HIPNOZA

nga Shekulli Agency

eroll-veliuShkruan: Prof. Eroll Velija

Fjala hipnozë (hypnos) rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë gjumë. Shoqata e mjekëve Britanikë hipnozën e përkufizon si “gjendje kaluese e kujdesit të zvogëluar të pacientit, gjendje në të cilën mund të shfaqen paraqitje të ndryshme personale ose të provokuara nga rrethi i jashtëm”. Prof. Çarls Mater, i Universitetit të Majamit, thotë:”Hipnoza është gjendje e ndryshueshme e vetëdijes, të cilën e karakterizon rritja e përqëndrimit, rritja e relaksimit dhe rritja e sugjestivitetit”.

Në gjumë normal pacienti nuk i merr përshtypjet e jashtme, ndërsa në gjumë hipnotik dëgjohen edhe përshpërimat më të vogla. Në gjumë normal aktivitetet mentale janë të spostuara, ndërsa në gjumë hipnotik janë të gjallëruara.

Hipnoza ka ndikim të thellë në tërë organizmin. Në gjendje hipnotike pulsi mund të shpejtohet apo të ngadalsohet. Gjithashtu edhe frymëmarrja dhe sistemi neurovegjetativ pësojnë ndryshime. Këto ndryshime manifestohen me: djersitje, urinim, kollë, hiperstezi, hipertension, kriptomenzi, amnezi etj. Për këtë qëllim hipnoza përdoret me sukses në shërimin e shumë sëmundjeve psikike dhe psikosomatike, siç janë: ulcera në lukth dhe në zorrën dymbëdhjetëgishtore, urinimi i pakontrolluar etj.

Në obstretikë hipnoza ndihmon që fëmija të lindet pa dhembje; në stomatologji dhe në kirurgji për ta mundur frikën me rastin e operimit. Hipnoza gjithashtu zbatohet me shumë sukses në shërimin e alkoolizmit, në lënien e duhanit, kundër narkomanisë etj.

Gjithashtu është mjaft i rëndësishëm fakti që njeriu i hipnotizuar është plotësisht nën kontrollin e hipnotizuesit. Meqenëse sugjestioni në gjendje hipnotike është mjaft i rritur, kurse ndikimi i logjikës tepër e vogël (në minimum), personit të hipnotizuar jo vetëm se mund t’i sugjestionohet nënshtrimi para vullnetit të dikujt, mashtrimi i shqisave, por mund të krijohen edhe probleme mjaftë të ndërlikuara. Kjo ndodh jo vetëm në gjendje hipnotike, por edhe pas zgjimit. Ky quhet sugjestionim pas-hipnotik apo pas-hipnozazë, dhe mund të zgjasë me vite të tëra. Kjo e bën të mundur që hipnoza të abuzohet për qëllime të ndryshme të liga si vjedhje, mashtrime, dhunime e deri në vrasje. Gjithashtu mund të keqpërdoret në luftëra të ndryshme, për propagandë dhe për qëllime politike.

Sot ekzistojnë mënyra të ndryshme për të hipnozuar, duke filluar nga ato klasiket e deri te supstancat kimike.

Njihen tri shkallë të hipnozës:

1. Hipnoza e lehtë, që nënkupton relaksimin derisa vetëdija është ende e zgjuar, por mediumi i pranon sugjestionet e hipnotizuesit.

2. Hipnoza e mesme, fazë që vjen pas hipnozës së lehtë. Në këtë fazë relaksimi është më i thellë, vetëdija është ende aktive, ndërsa mediumi merr dhe i kryen të gjitha sugjestionet, por nuk bie në kundërshtim të përgjithshëm me strukturën e personalitetit të tij.

3. Hipnoza e thellë. Në këtë shkallë relaksimi është absolut, vetëdija nuk është aktive dhe mediumi i kryen edhe sugjestionet e palogjikshme, duke iu nënshtruar plotësisht vullnetit të hipnotizuesit. Në këtë gjendje të thellë hipnotike mund të arrihet edhe shtangia e plotë e trupit (katalepsia), zhdukja e plotë e dhembjes (anestezia), humbja e plotë e ndjeshmërisë (analgezia), etj.

Në këtë gjendje mediumit i ndodhin edhe mashtrime pozitive ose negative, si dhe është i mundshëm regresioni.

 

KEQPËRDORIMI I HIPNOZËS

Për shkak të mundësive dhe forcës së madhe të veprimit të hipnozës, po qe se ajo keqpërdoret, mund të bëhet armë e fuqishme me pasoja të shumëfishta.

Pas përdorimit të suksesshëm të narkoanalizës për hipnotizim në mjekësinë legale, u shtua interesimi për hipnozën në rrethet policore dhe filloi zbatimi i saj si mjet shumë efikas për zbulimin  e së vërtetës. Kjo mënyrë u quajt “serumi i së vërtetës”. Duke hipnotizuar personat për të cilët dyshohej se kishin kryer akte kriminale ose amorale (me anë të substancave kimike dhe pa dëshirën e tyre), inspektorët merrnin informacione të sakta për krimet e kryera pa e përdorur aspak dhunën ndaj autorëve të akteve kriminale.

Shpërlarja e trurit është metoda më bindëse e keqpërdorimit të hipnozës. Kjo metodë, përveç ndryshimit të qëndrimeve, mendimeve, bindjeve të personit, mundëson edhe kthimin e armikut në një bashkëpunëtor aktiv. Dr. M.T. Ormantar, anëtar i Institutit të Filadelfisë, u mor shumë me futjen dhe zbatimin e hipnozës për qëllime të armatës. Ai hipnotizonte ushtarët dhe, duke i vënë në gjendje të thellë hipnotike, të përcjellë me amnezi totale, u jepte detyra të rëndësishme për të kryer.

Supozohet se të gjithë funksionarët e lartë ushtarakë të SHBA-së dhe të paktit NATO, të cilët dinë shumë për materialet tepër të rëndësishme politike dhe ushtarake, kalojnë nëpër procesin e indoktrinimit për neutralizimin e efektit.

Timon Lir, i cili ishte një kohë të gjatë bashkëpunëtor i CIA-së, thotë se CIA, vetëm në Amerikë, mban nën kontroll rreth 30. 000 veta me anë të drogave.

Metoda të këtilla, të jashtëligjshme dhe antinjerëzore, u përdorën shumë sidomos në shtetet ish – socialiste. UDB-ja përdorte mënyra të tilla ndaj të burgosurve të pathyeshëm shqiptarë, duke i bërë të paaftë për jetë normale.

Stefan Cfajg, në librin e tij “Shëruesi mental”, përmend rastin e Leidelbergut. Ai tregon se një grua 34 vjeçe u shërua disa vjet me anë të hipnozës dhe pastaj atë e abuzuan seksualisht, duke ua shitur të tjerëve.

Me gjithë faktin se është e ndaluar nga shumë asosiacione, keqpërdorimi i hipnozës ka shtrirje të madhe dhe me pasoja tepër të rënda për njerëzimin.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies