Për fat të keq, në fjalimin përurues të presidencës më 20 janar 2017 presidenti i ri i SHBA, Donald Trump, kishte dhe një premtim se pushtetin do t’ua kthente qytetarëve. Kjo fjali shkaktoi huti në shumë mjedise politike në botë. Ajo u kap fluturimthi si motiv shpëtimi e justifikmi nga krerët opozitarë në Shqipëri. Lulzim Basha betohet në çdo tubim e takim me fjalët se “pushtetin do t’ua japim qytetarëve”.
Shkruan: Abdi BALETA
Është një keqe politike që po prek e dëmton gjithnjë e më shumë demokracinë në hapësirat shqiptare. Kjo e keqe po nxitet më dukshëm pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe në disa vende europiane. Zjarrmia shqetësuese parazgjedhore e paszgjedhore po ndjehet sidomos në Francë, Gjermani e Itali. Ndërkaq në vendet e Ballkanit sindromi zgjedhor është bërë sëmundje kronike. Në FYROM nuk po shihet kurrfarë dobie nga zgjedhjet e parakohshme problematike dhe ende nuk dihet nëse do të krijohet një qeveri sa për të thënë. Në Serbi kanë nisur përsëri ethet politike e diplomatike, që lidhen me zgjedhjet presidenciale. Në Mal të Zi nuk vazhdon ankthi i organizimit të përgatitjes së atentatit për vrasjen e ish-kryeministrit ditën që mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Këto ditë kryeprokurori i Malit të Zi e akuzon Rusinë për këtë atentat. Ndërsa në Tiranë në prag të zgjedhjeve të këtij qershori vëmendja është përqendruar te reforma në drejtësi dhe kryeprokurori i Shqipërisë sulmon ambadasadorin amerikan se po ushtron trysni diplomatike mbi prokurorinë. Ndërkohë, nuk ka shenja të qarta se si mund të ndreqet jeta parlamentare e praktika zgjedhore e dëmtuar rëndë në Kosovë.
Në Shqipëri katër muaj para datës së caktuar për zgjedhjet parlamentare të radhës, 18 qershor 2017, po krijohen tensione e pasiguri për zhvillimin normal të procesit zgjedhor, si dhe po shtohet depresioni politik i shkaktuar nga sindromi i tejzgjatur zgjedhor. Një opozitë tejet laramane, e komanduar nga Partia Demokratike, po tregon padurim të madh për t’u rikthyer në pushtet. Kjo opozitë më 18 shkurt 2017, ashtu si opozita socialiste më 21 janar të vitit 2011, bënë demonstratë e ngritën çadrat e protestës në bulevard, në të njëjtin vend, para selisë së kryeministrisë, duke vërtetuar se partitë kryesore politike në Shqipëri janë robina të psikozës se pushteti duhet siguruar para se të hysh në zgjedhje. Kryetari PD-së (dhe i opozitës), Lulzim Basha, praktikisht kërkoi një proces zgjedhor tipik për zgjedhje të jashtëzakonshme, “për të shporrur qeverinë aktuale”, para se të bëhen zgjedhjet e 18 qershorit. Pra, kërkon të imitohet modeli dhe skenari që u përdor në FYROM për largimin nga qeverisja të Gruevskit nëpërmjet krijimit të një qeverie teknike si administruese e procesit zgjedhor, edhe pse në Shqipëri bëhet fjalë për zgjedhje të radhës në afatin ligjor. Basha kërcënoi se ndryshe PD-ja nuk do të hyjë në zgjedhje dhe po nuk hyri ajo në zgjedhje, nuk do të bëhen zgjedhje fare. Opozita shqiptare po kërkon kështu ta kthejë procesin zgjedhor në Shqipëri tek praktikat jonormale të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme, si ato të 22 marsit 1992, dhe të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 29 qershorit 1997, pas rebelimit të armatosur socialist në pranverën e atij viti. Në mitingun demonstrues të 18 shkurtit Sali Berisha shkoi dhe më larg dhe shpalli se “kishte nisur tashmë një revolucion demokratik i paparë” në Shqipëri. Kështu, 26 vjet pas fillimit të demokracisë zgjedhore pluraliste në Shqipëri, dëshmohet edhe një herë se kjo demokraci ka dështuar plotësisht.
Edhe më herët Shqipëria nuk ka pasur traditë të spikatur demokracie zgjedhore. Në fund të vitit 1944 Partia Komuniste (e maskuar pas Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar) vendosi pushtetin e saj të “dalë nga gryka e pushkës” dhe të mbështetur në doktrinën (dogmën) marksiste-leniniste. Komunistët shqiptarë i kapërcyen madje shumë teza të kësaj dogme për sa i përket shpejtësisë dhe egërsisë në zbatimin e “masave revolucionare”. Diktatura e proletariatit u bë gjithnjë më e egër nëpërmjet luftës famëkeqe të klasave. Kjo gjendje u sanksionua në vitin 1976 në Kushtetutën e re të “përfundimit të hedhjes së bazave ekonomike të socializmit dhe të hapjes së rrugës drejt shoqërisë së plotë komuniste”. Në kohën kur terrori komunist po merrte hov të madh nëpërmjet gjyqeve speciale, konfiskimeve të pasurive, burgosjeve, vrasjeve pa gjyq, pushteti komunist pat kurdisur të parat zgjedhje të përgjithshme, më 2 dhjetor 1945. Dyzet vjet më vonë Enver Hoxha e përshkruante procesin e votimit të parë si vijon: “Në ato zgjedhje nuk kishim fletëvotimi si sot dhe as atë të ndarën ku zgjedhësi mund të prishë a të shtojë në fletën që i jepet atë që s’do ose atë që do. Çdo zgjedhësi i jepej një kokërr, një topth i vogël gome, ku qe stamposur shqiponja, simboli i flamurit tonë dhe këtë ai duhej ta hidhte në kutinë që dëshironte. Në sallën ku votohej kishte dy kuti: njëra e Frontit me ngjyrë të kuqe dhe tjetra për raste kur kishte kandidatura të veçanta, jashtë atyre të Frontit dhe që populli e quante ‘kutia e zezë’. Votuesi duhej ta fuste dorën në të dyja kutitë, që të mos merrej vesh se ku e kishte hedhur votën. Por kishte nga ata që nga entuziazmi dhe emocioni e dekonspironin të fshehtën e votës së tyre, sepse pasi futnin dorën në kutinë e kuqe thërritnin: “Rroftë Partia! Rroftë Fronti! Votoj për Republikën Popullore!” (E. Hoxha, “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, f. 520). Fronti Demokratik atëherë merrte 90% të votave.
Në kohën (viti 1984) kur Enver Hoxha bënte përshkrimin e mësipërm votimet tashmë prej kohësh bëheshin me fletëvotimi dhe në qendrat e votimit vendoseshin kabina të fshehtësisë në votim. Por, votimi bëhej në mënyrë edhe më të thjeshtuar e më frikësuese se ai me topthat e gomës më 1945. Zgjedhësit merrnin fletën e votimit me emrin e kandidatit ose të kandidatëve pa konkurrentë, e palosnin në sy të komisionit, pa hyrë fare në kabinën e fshehtësisë dhe e hidhnin në kuti. Fronti Demokratik siguronte 99.99% të votave. Të tilla votime shkaktonin depresion të madh, madje ditën e votimit njerëzit ishin nën një stres të veçantë, sepse duhej të ngriheshin pa gdhirë mirë dita e të vraponin drejt qendrave të votimit, që të dëshmonin entuziazmin e tyre.
