Fjala intelektual u shfaq për herë të parë në shekullin XVIII me Volterin e të tjerë, por kjo nuk do të thotë se para këtij shekulli nuk kishim intelektualë. S’do mend se intelektualë kishim edhe atëherë kur nuk ekzistonte fare kjo fjalë, siç, fjala vjen, ishte Sokrati, por i mungonte një emërtim i tillë, përndryshe ndryshimet në botë nuk do të mund të vinin prej qëndrimeve servile, sterile dhe sahanlëpirëse.
Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë
Mësojmë se fjala intelektual rrjedh nga gjuha latine, nga fjala intelectus, që do të thotë kuptim, ide, koncept. Për intelektualin thuhet se është një njeri që ka përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, teknikës, të kulturës, por që ka edhe një formim të gjerë arsimor. Mes tjerash ai merret me punë mendore dhe ka aftësi të theksuar të të gjykuarit të arsyeshëm. Të jesh intelektual është krenari dhe njëherësh përgjegjësi, ngaqë të duhet të vësh shenja në rrugë edhe atëherë kur rrugaçëria politike dëshiron rrugë pa asnjë shenjë dhe pa asnjë kamerë. Nëse arrin ta sfidosh këtë rrugaçëri, ke të drejtë të ndjehesh krenar, por duke mos harruar se misioni i intelektualit nuk mbaron për aq kohë sa jep shpirt frymëmarrja e fundit e njeriut. Fjala e gatuar dhe e pjekur mirë në furrën e mendimit është vepra e intelektualit. Hoferi thotë se e dimë që fjalët nuk mund t’i lëvizin malet, por ato mund t’i lëvizin masat dhe njerëzit janë më shumë të gatshëm të luftojnë dhe të vdesin për një fjalë sesa për çfarëdo tjetër. Fjalët i japin formë mendimit, i trazojnë ndjenjat dhe lindin aksionin. Ato vrasin dhe ringjallin, prishin dhe shërojnë. Njerëzit e fjalës: teologët, profetët, intelektualët, kanë luajtur një rol më vendimtar në histori sesa liderët ushtarakë, burrështetasit dhe biznesmenët.
Fjala intelektual u shfaq për herë të parë në shekullin XVIII me Volterin e të tjerë, por kjo nuk do të thotë se para këtij shekulli nuk kishim intelektualë. S’do mend se intelektualë kishim edhe atëherë kur nuk ekzistonte fare kjo fjalë, siç, fjala vjen, ishte Sokrati, por i mungonte një emërtim i tillë, përndryshe ndryshimet në botë nuk do të mund të vinin prej qëndrimeve servile, sterile dhe sahanlëpirëse.
Sa ndërlidhet kuptimi i fjalës intelektual me intelektualët tanë të sotëm është pyetje që fillimisht kërkon kundrim të thellë: të shohësh se kujt i thonë intelektual, kush u thotë dhe menjëherë pastaj të hulumtosh rreth veprave të tij dhe qëndrimeve nëpër kohë, sidomos në kohë të vështira; t’i vrojtosh universitetet, jo vetëm për metodologjinë dhe praktikat e zhvilluara nëpër fakultete me studentët, por edhe qëndrimet e tyre ndaj ecejakeve të ndryshme shoqërore dhe shtetërore; t’i analizosh akademitë për sa i përket prurjeve të reja në shkencë dhe në art, si dhe qëndrimet e tyre për sa u përket politikave të përgjithshme.
Çfarë të shohësh si përfundim? Mbizotërim të heshtjes. Heshtje dhe strukje për t’u dukur ndonjëherë me ndonjë përsiatje që më tepër sjell mjegull sesa sqaron diçka, siç qe rasti me letrën e Krajës drejtuar “myslimanëve të fecabook-ut”, pikërisht në kohën kur Kosova ka nevojë për përsiatje të nivelit të lartë për sa u përket problemeve të korrupsionit, politizimit të arsimit, copëtimit të tokave, përçarjeve të kokave e të ngjashme. Pikërisht heshtja ndaj problemeve reale dhe konkrete është kanceri i atyre që vetes i thonë intelektualë, që për fat të keq me shumicë gjenden në shoqëri. Harruan se të jesh intelektual dhe ta shkëmbesh diturinë me një nënshtrim të ulët të kësaj bote, është njësoj si të hidhesh në llavën përvëluese të vullkanit nga dashuria që ke ndaj të ngrohtit!
Shumë gjëra shoqëria jonë shqiptare i ka të qarta, por fatkeqësisht nuk është e vetëdijshme për atë që ka njohuri dhe për praninë e antologjisë së epërsive. Ngjashëm si bujku i cili mbjell grurë në arën që është e shquar për kultivimin e kulturës së vreshtarisë. Pa dyshim, këtij zgjimi duhet t’i prijë shtresa ose, si po i thonë tani, elita intelektuale, që në vendet tona shihet se nuk shihet asgjëkund ose shihet diku-diku në cilësinë e një xixe që është shtrirë në një vend sterrë të thellë.
Për ta sqaruar këtë panoramë dhe për të ardhur deri te zbërthimi i kësaj amullie, kësaj radhe duhet t’i theksojmë disa veti të intelektualit servil dhe steril, duke ardhur kështu, lexuesi vetë, deri te një përgjigje e duhur rreth kësaj shkërmoqjeje vlerash që ka hijezuar ashpër shoqërinë tonë. Dikush mund të thotë: intelektuali nuk mund të jetë intelektual derisa është servil dhe steril, ndërsa unë do të them: intelektual është ai që merret me punë intelektuale, pavarësisht se është apo nuk është meritor, ndaj në këtë rast vlerësoj të nevojshme t’ia shtoj edhe fjalën “sahanlëpirës”.
Disa veti të intelektualit servil, steril dhe sahanlëpirës, rob të namit dhe të parasë janë:
- Ka të mbushur celularin me numra të politikanëve dhe funksionarëve të ndryshëm. Jo pse kjo është ndonjë gjë e keqe, porse përmes kësaj krekosje mëtohet t’u thuhet të tjerëve se “ja kush jam, njihem me më të fortit”; veprat e tij të vetme janë njohjet me “më të fortit”;
- Qëndron deri në orët e vona të natës duke përgojuar njerëzit dhe, pasi të kthehet në shtëpi, përpara anëtarëve të familjes hiqet se vjen prej një beteje të rëndë intelektuale;
- Zgjohet vonë prej gjumit dhe hapi i parë që e hedh është nisja drejt ndonjë kafeneje dhe qëndrimi dy orë e më tepër aty, ku pamja e tij shëmtohet me shoqërimin e një luge të plastikës, që herë pas herësh e rrotullon në gojë;
- Libra jo që nuk dëshiron të lexojë, por nuk ka kohë, ngaqë është i zënë me bjerrjeje të kohës;
- Gazetën e shikon vetëm në ballinë dhe fillon të flet keq për gazetarët dhe publicistët e drejtë dhe të sinqertë e, në rast se ndonjëherë shkruan, u tregon të gjithëve që ka shkruar;
- Pak atë dituri që ka, sigurisht të mbledhur në kohën e studimeve, lehtësisht e përdor për pazarllëqe të politikës ditore;
- Me emfazë mbron vetëm politikanët që janë në pushtet, mbase çdo të keqe nga ana e tyre e arsyeton se të huajt (ndërkombëtarët) qëndrojnë mbrapa;
- Sa për t’u dukur se është gjallë, fillon e merret me të kaluarën e largët, duke mëtuar në zhvendosjen e vëmendjes ndaj telasheve të sotme;
- Flet me zë të ulët për akëcilën femër, shpeshherë edhe duke shpifur rreth tyre;
- Ankohet për të ardhurat mujore, edhe pse të ardhurat financiare të tij mund ta tejkalojnë pesëfishin e rrogës mesatare në vend;
- Shokun, që dikur e lavdëronte, tani e përqesh me emërtime nga më të rëndat;
- Në rast të ndonjë mbledhjeje me kryetarin e partisë, ende pa e kryer ai fjalinë, vetëm me lëvizje të kokës vertikalisht e pohon atë që flet i pari i partisë;
- Për një përkrahje financiare të librit, ku më së paku kontrollohet përmbajtja e librit, detyrohet të heshtë, ngaqë funksionarët e lartë të Ministrisë së Kulturës i përkasin partisë në pushtet;
- Nuk ka dëshirë të flasë për tituj librash dhe botime të reja, aq më pak që dikush të rrëfejë përmbajtjen e librit, të cilin posa e ka mbaruar së lexuari;
- Fjalët që nuk ka guxim t’i thotë në ndonjë debat ose konferencë, me guxim të pashoq, i thotë pas darke nëpër ndeja në prani të atyre që, përpos respektimit të autoritetit si intelektual, nuk e vrasin mendjen për fjalët që i thotë.
- Humb porsi urina e pulës në kohën kur dhelprat u sulen pasurive të popullit të tij.