Fillimi Opinion/AnalizaKazani ballkanik zien nga krimet e vjetra dhe nga marrëzitë e reja

Kazani ballkanik zien nga krimet e vjetra dhe nga marrëzitë e reja

nga Shekulli Agency

Demontimi i trashëgimisë bizantine në shtetet dhe në shoqëritë ballkanike, me integrimin e tyre të përshpejtuar në NATO dhe në BE, është zgjidhja e vetme shpëtimtare. Ndryshe, këto shtete do të mbeten të paafta për demokraci e liri, të paafta për fqinjësi të mirë, të paafta që të zhvillohen në drejtimin e duhur. Jo njëra ose disa, por që të gjitha.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Ballkani po zien si kazan (edhe plehrash) edhe gjatë këtij fillimviti. Gjasat janë që këto tendenca kutërbuese do të vazhdojnë jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe në vitet që vijnë. Prospekti momental është ky: Serbia përgatiti një test-agresion bizar në drejtim të Kosovës, me një tren që i ngjante një kishe ortodokse serbe mbi shina hekurudhe, duke lëvizur si e përhantë në drejtim të “Jerusalemit serb”. Në fakt, skenari ishte një hyrje bizare në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverë dhe ku sërish do të shpërthejnë shkulme të fashizmit serb nga tandemi moçëm, Shesheli e Vuçiqi.

Mali i Zi arriti ta parandalojë një grusht-shtet dhe vrasjen e ish kryeministrit Gjukanoviq në ditën e zgjedhjeve parlamentare, por kërcënimet ruse ndaj këtij shteti të vogël po vazhdojnë. Ariu rus nuk po heq dorë nga viktimat e veta, qëkur i piketon, i llogaritësi caqe legjitime të doktrinës së vet pansllaviste e imperialiste. Vetëm nëse e fiton anëtarësinë e plotë në NATO, Mali i Zi mund të llogaritë se i ka shpëtuar përfundimisht përqafimit të ariut rus. Ndërsa, Bosnja e Hercegovina do të mbetet e kërcënuar dhe e shantazhuar nga tendencat separatiste të Republika Sërpskës, e cila po luan lojën e vet herë si apendiks serb e herë si dominion i ri rus. Strategët rusë e kalkulojnë entitetin serb të Bosnjës si kartë nën mëngë për ta luftuar gjoja “transverzalen e gjelbërt”, por në të vërtetë përmes kësaj karte duan ta rrisin influencën e tyre në zemër të Ballkanit.

Sa i përket Maqedonisë, edhe ajo vitin 2017 e ka filluar ters. Dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ende nuk po shihet askund të horizont gjasa që të formohet një qeveri stabile, e cila do ta nxirrte nga kriza këtë shtet të brishtë ballkanik. Përderisa Maqedonia rrezikon të zhytet në krizë edhe më të thellë, nëse nuk e zgjedh shpejt një qeveri evropeiste dhe me mbështetjen substanciale të shqiptarëve, fqinji jugor i saj, Greqia, është duke i lëpirë plagët e veta si ujku i plagosur. Greqia është e gjunjëzuar, por edhe ashtu është e mbushur me mllef ndaj fqinjëve, Shqipërisë, Turqisë e Maqedonisë. E pllakosur nga kriza ekonomike dhe e vërshuar nga refugjatët, Greqia e ka humbur edhe atë pak shkëlqim evropian, që ka pasur dhe është rikthyer në zonën e errët të sinisë ballkanike. Po pse gjithë këto kriza, gjithë këto mllefe, gjithë këto mëri?!

Hakmarrja e historisë

Kjo gjendje turbulente e krizave e ka një histori të veten, që si duket po merr hak. Historia e turpit të shteteve të hershme të Ballkanit fillon me krijimin e tyre si shtete autonome ose të pavarura, sepse janë krijuar në mënyrë të panatyrshme dhe thjesht gjenocidale. Krimet monstruoze të gjenocidit, në emër të krijimit të Greqisë, të Serbisë e të Bullgarisë, janë në vetë themelet e këtyre tre shteteve ballkanike. Për gjenocidin e kryer nga grekët, nga bullgarët dhe nga serbët, ndaj muslimanëve në hapësirat ballkanike, kanë shkruar autorë me famë si Mark Mazoveri (Selaniku – qyteti i fantazmave) dhe Justin Mc Carthy (Vdekje dhe dëbim –spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821- 1922.) Ata që nuk i kanë lexuar këta autorë, nuk e kanë as idenë e përmasave të krimeve të gjenocidit që janë bërë në emër të krijimit të këtyre tre shteteve ballkanike dhe shfytyrimit demografik të hartave të Ballkanit. Gjenocidi i ballkanasve ndaj muslimanëve në përgjithësi e ndaj shqiptarëve në veçanti, filloi që me Kongresin e Berlinit (1878.) Por, gjëma e madhe do të vinte në luftërat ballkanike. Shtetet ballkanike të asaj kohe, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, nën pretekstin se po e e luftonin Perandorinë Osmane, u vërsulën kundër territoreve shqiptare dhe bënë një gjenocid të tmerrshëm kundër këtij kombi të vetmuar. Popullsia shqiptare u masakrua barbarisht. “Vetëm në krahinat e Lumës e Dibrës, më shumë se 2.000 muslimanë u masakruan nga trupat serbe. Vëzhguesit perëndimorë vlerësonin se përafërsisht 5.000 muslimanë shqiptarë u vranë “mes Kumanovës dhe Shkupit” dhe 5.000 në zonën e Prishtinës”. (McCarthy:173) Krime të gjenocidit pati në të gjitha viset shqiptare, ku shkeli këmba e kryqtarëve sllavë e grekë të Luftës së Parë Ballkanike. Ata që shpëtuan nga vdekja, u dëbuan nga vatrat e tyre shekullore. Kështu hartat e Ballkanit u riorganizuan, në aspektin demografik e shtetëror, me ç’rast serbët, malazezët grekët e bullgarët morën territoret shqiptare, të cilat atyre nuk u përkisnin. Ashtu Ballkanin e bënë tërkuzë, duke shkatërruar lidhjet normale shumëshekullore ndërmjet qyteteve e krahinave, ndërmjet lumenjve e deteve. Ballkani kurrë nuk është rehabilituar nga ky shkatërrim demografik dhe gjeografik. Kryqtarët ballkanas nuk u ngopën vetëm me gjakun e shqiptarëve dhe me copëtimin e territoreve të tyre. Nën transin e triumfit të tyre barbar, shtetet ballkanike shkuan edhe më tej: në Luftën e Dytë Ballkanike u vërsulën edhe kundër njëri-tjetrit, në një përpjekje irracionale që të krijonin ”Serbinë e Madhe”, “Bullgarinë e Madhe” dhe “Greqinë e Madhe”. Pra, kur nuk u ngopën me gjakun e shqiptarëve dhe të muslimanëve të tjerë, filluan t’ia hanin kokën edhe njëri-tjetrit, aq sa u dërrmuan. Prandaj, fillimi i Luftës së Parë Botërore i gjeti të dërrmuar dhe të poshtëruar në sytë e botës, për shkak të barbarive që ekspozuan para syve të saj në fillimin e shekullit XX. Si rrjedhojë, në fund të Luftës së Parë Botërore, shtetet ballkanike ishin të margjinalizuara, objekt pazaresh të Fuqive të Mëdha fitimtare në Konferencën e Versajës.

Kombinimet imperialiste, me formimin e një shteti më të madh të sllavëve të jugut, ku u shkri edhe shteti problematik malazez, me një Bullgari të cunguar, me një Shqipëri uloke e me një Greqi të shpërbërë edhe nga lufta civile, nuk kishin si të krijonin raporte miqësie e stabilitet ndërmjet shteteve ballkanike. Prandaj, me të filluar Lufta e Dytë Botërore, shtetet ballkanike sërish u përfshinë si objekte në skemat e konfliktit botëror, të paafta që të ndiqnin interesat e veta. Meqë u shndërruan edhe në arena të luftërave civile, shumica e tyre përfunduan në përqafimin e ariut rus, përkatësisht të barbarisë staliniste. Ky sundim barbar zgjati gati gjysmë shekulli (1944-1990), duke çmoralizuar shoqëritë ballkanike deri në palcë. Për shkak të fashizmit serbomadh, që synoi të restauronte “Serbinë e Madhe”, në vitet e nëntëdhjeta filluan edhe luftërat e përgjakshme, nga të cilat dolën edhe disa shtete të reja në hartën e Ballkanit (Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova.) Por, as me shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe as me shkërmoqjen e komunizmit, Ballkani nuk e ka gjetur paqen e stabilitetin, ngase në themelet e disa prej këtyre shteteve, veçmas Serbisë e Greqisë, janë  përfitimet territoriale me anën e gjenocidit të pandëshkuar. Prandaj, këto shtete ende e luajnë lojën që u ka dhënë rezultate, pra kërcënojnë e shantazhojnë shtetet e tjera, duke prodhuar jostabilitet e armiqësi. Fjala vjen, Greqia mban ligjin e luftës me Shqipërinë, nuk e pranon Maqedoninë e as Kosovën, ndërsa Serbia e kërcënon vazhdimisht Kosovën, ndërhyn në Bosnjë e në Malin e Zi dhe mban tensione me Kroacinë.

Në një ambient të tillë, të prodhimit serik të armiqësive, nuk ka mundësi të zhvillohet demokracia e të kultivohet liria në shoqëritë ballkanike. Ndërkaq, shtetet e vogla, që ndjehen të kërcënuara, bien në përqafimin e “partnerëve”, pra shteteve të fuqishme, që të gjejnë disi derman nga kërcënimet e fqinjëve agresivë. Kësisoj, të gjitha shtetet ballkanike së bashku janë shtete të paafta për jetë normale, në demokraci, liri dhe paqe. Andaj Ballkani vazhdon të jetë si një kazan (edhe plehrash) që zien dhe kutërbon vazhdimisht. Krimi në themelimin e disa prej shteteve ballkanike dhe pasojat e tij e kanë prodhuar edhe termin “ballkanizim”, si term që nënkupton egërsinë, barbarinë. Kështu është edhe sot, jo vetëm perceptimi, por edhe realiteti ballkanik. Po të mos ishte kujdestaria ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e NATO-s, krizat, që ziejnë, do të shpërthenin. Ose një nga një, ose në seri.

A ka zgjidhje për këtë kazan-Ballkan?

Vështirësi serioze për të dalë shtetet dhe shoqëritë ballkanike nga kriza identitare dhe nga krizat e tjera shumëplanëshe, krahas ndërtimit të disave prej tyre mbi krimin e gjenocidit e të disa të tjerave si viktima të gjenocidit, paraqet edhe trashëgimia e errët bizantine e këtyre shoqërive dhe të këtyre shteteve. Pra, ata që thonë se krizat e shteteve ballkanike janë si pasojë e sundimit osman e kanë gabim (përveç për aq sa trashëgimia osmane ka brenda vetes edhe elemente bizantine!), sepse trashëgimia osmane në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë nënkupton rregull e hierarki të fortë, ndërsa trashëgimia bizantine në këtë pikë është e kundërta e saj, është një oscilim ndërmjet tiranisë e anarkisë, me vetëshkatërrimin si produktin kryesor. Shumica e shteteve dhe shoqërive ballkanike e kanë brenda vetes këtë tharm vetëshkatërrimi, që fuqizohet në periudha krizash, kur merr hov tërbimi anarkist kundër shtetit, kundër institucioneve e sundimtarëve (pushtetarëve). Ky lloj tërbimi anarkist është më autentik në Greqi e në Shqipëri, por ndikimin e vet e ka të fortë edhe në Serbi (e ka pasur në Rumani) e ka elemente të tij edhe në Kosovë. Prandaj, pa transformimin e kësaj trashëgimie bizantine, në një vlerë tjetër, evropiane, zor se mund të dalin këto shtete e këto shoqëri nga shtjella e krizës identitare dhe e krizave shumëplanëshe, ekonomike, politike, kulturore, fetare etj. Faktikisht, mundësia e vetme e transformimit të Ballkanit është integrimi i përshpejtuar i tij në strukturat e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Vetëm nën këtë ombrellë mund të neutralizohet kujtesa e hidhur dhe  hakmarrja e historisë së padenjë të shteteve imperiale ballkanike dhe të çmontohet trashëgimia e errët bizantine.

Rasti i Bullgarisë dhe i Rumanisë,që u pranuan në NATO e në Bashkimin Evropian, pa përmbushur standardet, është dëshmi e kësaj teze. Edhe menaxhimi i krizës financiare e ekonomike të Greqisë, nuk mund të përfytyrohet jashtë Bashkimit Evropian. Mësimet nga e kaluara dëshmojnë se në rast sedo të ishte jashtë BE-së, Greqia me atë krizë financiare dhe ekonomike, do të përfundonte në luftë civile dhe në një vetëdekompozim, si në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur u nda si një mollë në dy pjesë. Pra, demontimi i trashëgimisë bizantine në shtetet dhe në shoqëritë ballkanike, me integrimin e tyre të përshpejtuar në NATO dhe në BE, është zgjidhja e vetme shpëtimtare. Ndryshe, këto shtete do të mbeten të paafta për demokraci e liri, të paafta për fqinjësi të mirë, të paafta që të zhvillohen në drejtimin e duhur. Jo njëra ose disa, por që të gjitha. Që nga fillimi janë formuar për të mos qenë shtete normale, qoftë dhe vetëm për faktin që janë ngritur në territore të zaptuara. Krimet e vjetra të shteteve, si Serbia e Greqia, po vazhdojnë të prodhojnë marrëzi të reja, siç janë ndërhyrjet në Kosovë e BeH nga Serbia dhe provokimet ndaj Shqipërisë e Maqedonisë nga Greqia. Prandaj, duket sikur ka një mallkim në themelet e shteteve ballkanike, që janë ngritur me gjenocid. Ndërsa të tjerat janë si të mallkuara, vetëm për faktin që kanë fqinjë gjenocidalë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies