Fillimi LajmeWieland: Mos premtoni data për liberalizim vizash

Wieland: Mos premtoni data për liberalizim vizash

nga Shekulli Agency

“Në Parlamentin Evropian ende nuk ka kurrfarë dokumenti për votimin lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, deklaroi sot në Prishtinë zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, pas takimit me grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Wieland, i cili është zyrtar i lartë i CDU-së, partia e kancelares gjermane Angela Merkel, tha se PE-ja insiston që të përmbushen të gjitha kushtet e domosdoshme për liberalizimin e vizave, duke porositur se nuk duhet premtuar kurrfarë datash.

“Parlamenti Evropian insiston në përmbushjen e kritereve dhe përveç përmbushjes së kritereve duhet të ekzistojë edhe mbështetje nga vendet e BE-së për të mundësuar qarkullimin e lirë të atyre që dëshirojnë të vizitojnë Evropën”, tha Wieland.

Ai porositi se partia e tij brenda PE-së mbështet LDK-në dhe Kosovën dhe vlerësoi se në Kosovë duhen edhe shumë gjëra të bëhen.

“Shoh se në vend është arritur përparim dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në gjërat që duhet bërë”, tha Wieland.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti rikujtoi se pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Kosovës i ka mbetur edhe një kusht për liberalizimin e vizave, ndërsa ajo është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Hoti tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë mesazhi kryesor edhe i kancelares Merkel në takimin e djeshëm me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Berlin.

“Liberalizimi i vizave në masë të madhe varet nga institucionet e Kosovës dhe derisa nuk ofrojmë evidencë të mjaftueshme, kredibile dhe bindëse se jemi të gatshëm të luftojmë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vështirë se do të marrim përgjigje pozitive nga vendet e BE-së”, tha Hoti.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies