Fillimi Opinion/AnalizaKur theksi vendoset në dioptrinë ekonomike!

Kur theksi vendoset në dioptrinë ekonomike!

nga Shekulli Agency

Me kapacitet të këtij përfaqësimi (deri te niveli i “Kalit të Shemës”) bile mirë paskemi “progresuar”! Sikur të supozojmë (ah sikur….!!!) se do kemi përfaqësim më dinjitoz, profesional dhe të drejtë në qeverisjet e ardhshme, përsëri do të duhet më shumë se një dekadë të përafrimit të këtij hendeku.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Viteve të fundit gjithnjë e më shumë frekuentojne ide për rishikime dhe ridefinime të statusit politiko-juridik në Maqedoni, bile nga të dyja palët e bashkësive më të mëdha etnike në vend. Megjithatë, unë nuk preferoj prapavajtje prej 5-6 viteve, që kur gjoja “opozita” shqiptare shpalli “idenë” sterile për marrëveshje të re ndëretnike. Përgjimet na treguan për çfarë marrëveshje ka qenë fjala, si ajo e përbetimit për lojalitet argati deri në vdekje! Nuk është ideja e kësaj analize për këto “marrëveshje”. As për ato të Ridefinimit nga Lëvizja Besa. Dilema që shtroj në këtë shtjellim është se a thua vallë është i mundur një koncept qytetar i një shtetit juridikisht njënacional?

Të mos gënjehet askush se me këtë kushtetutë, ku që në preambulë jemi pjesë e tërësisë, që praktikisht është pakicë, të ndërtojmë një koncept qytetar, ku në fokus do jetë individi e jo grupi. Në ideologjinë e filozofisë politike ky është koncepti mekanicist karshi atij organik, ku në qendër të vëmendjes është grupi ose kolektivi. Sigurisht që idetë për koncept qytetar të shtetit janë perspektive dhe në të ardhmen shtetet qytetare do jenë më të qëndrueshme karshi atyre nacionale. Këto trende s’kanë dilemë, bile edhe në Europën më konservatore, sepse shoqëritë bëhen shumë të përziera. Në Francë p.sh. sot më se 10% janë me ngjyrë ose me prejardhje jo “të pastër” franceze, njësoj si pothuaj në gjithë Europën! Sado parti djathtiste dhe konservatore ta fitojnë këtë trend, ato mund pak ta zbusin, por s’e ndalin dot, bile sa më shumë të ngrihen mbi këtë ide, aq më pak do mund të realizojnë atë.

Që të jemi realist edhe në rastin e Maqedonisë, pavarësisht si prononcohen edhe politikanët më kozmopolitë, do jetë vështirë të ndërtojmë një koncept qytetar të shtetit. Marr guximin edhe ta kundërshtoj përkohësisht këtë ide, ashtu si 16 vite më parë kur u “shpalla” euroskeptik vetëm pse parashikova anëtarësim në BE jo më herët se 2020! Më vjen keq që paskam pasur të drejt! Edhe në këtë rast, arsyeja është më shumë pragmatike sesa ideologjike. Thjesht, kemi diferenca të mëdha ndëretnike për të pretenduar tranzicion të drejtpërdrejtë në konceptin qytetar. Neve na duhet edhe një periudhë e tranzicionit politik, juridik, ekonomik, kulturor,…etj. derisa të përafrohemi nga këto distanca. Është vështirë të barazohemi “matematikisht”, por duhet të përafrohemi politikisht.

Historia e Marrëveshjes së Ohrit na mësoi se ky është një proces goxha i vështirë, aq më tepër kur përfaqësoheni nga struktura sterile dhe të korruptuara politike! Me kapacitet të këtij përfaqësimi (deri te niveli i “Kalit të Shemës”) bile mirë paskemi “progresuar”! Sikur të supozojmë (ah sikur….!!!) se do kemi përfaqësim më dinjitoz, profesional dhe të drejtë në qeverisjet e ardhshme, përsëri do duhet më shumë se një dekadë për përafrimin e këtij hendeku. Ja disa aspekte ku duhet rishikuar statusi, duke filluar nga më thelbësorja:

– Aspekti juridiko-kushtetues, që nga preambula përmes bartësve të sovranitetit e deri te format e ndryshme institucionale. Duke lënë emrin anash, më kryesorja është ridefinimi i mbiemrit, të kujt janë institucionet, bile edhe gjuhësisht? A jemi të gatshëm që “Makedonski zheleznici” dhe shumë “makedonski/a” tjera t’i konvertojmë në “Zheleznici na Makedonija”? Më tej, a thua vallë duhet zgjedhja e presidentit të shtetit, me këto ingerenca, të mbetet në modelin e drejtpërdrejtë? A mundet të ekuilibrohen disa pushtete me përcaktime pozitive normative?! Nuk jam jurist të përgjigjem, por një gjë e di – për gjithçka duhet vullnet politik. Kur do mundet, për shembull, shqiptari të jetë Guvernator i Bankës Popullore, Agjencisë së Zbulimit apo Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Drejtorisë Doganore apo i asaj Tatimore, ministër i Brendshëm, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës apo i Arkivit Shtetëror? Lista e këtyre institucioneve “të ndaluara” për shqiptarë është shumë e gjatë dhe nuk është ideja ta zbërthejmë atë, por thjesht të shohim se si, kur dhe kush mund ta ridefinojë këtë koncept, që të jetë edhe funksional dhe jo vetëm në letër për në sirtar.

– Aspekti kulturor, përfshirë edhe gjuhën si platformë fondamentale e identitetit kulturor. Të jem më “vetëkritik”, akoma kemi shumë kolegë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve që gjykojnë se shteti ose institucionet janë maqedonase dhe se nuk mund të detyrohet mësimi i gjuhës shqipe nga joshqiptarët, kurse e kundërta domosdo! Pa dashur të rikujtoj për skandalet dhe gafat gjuhësore dhe kuptimore nëpër tekste mësimore, bile edhe atje ku ne si shqiptarë jemi përgjegjës! Neve na duhet 3-4 vite pazarllëqe (lutje) politike për të ndërruar 2-3 emra shkollash në Shkup, kurse në Tetovë më shumë se gjysmat e emrave të shkollave, rrugëve dhe institucioneve, akoma i kemi me “iq” apo “ski”! Pa thënë gjë për financimin e kulturës, ku as 5% nuk destinohen mjete për shqiptarë dhe këtë shumë herë e kemi dëshmuar me shumë analiza konkrete!

– Aspekti ekonomik, që është një diskriminim sistemor. Edhe pse tregu me fuqinë e vet “mundohet” të përmirësojë gjendjen, ai edhe teorikisht është i “pamundshëm” (market failure). Rajonet shqiptare, si statistikisht ashtu, edhe ekonomikisht, mbeten më të pazhvilluarat në vend, bile me trend përkeqësimi permanent. Sa trupa rregullatore, si ai i energjetikës, elektronikës, letrave me vlerë apo navigacionit për të shtuar edhe ndërmarrje publike kapitale si ELEM, MEPSO, GAMA, …etj., mbeten “të ndaluara” për shqiptarët? Në asnjë bankë komerciale s’ka aksionarë të konsiderueshëm shqiptarë! Të mos i referohem sërish diskriminimit fiskal me dhjetëra herë të elaboruar dhe dëshmuar në të “dy krahët” e buxhetit, si në atë të ardhurave publike, e aq më pak në atë të shpenzimeve publike. Nga top 100 kompanitë më të fuqishme, si për nga numri i të punësuarve, ashtu edhe nga qarkullimi e profitabiliteti, vetëm 5 ishin me pronarë shqiptarë, edhe atë në listë nën rangun 30 e teposhtë! Këto dhe shumë indikatorë tjerë janë pasqyra e “barazisë” sonë ekonomike në vend, që po ashtu shumë herë e kemi dëshmuar me shtjellime të ndryshme në po në këtë revistë.

Pa trajtuar strukturën e përfaqësimit të (pa)drejtë dhe (jo)adekuat të shqiptarëve në administratën e stërngarkuar publike dhe shtetërore, që tmerrësisht është edhe më e keqe në aspektin cilësor për nga nivelet e udhëheqjes. Enti Shtetëror i Statistikës ndoshta ka arritur në rreth 15% të punësuar shqiptarë, por asnjë në nivel të drejtuesit të sektorit, bile edhe postin e zëvendësdrejtorit që para 15 vitesh e kemi pasur ka kohë që nuk e kemi! Të mos elaborojmë sektorin e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes sociale, bujqësisë…, ku çdo vit mbarojnë qindra miliona Euro shpërndarje dhe subvencione.

Këto dhe shumë aspekte tjera e bëjnë hendekun midis bashkësive etnike aq të gjerë, saqë kalimi i rishikimit të statusit në konceptin qytetar bëhet i papranueshëm, së paku deri sa të përafrohemi dhe ta zbusim këtë trend. Prandaj, agjenda politike e cilësdo strukturë në të ardhmen akoma duhet të jetë me prioritet për avancim etnik para se të debatohet për koncept qytetar. Në parim kjo duhet të jetë nisma e një platforme “tranzitore” për të cilën do të kishte mirëkuptim edhe faktori ndërkombëtar nëse njëherë e përgjithmonë do duhej ta arrijmë “pajtimin” e qëndrueshëm ndëretnik.

Një koncept qytetar, sado idilik të duket me gjithë këto diskrepanca të mëdha, nuk do prodhojë efekte të qëndrueshme. Shumë vështirë do ta kishte cilado elitë politike shqiptare që do të instalohej në qeverisje të përbashkët me koncept qytetar pa një “tranzicion” të zbutjes së diferencave ndëretnike. Përsëri do të kishte shumë punë për opozitën e ardhshme, ciladoqoftë ajo, ndërsa ne, “analistët e kritikët”, do të kishim goxha material për të vazhduar me konstatime të ngjashme. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, tani kur fliten dhe përfliten aq shumë ridefinimet. Premtimet e mëdha ndërtojnë edhe pritshmëri të larta dhe pikërisht nga këto dalin edhe zhgënjime përpjesëtimore.

Megjithatë të mos tingëllojmë pesimist, të gjitha këto janë të mundshme me një agjendë të vullnetshme politike sado politikisht jooportune të duket. Pra, nuk është problemi vetëm te emri por edhe te “mbiemri”! I kujt është shteti?

Nëse dikush dëshiron ta vazhdojë ëndrrën e “shoqërisë ortake” për pronësi mbi shtetin, perspektiva është shumë e zbehtë. Edhe pse në kushtetutën aktuale sovraniteti vihet mbi qytetarin, sërish pushtetarët me kombinim marksist-leninist dhe me segmente fashiste, gjithnjë e kanë gojën plot me fjalën “popull” Ne nuk kemi faj për dështimet e tyre strukturale dhe s’ka pse frustrohen me ne. Edhe në teorinë e neoropsikiatrisë vërtetohet kauzaliteti i frustracionit dhe agresivitetit! Sado që mundohen ta kuptojnë këtë lidhje kauzale, nuk mund t’i arsyetoj ata me këto sjellje. Sikur ne që i kemi votuar me se një dekadë ju kemi faj që po u skadon afati politik – të dy strukturave bashkë (pozitë dhe (o)pozitë)! Le ta dinë edhe tjerët që e ëndërrojnë po këtë rol!

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies