgjedhjeve nëse do të vlerësojë se nuk janë plotësuar kushtet.
Dhe, pikërisht atëherë kriza mund të eskalojë deri në pikën kur regjimi autoritar ose do të rrënohet me trazira ose do të dështojë tentimi i forcave demokratike. Prokuroria Speciale, e formuar t’i hetojë aferat korruptive të publikuara nga opozita, duket se nuk do të mund t’i bindë gjykatat e varura e të politizuara, që të gjykojnë në bazë të dëshmive të grumbulluara.
Nëse gjykatat dënimet i shqiptojnë në emër të popullit, nuk do të mund t’i burgosë peshqit e mëdhenj të politikës së korruptuar në Maqedoni përderisa e njëjta konjukturë do të gëzojë përkrahjen e pjesës më të madhe të po atij populli.
Nëse Gruevski do ta ketë fatin e Sanaderit, që përfundoi në burg, ose të Borisovit, që u rikthye në pozitën e kryeministrit, megjithatë do të varet nga përkrahja dhe organizimi i opozitës. Ajo nuk do të mund ta marrë, ushtrojë dhe mbajë pushtetin pa e fituar legjitimitetin nga qytetarët e Maqedonisë.
