Londra brenda pak kohësh ishte cak i sulmeve të një pas njëshme terroriste. Para ca javësh, dikush në emër të ISIS-it, organizatës terroriste, i thirrur në besimin islam kreu akt terrorist. Tjetri mbrëmë, në emër të Britanisë, i motivuar nga besimi i krishterë kreu aktin tjetër terrorist.
Viktimat ishin njerëz të pafajshëm. Ishin njerëz që jetojnë në paqe midis njerëzve. Që ecin nëpër rrugë sikur të gjithë të tjerët duke kërkuar fatin e vet. Që i drejtohen Zotit, ditën e natën. Humbën jetën, njerëz që gjaku i tyre është i njëjtë, që janë krijesa të Zotit dhe që janë të barabartë pa marr parasysh prejardhjen apo ngjyrën.
Sikurse se ata që ishin të barabartë para vdekjes edhe ne duhet të jemi të barabartë dhe të bashkuar fuqishëm kundër akteve të tilla terroriste. Ato ishin viktima, që mund të jenë edhe heronj nëse ne të gjallët e lexojmë thirrjen e tyre për më shumë paqe dhe mirëkuptim në këtë botë.
Madje besoj se ne e kemi obligim që këto viktima ti shndërrojmë në heronj duke i shërbyer paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë midis njerëzimit. Myslimanët e Londrës, duhet të jenë të bashkuar dhe së bashku me ta, myslimanët e gjithë botës. E së bashku me myslimanët edhe të krishterët dhe të gjitha fetë e tjera. Myslimanët e Londrës nuk u vranë vetëm mbrëmë.
Në Londër myslimanët brenda këtij muaji u vranë dy herë. Njëherë u vranë, nga stigmatizimi si terrorist. Dhe mbrëmë u vranë si viktima të terrorizmit. Para pak javësh, myslimanët e Londrës, ashtu si edhe para sa vitesh e në vazhdimësi, stigmatizohen si terrorist. Shënjohen si gjakpirës, dhunues e barbarë. Ata barazohen me një organizatë terroriste vetëm për shkak se sulmet e kësaj organizate kryhen në emër të islamit, edhe pse e gjithë bota islame është ngrehur kundër kësaj organizate.
Myslimanët e Londrës nuk u vranë vetëm mbrëmë, ata vriten çdo ditë me stigmatizimin si terrorist. Ata nuk u lënduan vetëm mbrëmë, ata lëndohen çdo ditë. Ata nuk përjetuan dhimbje vetëm mbrëmë, ata përjetojnë dhimbje çdo ditë. Ata herë vriten se i quajnë terrorist e herë vriten nga terrorizmi. Ata vriten dy herë.
Prandaj, Londër, ti myslimanët i vrave dy herë, njëherë me paragjykimin tënd ndaj tyre dhe herën tjetër duke derdhur gjakun e tyre. E kështu vepron Nju Jorku, Berlini, Parisi, Malmo, Osllo, Stokholmi, Brukseli, Roma, Viena, Vashingtoni e Moska. Ata i vrasin dy herë dhe atë për çdo ditë myslimanët. Një ditë e quajnë terrorist e ditën tjetër e qajnë si viktimë të terrorizmit.
Myslimanët çdo ditë në gjithë botën vriten dy herë, një herë në emër të islamit nga organizata të ndryshme terroriste dhe një herë në emër të anti islamit nga grupe ani islame. Sot, myslimanët e lindjes dhe të perëndimit nuk duhet të veprojnë me paragjykimin e njëjtë. Nuk duhet në asnjë mënyrë të shihen të gjithë të krishterët si të tillë. Ne, nuk duhet të bimë në grackën që bien të tjerët. Myslimanët e Londrës, e dinë që çdo ditë bashkëjetojnë më të krishterët.
Ata e kuptojnë se sa i shenjtë është gjaku i njeriut dhe e çmojnë njëri-tjetrin! Ata e dinë se si është të jesh i paragjykuar e i stigmatizuar, prandaj nuk i paragjykojnë e as nuk i stigmatizojnë të tjerët. Sot çdo mysliman është londinez, dhe çdo londinez duhet të jetë mysliman.
Sot, çdo mysliman duhet të jetë sikur se imami i po kësaj xhamie, që edhe terroristin e mbrojti nga turma agresive pas aktit terrorist deri sa ua dorëzoj policisë. Myslimanët janë mbrojtësit më të mirë të rendit, të rregullit dhe të paqes! Ne, viktimat e terrorizmit do ti shndërrojmë në heronj duke kultivuar paqen midis nesh si amanet dhe thirrje e çdo pikë gjaku që derdhet nga myslimanët, të krishterët apo të tjerët! Botës nuk i duhet dhuna, e as mendimet që shpijnë deri tek ajo.
Neve na duhet kuptimi i drejtë i islamit dhe feve të tjera. Ky kuptim i drejtë na shpie në mirëkuptim edhe pse jemi ndryshe. E ky mirëkuptim na shpie në paqe midis nesh edhe pse nuk jemi njëjtë! Ne jemi pasuesit e Pejgamberit të mëshirës, i cilësuar në Kur’an,” se nuk të dërguam për asgjë tjetër veç se si mëshirë për të gjitha botërat”.
