Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, tha sot në Ankara se më 19 korrik do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme në Turqi e cila ishte shpallur vitin e kaluar në vend pas tentativës për grusht shteti dhe se qeveria do të dorëzojnë propozim në Këshillin e Lartë të Sigurisë për vazhdimin e saj, raporton (AA).
“Më datë 19 përfundon afati i saj. Parimisht, vendimi ynë si qeveri është të dërgojmë propozim në Këshillin e Lartë të Sigurisë për vazhdimin e saj”, tha Yıldırım.
Ai po ashtu tha se përpjekja për grusht shteti e 15 korrikut të vitit të kaluar nga organizata terroriste FETO do të kishte qenë e suksesshme nëse terroristët do të arrinin të eliminonin atë dhe presidentin Recep Tayyip Erdogan.
“Ne ishim të vendosur, të gatshëm për të vdekur, ose ne, ose ata. Vendosëm për këtë së bashku me presidentin. Grushti i shtetit mund të kishte sukses. Si mund të ketë sukses? Nëse arrinin të më eliminonin mua dhe presidentin,” tha Yıldırım.
Yıldırım ka kritikuar edhe qëndrimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe disa shtete evropiane lidhur me programet përkujtimore me rastin e përvjetorit të tentativës për grusht shteti.
“Është e pamundur ta kuptojmë qëndrimin rreth aktiviteteve të ndryshme përkujtimore për 15 Korrikun në disa shtete të Evropës dhe SHBA. Nga njëra anë thuhet ‘shtet i lirive’, kurse nga ana tjetër vazhdimisht kritikojnë Turqinë në lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe pengojnë këto aktivitete që kritikojnë ata që qëndrojnë prapa tentativës për grusht shteti që tentoi të rrënojë një shtet dhe synojnë që këtë gjë t’ia përçojnë opinionit ndërkombëtar. Kjo gjë është josinqeritet”, tha Yıldırım.
Kryeministri Yıldırım tha se deri më tani nga detyra e nëpunësve janë pezulluar 38.202 persona, kurse janë larguar 103.844 të tjerë.
“Ndërkohë, 34.320 persona janë kthyer në detyrë. Po ashtu, ndaj 168.796 të dyshuarve ekziston procedurë ligjore”, tha kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım.