Fillimi Opinion/AnalizaEvropa, turkofobia dhe një e ardhme e rrezikshme

Evropa, turkofobia dhe një e ardhme e rrezikshme

nga Shekulli Agency

Vendimi i PE-së më 24 nëntor, për të pezulluar negociatat me Turqinë për anëtarësim, duhet të shihet në një kuadër më të gjerë të frikës të gabuara, të paragjykimeve të vjetra dhe të populizmit politik kundër Turqisë dhe turqve…

111-8777Parlamenti Evropian (PE) mori një vendim skandaloz kundër Turqisë në një kohë kur Evropa po dështon për të adresuar çështjet reale të rritjes së racizmit, ksenofobisë, grupeve antiemigracionit, radikalizmit, tjetërsimit dhe islamofobisë. Me problemet e saj të brendshme, mikronacionalizmat dhe procesin e Brexit-it, Evropa është duke ngushtuar vizionin e saj strategjik dhe duke humbur lidhjen. Vendimi i PE-së më 24 nëntor, për të pezulluar negociatat me Turqinë për anëtarësim, duhet të shihet në një kuadër më të gjerë të frikës të gabuara, të paragjykimeve të vjetra dhe të populizmit politik. Edhe pse ligjërisht jodetyrues, vendimi reflekton klimën politike toksike dhe vizionin e ngushtë strategjik në PE. Kjo situatë ushqehet nga rritja e populizmit politik antiturk në Evropë dhe zbulon paragjykimet e vjetra të Kontinentit të Vjetër ndaj Turqisë dhe turqve. Por kjo është pjesë e një model të ri, që thotë më shumë për eklipsin e horizontit politik evropian sesa për vetë Turqinë.

Tashmë në Evropë s’ka ditë që dikush të mos provojë shansin e tij në biznesin fitimprurës për të sulmuar Turqinë dhe Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe për të shënuar pikë kundër tyre. Politikanët, gazetarët, komedianët, artistët dhe të tjerët duken kaq fiksuar me Erdoganin, saqë emri “Erdogan” nuk i referohet më personit që mban postin e presidentit të Republikës së Turqisë, por është kthyer në një farë nocioni të mjegullt, i cili mund të përdoret sa herë që këta njerëz kanë nevojë për një “tjetër” që ta kundërshtojnë, sulmojnë, të shpifin për të apo dhe të ndjehen mirë në lidhje me veten e tyre.

Ne e kemi parë këtë turmë, e cila e ka thyer Erdoganin në obsesion, bashkë me fyerjet dhe kritikat e saj për të poshtëruar, duke bërë tellallin e frikës dhe duke shpresuar se provokimet e saj të qëllimshme do të çojnë në një reagim – një lloj reagimi të cilin ata do ta përdornin përsëri për të demonizuar Erdoganin dhe “mbështetësit e tij”, një tjetër term i mjegullt ky që është po kaq i dobishëm dhe multifunksional, saqë mund të përdoret në çdo kohë dhe kudo, kur është e nevojshme. Siç vë në dukje edhe Elif Zehra Kandemir, një grua myslimane turko-gjermane, “Erdogani është shndërruar në një lloj fyerjeje, një projeksion i paragjykimeve të vjetra dhe një armik pavdekshëm, ai është gjithçka, për të cilën nuk ka vend në Evropë”.

Një shembull alarmant për këtë model të ri është numri special i shtatorit i “Der Spiegel”, revistë gjermane që e ka bërë zakon të sulmojë Erdoganin në mënyrë sistematike. Kopertina e revistës ka një fotografi dominuese të Erdoganit, i paraqitur si “mafioz” me syze dielli duke parë sipër Xhamisë Blu, dy minare të së cilës janë shndërruar në raketa. Një pasqyrim i minareve të kthyera në raketa bie mbi xhamin e syzeve të diellit prej mafiozi të Erdoganit, duke nënkuptuar zjarrin, djegien dhe mizorinë. Ndërsa titulli i kopertinës së revistës shpjegon se çfarë i gjithë ky imazh kërkon të përcjellë: Turqia po humbet lirinë e saj.

Shumë domethënës është ajo që revista “Der Spiegel” e ka publikuar këtë kopertinë vetëm dy muaj pas tentativës së dështuar të gulenistëve për grusht shteti. Ndoshta kjo revistë gjermane nuk është e kënaqur me dështimin e grushtit të shtetit. Ndoshta ajo do ta kishte mbështetur nëse grushti i shtetit do të kishte qenë i suksesshëm. Me shumë mundësi do të kishte vendosur në kopertinë një fotografi duke qeshur (apo vallë duke qarë?) të Fethullah Gulenit, si lider i grushtit të shtetit që i riktheu Turqisë lirinë e saj! “Der Spiegel” do ta përgëzonte e pagëzonte grushtin e shtetit si një gjë të mirë për demokracinë dhe do të përdorte gazetarinë e saj gjeniale për të shpjeguar se në të vërtetë nuk ka kontradiktë mes demokracisë dhe puçit ushtarak.

Kjo revistë dhe miqtë e saj anembanë Evropës, që u ka marrë truri erë dhe janë çmendur për shkak të Erdoganit, gjithashtu duhet të jetë në gjendje të shpjegojë sesi strehimi i terroristëve të PKK-së dhe i mbështetësve të saj në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Evropës i shërben demokracisë dhe luftës kundër terrorizmit. Ata duhet të jenë të aftë të shpjegojnë  gjithashtu pse një tubim antipuçist në Këln u bë një çështje e madhe në mediat gjermane dhe pse disa javë më vonë një tubim i hapur në favor të PKK-së është e lejuar dhe mbuluar nga mediat gjermane pa kurrfarë shqetësimi.

Vijon…

 

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies