Zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit 2016 në Maqedoni, kanë dy humbës të mëdhenj, VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit dhe BDI-në e Ali Ahmetit.
Bandat e tyre parapolitike e kriminale pësuan katastrofë. VMRO nga 61 deputetë ra në 51, ndërsa BDI nga 20 në 10. (Meqë rezultatet ende nuk janë zyrtare, është e mundshme që të dyjat ta humbin edhe nga një deputet.)
Nga ana tjetër, fitues të zgjedhjeve janë LSDM e Zoran Zaevit dhe dy koalicionet e reja shqiptare, “Rilindje me Besë” e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe “Aleanca për shqiptarët” e udhëhequr nga Ziadin Sela. Fitorja e tyre nuk është vetëm punë numrash, po është punë e filozofisë së re të përfaqësimit të shqiptarëve.
Ndërsa, numrat më pak ose me më shumë të deputet shqiptarë në Kuvend, nuk tregojnë pozicionin real të shqiptarëve.
Pse? Sepse në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Maqedonisë kishte 27 deputetë shqiptarë, por ndikimi i tyre ishte i barabartë me zero, pasi Gruevski mund ta mbante qeverinë edhe vetëm. BDI me njëzet deputetë ishte vetëm për fasadë aty e edhe në qeveri.
Meqë ishte vetëm fasadë, para hundëve të BDI-së u ngrit projekti antishqiptar Shkupi 2014, ndodhen inskenimet e tmerrshme antishqiptare, Sopoti, Brodeci, Mostra e Kumanova dhe u degrada pozita e shqiptarëve në Maqedoni.
Pjesëmarrrja e BDI-së në krimin e VMRO-s u zbulua keqas edhe nga përgjimet.
Në raportin e tashëm të forcave, nuk mund të formohet qeveri pa votat e shqiptarëve, përveç nëse formohet koalicion i madh, gjë që duket e pamundur. Prandaj, pozita e shqiptarëve sot është më e fortë me 20 deputetë, se në përbërjen e kaluar të Kuvendit, kur kishte 27 deputetë.
çka duhet të bëhet tash me këtë rezultat e me këtë rikonfigurim politik? E para, fuqia e rifituar do të duhej të përdorej me mençuri. Fillimisht, të gjithë duhet të refuzojnë bashkëpunimin me VMRO-në.
Kjo parti ka treguar mjaftueshëm destruksion antishqiptar, sa që nuk ka nevojë të testohet më tej. Ka mbushur burgje me shqiptarë, ka mbushur edhe varre me shqiptarë. E dyta, partitë shqiptare opozitare duhet të formojnë një bllok të përbashkët me 10 deputetë dhe me këtë pozicion të gjejnë edhe disa deputetë të BDI- së që do t’u bashkangjiteshin, për të formuar qeverinë me LSDM-në.
Sa i përket programit, opozita e tashme shqiptare praktikisht e ka të shkruar. Programin ua kanë shkruar problemet e grumbulluara të qytetarëve shqiptarë, të gjithë shoqërisë e të shtetit të Maqedonisë nga qeverisja banditeske e kriminale e Gruevskit dhe kompanjonëve të tij. Vetëm duhet t’ua shtojnë termat që shprehin realisht idealet e ridefinimit të lirisë, barazisë, zhvillimit dhe anëtarësimit të shpejtë të Maqedonisë në strukturat evro-atlantike.