Për herë të parë kjo praktikë zgjedhore tragjikomike ndryshoi në zgjedhjet e 31 marsit 1991, kur pushteti komunist jetonte çastet e fundit, në Shqipëri ishte vendosur një sistem partiak pluralist dhe në zgjedhje konkurronin disa subjekte politike. Por, Shqipëria ende nuk kishte elektorat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Votuesit votonin me mllef: disa që të merrte fund sa më parë pushteti komunist, disa që të mos vinte ky çast. Zgjedhjet i fitoi përsëri me shumicën e dy të tretave Partia e Punës (komuniste). Shqiptarët ishin ende të tromaksur në atë Shqipëri të sfilitur, ku zhvillimet politike kishin mbetur shumë më mbrapa në krahasim me vendet e tjera ish-socialiste të Europës Lindore. Ishte kohë e një dëshpërimi të madh dhe shqiptarët kërkonin shpëtim duke e braktisur vendin. Shpresat e vakëta të asaj kohe për vendosjen e demokracisë së vërtetë zgjedhore pas 26 vitesh janë kthyer në iluzione të humbura. Politika e partitë ua kanë zvjerdhur votuesve të ndershëm zgjedhjet.
Formula “Organizimi të zgjedhjeve të lira, të ndershme e të drejta” është kthyer në një zgjedhë të rëndë të huaj politike në qafën e shqiptarëve. Faktorët ndërkombëtarë e përdorin atë si kamxhik për të trullosur mendjet e votuesve shqiptarë, se pa bërë zgjedhje të përsosura për Shqipërinë nuk ka integrim europian, në një kohë që duket sheshit se zgjedhje të përsosura nuk bëhen dot më as në SHBA dhe në Europë. Eurodeputeti Ilhan Kyçyk, “raportuesi në hije për Shqipërinë në parlamentin europian” është “kujdesur” edhe një herë tani së fundmi t’i paralajmërojë kërcënueshëm shqiptarët “se pa zgjedhje të lira nuk kanë një të ardhme të mirë për vendin, sepse zgjedhjet janë testi i demokracisë për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në BE” (“55”, 11 shkurt 2017).
Përfundimisht në Shqipëri zgjedhjet janë kthyer në një lëngatë zgjebeje politike, që u shkakton të kruara të padurueshme, si atyre që votojnë dhe atyre që nuk votojnë dhe që duket do të jenë e pakurueshme për shumë kohë. Zgjedhjet po shfrytëzohen kryesisht si një grafik kohor etapash e fushatash shpërthyese të luftës për pushtet me gjithfarë manipulimesh: listat e pasakta të votuesve, propaganda e kotë e kushtueshme, ndërrimet hileqare të sistemit zgjedhor, mungesa e kodit dhe e legjislacionit të qëndrueshëm zgjedhor, numërimet e falsifikimet skandaloze të fletë votimeve e të rezultateve, mbyllja me vonesë e procesit zgjedhor etj. Votëvjedhja masive dhe blerja e shitja e paskrupullt e votave i kanë zhvlerësuar zgjedhjet në sytë e njerëzve të ndershëm. Prandaj edhe zhgënjimet e shqiptarëve me demokracinë zgjedhore janë më depresionuese e tronditëse se para 26 vitesh. Vazhdimisht bëhet pyetja “Pse po ikin shqiptarët?” Ikin, sepse u soset durimi, sepse vrasësit e demokracisë, kontrabandistët politikë të votës nuk ndalen para asnjë skandali për të privatizuar pushtetin. Prandaj, nuk mund të organizohen zgjedhje që të quhen të lira, të drejta në afate të rregullta e sidomos të pakontestuara. Opozita e sotme shqiptare shpalli më 18 shkurt 2017 se nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve në qoftë se ato nuk bëhen sipas kushteve të vëna prej saj. Kjo do të thotë se nuk do t’i njohë po nuk erdhi ajo në pushtet. Kështu kanë bërë edhe në të kaluarën të gjitha opozitat shqiptare.
Në kushtet e një sindromi të tillë zgjedhor pjesëmarrja qytetare në procesin zgjedhor dhe paraqitja para kutive të votimit në ditën e caktuar e ka humbur shumë kuptimin. Lexuesve mund t’u duket si çudi (ndoshta papërgjegjësi) që unë kam 20 vjet që nuk shkoj të votoj. Madje kam bërë thirrje publike që sa më shumë shqiptarë t’i bojkotojnë zgjedhjet e votimet, si e vetmja mënyrë që ka mbetur për të shprehur protestë qytetare individuale ndaj nëpërkëmbjes së neveritshme (zvjerdhjes) të votimit nga partitë. Bojkotimi i zgjedhjeve është mënyra e vetme që kanë tani qytetarët shqiptarë për t’ua çuar mesazhin e duhur mekanizmave ndërkombëtare, që e kanë përdhosur gjithashtu këtë demokraci në Shqipëri. Ato mekanizma e dinë mirë arsyen pse për shumë kohë nuk do të jetë e mundur të bëhen zgjedhje të rregullta, të lira e të drejta për shqiptarët. Por, hiqen sikur nuk e vënë re këtë dukuri. Unë nuk mund të votoj, sepse vota e qytetarit e ka humbur vlerën dhe ndikimin e saj në Shqipëri, përderisa votuesit e shesin votën, politikanët e partiakët e të pasurit e blejnë votën, banditët e rrëmbejnë votën, ndërsa numëruesit e fshehin votën e hedhur. Ndërkaq kryepartiakët e disponojnë dhe tjetërsojnë “me ligj” e pa ligj votën e hedhur sipas qejfit për të çuar në parlament me lista të mbyllura si të deleguar hyzmeqarët e tyre më të bindur. Gjykoj se nuk kam pse ta përlyej votën time në një proces zgjedhor, që më së fundi u shërben dy, tre apo katër kryetarëve partish. Këto praktika të mbrapshta i ka bekuar edhe Europa “demokratike”. Prandaj, në sallën e parlamentit “deputetët” shahen, kacafyten, shpifin e kërcënojnë. Atje gjejnë strehë të ngrohtë dallkaukë, kriminelë e profanë politikë. Nuk dua që edhe vota ime të shkojë si pikë uji në këtë batak.
Këto dukuri janë tregues se i gjithë rendi politik në Shqipëri është në kalbëzim të pandalshëm. Duhet vërtetë një përmbysje e madhe politike në vend. Fatkeqësisht sot për sot kjo duket e pamundur. Opinioni publik dhe elektorati janë të çorientuar. Vetëm militantët fanatikë partiakë dhe përfituesit materialë nga partitë hyjnë me vrull në lojën e zgjedhjeve. Nuk ka forca të mëdha të vetëdijesuara, të organizuara e të vendosura për të bërë atë përmbysje nëpërmjet një evolucioni të shëndetshëm. Asnjë lëvizje politike radikale nuk mund të jetë e këshillueshme dhe e suksesshme në qoftë se nuk bëhet me një organizim serioz, nga një forcë e caktuar dhe e përgjegjshme politike, por shkaktohet nga provokime aventureske, nga parulla e fjalë bombastike dhe pastaj i lihet spontanitetit që ta përcaktojë rrjedhën e zhvillimeve.
Për fat të keq, në fjalimin përurues të presidencës më 20 janar 2017 presidenti i ri i SHBA, Donald Trump, kishte dhe një premtim se pushtetin do t’ua kthente qytetarëve. Kjo fjali shkaktoi huti në shumë mjedise politike në botë. Ajo u kap fluturimthi si motiv shpëtimi e justifikmi nga krerët opozitarë në Shqipëri. Lulzim Basha betohet në çdo tubim e takim me fjalët se “pushtetin do t’ua japim qytetarëve”. Qytetarët nuk kanë ç’ta duan atë pushtet që u premton ai, sepse as dinë, as mund ta ushtrojnë dot të gjithë së bashku e njëherësh. Interesi i qytetarëve mbrohet kur ata e thonë fjalën e tyre në ndërtimin e pushtetit dhe sigurojnë mekanizmat përkatëse që dinë ta ushtrojnë pushtetin në të mirë të tyre. Qytetarët e marrin pushtetin në duart e tyre në një datë të caktuar, brenda një periudhë kohore të caktuar, ditën e votimeve, që tani është 18 qershor 2017, pas 4 vitesh nga votimet paraardhëse. Atë ditë ushtrohet demokracia direkte me votime të përgjithshme, për të ripërtërirë ose ndërruar pushtetin ekzistues. Gjithë kohën tjetër qytetarët pushtetin ua besojnë përfaqësuesve të zgjedhur prej tyre dhe e mbikëqyrin me shumë forma. Kjo është demokracia zgjedhore dhe politike. Nuk jetojmë as në kohën e demokracisë athiniote të para shumë shekujsh, as në kohën e kuvendeve të burrave të fshatit ilirë ose arbërorë. Deri më sot mënyra më e mirë që qytetarët ta marrin në duart e tyre pushtetin ka rezultuar “demokracia përfaqësuese”, që ka si premisë themelore vendimmarrjen nga shumica dhe pranimin e kësaj vendimmarrjeje me oponencën paqësore nga pakica, deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Revolucioni demokratik” që shpall S. Berisha është përçartje dhe përçapje që ngacmon tumorin malinj në organizmin e sëmurë politik. Evolucioni i vështirë politik çerekshekullor në Shqipëri nuk duhet ndërprerë më me revolucione, sidomos në prag të zgjedhjeve të rregullta. Qëndrimet pa përgjegjësi mund të çojnë në gjëma, siç ndodhi në pranverën e vitit 1997, siç tentoi opozita socialiste të përsëriste më 21 janar 2011. Politikani duhet ta dijë se nxitja e revolucionit pa vend e pa mend mund të pjellë edhe kundërrevolucion. Shqiptarët duhet të kenë mësuar diçka nga të këqijat që u sollën “udhëheqësit politikë të dorës së fortë” në periudhën paskomuniste Nano, Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, në gjurmët e të cilëve ia ka ënda të ecë edhe Lulzim Bashës. U ka kaluar koha pozave dhe gjestikulimeve “musoliniane” edhe në politikën e egërsuar shqiptare. Dikur kam pas botuar një shkrim me titull “Duhet frenuar në kohë yryshi Rama” (26 gusht 2005) kur Rama synonte të arrinte sa më shpejt majën e pushtetit politik. Sot po shtoj se “Duhet shkurajuar turri Basha”. Por, duhet që edhe Berisha të qëndrojë sa më larg paraskenës politike, të heqë dorë nga sjelljet e gjuha zjarrndezëse. Duhet që edhe Ilir Meta të mos lakmojë pa pushim majat e posteve pushtetore, të mos sillet më si “tradhtari politik model”, apo “kingmejkëri” në politikën e Shqipërisë, duke kaluar në aleanca pa parim sa me njërin krah me tjetrin. Përndryshe, zvjerdhja, zgjedha dhe zgjebja zgjedhore do ta bëjnë më të rëndë sindromin zgjedhor në Shqipëri.
“Revolucioni demokratik” që shpall S. Berisha është përçartje dhe përçapje që ngacmon tumorin malinj në organizmin e sëmurë politik. Evolucioni i vështirë politik çerekshekullor në Shqipëri nuk duhet ndërprerë më me revolucione, sidomos në prag të zgjedhjeve të rregullta. Qëndrimet pa përgjegjësi mund të çojnë në gjëma, siç ndodhi në pranverën e vitit 1997, siç tentoi opozita socialiste të përsëriste më 21 janar 2011. Politikani duhet ta dijë se nxitja e revolucionit pa vend e pa mend mund të pjellë edhe kundërrevolucion. Shqiptarët duhet të kenë mësuar diçka nga të këqijat që u sollën “udhëheqësit politikë të dorës së fortë” në periudhën paskomuniste Nano, Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, në gjurmët e të cilëve ia ka ënda të ecë edhe Lulzim Bashës. U ka kaluar koha pozave dhe gjestikulimeve “musoliniane” edhe në politikën e egërsuar shqiptare. Dikur kam pas botuar një shkrim me titull “Duhet frenuar në kohë yryshi Rama” (26 gusht 2005) kur Rama synonte të arrinte sa më shpejt majën e pushtetit politik. Sot po shtoj se “Duhet shkurajuar turri Basha”. Por, duhet që edhe Berisha të qëndrojë sa më larg paraskenës politike, të heqë dorë nga sjelljet e gjuha zjarrndezëse. Duhet që edhe Ilir Meta të mos lakmojë pa pushim majat e posteve pushtetore, të mos sillet më si “tradhtari politik model”, apo “kingmejkëri” në politikën e Shqipërisë, duke kaluar në aleanca pa parim sa me njërin krah me tjetrin. Përndryshe, zvjerdhja, zgjedha dhe zgjebja zgjedhore do ta bëjnë më të rëndë sindromin zgjedhor në Shqipëri.
Mendoj se depresioni nga sindromi zgjedhor do të përkeqësohet edhe tek shqiptarët në FYROM. Prandaj, mendimeve që shpreha në shkrimin “Zgjedhje pa zgjidhje” (“Shenja”, janar 2017) dëshiroj t’u shtoj disa citime nga shkrimi im i mëhershëm “Hallvë e ftohtë (shqiptare), çorbë e nxehtë (maqedone)” (‘Bota Sot” korrik 2006): “Me të tilla gatime i ngopin vazhdimisht shqiptarët në Maqedoni (lexo Shqipërinë Lindore) prej vitesh, sidomos në kohë zgjedhjesh, kur votuesve shqiptarë “çorbën e nxehtë” (maqedone) ua servirin për hallvë vetë politikanët shqiptarë. Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, që sapo përfunduan dhe që sollën në pushtet opozitën maqedone bashkë me bishtin e saj shqiptar dhe larguan pushtetarët e deritanishëm maqedonë me ndihmësit e tyre shqiptarë. Çorbën që bëjnë maqedonët e gëlltisin shqiptarët, sepse zihen me njëri-tjetrin edhe më shumë se vetë maqedonët se si do të jetë pushteti i maqedonasve. Votat shqiptare në Maqedoni po zhvlerësohen sa herë vihen në qarkullim, jo vetëm sepse nuk krijojnë dot një shifër absolute në vlerë më të madhe se votat sllavomaqedonase, por sepse votat shqiptare hidhen e mblidhen në funksion të rregullimit të balancës së pushtetit sllavomaqedonas, sepse shërbejnë vetëm për të siguruar edhe një garniturë shqiptare në pjatën e pushtetit që e kanë sllavo-maqedonasit. BDI-ja na habiti me gatishmërinë që të bashkëqeveriste edhe me opozitën e deridjeshme sllavomaqedonase, vetëm e vetëm që të mbetej në pushtet. Xhaferri (PDSH) na habiti me kundërshtimin e tij shumë të vendosur për të ndarë pushtetin edhe me këta shqiptarë me “argumentin” se BDI nuk duhet të hyjë në qeveri, sepse shqiptarët mbetkan pa opozitë të tyren në Maqedoni. Në të vërtetë, në atë gjendje që është pushteti në Maqedoni vendi i shqiptarëve është në opozitë, sepse janë ata që nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta me “shumicën”. Loja me “pushtetarë shqiptarë” dhe “opozitarë shqiptarë” është hallvë e ftohtë që u serviret shqiptarëve. Loja që bëjnë partitë sllavomaqedonase për pushtet për shqiptarët është vetëm “çorbë e nxhehtë”, që u përvëlon turinjtë dhe do t’i neverisë edhe më shumë nga “hallva e tyre e ftohtë”. Por, deri tani shenjat tregojnë se partitë e politikanët shqiptarë po vazhdojnë të kënaqen me hallvën e ftohtë e çorbën e nxehtë.
Sido që të shkojë demokracia zgjedhore në Europë e Ballkan, për shqiptarët pak gjëra do të ndryshojnë. Sindromi zgjedhor duhet të marrë fund te shqiptarët së pari.