
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Patriarku Irinej, sot shprehën shqetësimin e madh për arrestimin e Peshkopit Joanikije dhe priftërinjve të KOS-it në Mal të Zi.
Ata shprehën shpresën se “populli ynë do të veprojë në mënyrë paqësore dhe të qetë në këto momente kur asnjë i arsyeshëm nuk dëshiron trazira dhe konflikte”.
Në një deklaratë të përbashkët pas bisedës telefonike, Patriarku Irinej kujtoi se kulminacioni i “qëndrimit armiqësor të shtetit të Malit të Zi ndaj KOS-it filloi me miratimin e Ligjit të diskutueshëm për Lirinë e Fesë, ndërsa injoroi rëndë kërkesat e KOS-it për pozicion të barabartë në lidhje me të gjitha kishat e tjera, bashkësitë fetare dhe mbrojtjen e të drejtave që kisha jonë ka pasur me shekuj”.
“Fakti që ligji u miratua me indinjatë të madhe të popullit tonë në fund të vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti dhe se tani arrestohen dhe ndalohen peshkopët dhe priftërinjtë është një dëshmi se shteti malazez po persekuton KOS-in”, shtoi ai.
Vuçiç i dha mbështetje të plotë Patriarkut Irinej dhe peshkopëve të KOS-it në Mal të Zi në përpjekjet e tyre për të zgjidhur të gjitha problemet me të cilat përballen përmes dialogut, në mënyrë paqësore, me respekt të plotë për të drejtat dhe liritë e besimtarëve të KOS-it dhe shprehu besim se Peshkopi Joanikije dhe priftërinjtë e tjerë të arrestuar do të lirohen sa më shpejtë të jetë e mundur.