“Është koha për gjah. Në fakt jo për gjah të egër, por për gjah të butë, të kultivuar; për gjah të fshehur, për gjah mbi ata që përkulin shpirtin.” (Nietzche)
Më kujtohet një ngjarje që ndodhi në një shtet ku një shkrimtar i njohur tha për popullin e vet se 60 për qind janë të marrë; shkaku i kësaj një numër i madh njerëzish dolën në protesta dhe gati sa nuk e linçuan. Pas disa ditësh doli një tjetër dhe tha: 40 për qind prej popullit tim janë të mençur. Populli u çmend nga gëzimi.
Me siguri mund të pyeteni se ç’lidhje ka kjo me Maqedoninë: ja u harruan të gjitha gjërat që e mbajnë gjallë një shtet për arsye se deshën të mashtrohen nga fjala 60 për qind. Fjala “60 për qind” nuk ka qenë mashtrim, por realitet, ngaqë edhe tjetri e ka provuar kur ka përmendur 40 përqindëshin. Kjo është edhe më e dhimbshme kur shesh se shkruhen histori, letërsi, filozofi duke u mbështetur mbi hershmërinë e një populli, kur shkohet aq larg e thuhet se është “popull biblik”. Në anën tjetër kemi një popull shumë të lashtë i cili thotë se është i tillë. Ngjarjet e fundit dëshmojnë se asnjëra nga këto nuk mban: as hershmëria, e as mbështetja mbi atë bibliken. Që të jetë paradoksi akoma më i madh, në bindjen që kanë bazuar mbi atë që përmendet në Bibël, nuk duhet harruar se aty përmenden edhe derri, edhe lavirja. Andaj, duhet qenë të kujdesshëm mbi çka mbështetemi, t’i largohemi manipulimit, sepse manipulimi na kthehet si bumerang që na turpëron dhe na çmend.
Ngjarjet e fundit e dëshmojnë këtë bumerang, pra çmendurinë tonë. Faktikisht, edhe nëpër klanet e vjetra primitive asnjëherë nuk janë shkelur rregullat, sepse gjithçka ekziston vetëm nëse ka rregulla. E ç’mund të themi ne në këtë rast në Maqedoni?!? Në fakt ne nuk kemi shtet, dhe atë jo për shkak të popullit, por nga “ju” që mundohen të jepni drejtësi dhe rregulla. Maqedonia jo që nuk ka mbështetje në mitologji, por as në histori, sepse ajo është bërë mall i një njeriu, respektivisht një grupi, për të mos thënë bande. Kjo bandë, për ta mbrojtur vetveten, i shkrepi plumbat e vet të manipulimit në një kohë të trishtuar nga varfëria dhe frika nga largimi prej pune. Mashtrimi i plotë: “po na ik shteti”! Më vjen turp t’i përmend termet “juridike” që ka nisur t’i përdorë edhe masa – sipas tablosë tamam beduine: Duam shtet unitar!!! Ç’mund të them për këtë, veçse: Ju lumtë, me të vërtetë na mashtruat; me të vërtetë na turpëruat. Keni pasur mundësi t’i largoheni këtij manipulimi dhe të tregoheni “trima”: duhej të thoni se nuk e lëshoni pushtetin dhe se pa atë jemi asgjë. Por, ju e (keq)përdorët rishtas fuqinë e masës. Tmerr!
Atë që dëgjuam, që pamë besomëni se u rrëqethëm; nuk u frikësuam, por u rrëqethëm, sepse pamë masën teksa ulërin dhe përgatitet për një “luftë” ndërqytetare, ndërfamiljare, ndërfqinjësore, me pretekst se ne jemi në gjendje të bëjmë gjithçka. Ç’do të thotë kjo: ne jemi në gjendje për gjenocid, gjakderdhje, luftë të brendshme me të vetmin qëllim që ju “kopilët” e pushtetit të mbijetoni. Në kohën e varfërisë mund të bëni gjithçka, sepse varfëria verbëron dhe çmend; ajo është një dimension në të cilin mund të bësh gjithçka të keqe, ngaqë ta largon fuqinë e mendjes dhe urtësisë, të cilat janë masat kryesore për bashkekzistimin tonë. Unë mund të mos dua njeri, por edhe mendja edhe urtësia, edhe feja më thërrasin që ta dua dhe ta respektoj të drejtën, pa marrë parasysh se kë kam përballë. Kjo nuk i nënkupton “kopilët”.
Ju shkuat aq larg sa ta keqpërdorni edhe institucionin fetar, që një gjë e tillë nuk ka mbështetje në mësimet e fesë, ndaj më gëzoi rasti që Kisha nuk doli “zyrtarisht” në përkrahje të çmendurisë nga e cila jemi rrethuar dhe pushtuar. Ky moment më bëri disi të kem paksa shpresë, sepse besomëni se filluam të flasim me shokët përmes telefonit që të kujdesemi ku shkojmë, sepse njerëzit janë çmendur, kanë filluar të bëjnë hata. Nuk duhet harruar rastin e gazetarëve, sulmin mbi intelektualët e të ngjashme.
Unë pajtohem se në këtë shtet të gjithë jemi të manipuluar, por përgjegjësia më e madhe është tek ata që mëtojnë të thonë se janë me numër “më të madh”, ngaqë ata në fakt e kanë aparatin shtetëror në dorë. Këtu do të them se ishte kënaqësi që ta shoh atë pjesën me përqindje “më të vogël”, e di se keni aversion ta përmend fjalën “shqiptarë”, por ja po e them. Ata në bisedat televizive, në debatet e ndryshme treguan një pjekuri, një urtësi të madhe. Pa marrë parasysh fyerjet, sharjet me një frymë fashiste, plot mllef dhe terrorizëm, ata thërrasin në urtësi dhe në durim; nuk e thirrën masën që t’i kundërpërgjigjet masën e mashtruar, ashtu siç do të bënin të tjerët. Do të doja që ta vazhdojnë këtë urtësi dhe ta demaskojnë këtë lloj “patriotizmi” të vajtimit se kinse na iku shteti, kinse ai po bëhet dygjuhësor; po na ik unitarizmi dhe të largohen nga kjo platformë, për arsye se është koha të thonë se tek ne 40 për qind janë të mençur. Por, me një kusht: ne nuk kërkojmë asgjë, e para për arsye se nuk ka kush të japë diçka, por kërkojmë shtet juridik, pa gjuhë, pa ngjyrë; shtet juridik që “kopilët”, vagabondët do t’i nxjerrë para drejtësisë dhe të shpëtojmë nga tmerri që jemi duke e parë.
Është e dhimbshme kjo tablo e masës së tubuar që ulërimën e vet nuk e mbështet mbi asgjë tjetër, pos mbi mashtrim dhe manipulim. Ju a nuk na mashtruar sapo u formua ky shtet; kush ju detyroi ta ndryshoni flamurin: mos vallë “platforma”, kërkesat e shqiptarëve – jo, ishte dikush tjetër. E ju heshtni ndaj atij që ua ndryshoi flamurin, dhe ja tani kur të duan ju pranojnë, e kur duan jo. Nuk keni mundësi ta hapni as gojën në Parlamentin Europian nga këta fqinjët tanë. Të njëjtën e bëjnë edhe të tjerët. Së fundmi e morët një vendim shumë interesant nga Serbia, që ju ktheu aty ku e keni vendin. Ku është unitarizmi në këto raste, ku janë ato brohoritje dhe mashtrime?!? E ç’bëni ju: i thirrni qytetarët e këtij shteti të luftojnë njëri-tjetrin, në vend që të krijoni respekt të ndërsjellë dhe shtet modern. Besomëni, sikur numri i serbëve të ishte pak më i madh nga ai që është e ju të silleshit me ta kësisoj, çfarë do t’ju bënte Serbia, e të mos flas për Greqinë. A nuk e shihni qytetarë të dashur se jemi mashtruar ne, ose, a nuk jemi të mashtruar?
Maqedonia me këtë mënyrë të veprimit ka dëshmuar se nuk është e interesuar për shtet as primitiv, e lëre më modern, që do të bisedonte, planifikonte për modernizimin e vendit dhe sigurinë dhe rehatinë e qytetarëve të saj. Jeni duke e parë varfërinë që ekziston brenda nesh, shkatërrimin e kulturës në një mënyrë aq mitike, aq primitive saqë kemi frikë të shëtisim nëpër qytet. Ju pushtetarët jeni bërë mu si ai rasti kur Leka i Madh e pyet filozofin se çfarë dëshiron, ai i përgjigjet: vetëm mos ma zër diellin.
Këto fjalë që i shkrova ka disa ditë që më rrotullohen nëpër kokë; sapo dëshiroja të shkruaj, i thosha vetes: ç’të duhet, lëre se nuk ka kuptim. Por, megjithatë vendosa të shkruaj dhe të dëshmojë se po gaboni që dëshironi të na manipuloni; nuk keni të drejtë të na thirrni në gjakderdhje, e të mos flas për nënçmimet dhe fyerjet që nuk na kanë sjellë asgjë të hairit në të kaluarën, e nuk do të na sjellin as tani. Fjala e urtë thotë se: ai që bën padrejtësi, kurdoherë do të ballafaqohet me dënimin më të vështirë, si para popullit, ashtu edhe para historisë e Zotit.
