Fillimi Lajme“Udhëheqësit kinezë nuk e kuptojnë diversitetin”

“Udhëheqësit kinezë nuk e kuptojnë diversitetin”

nga Shekulli Agency

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama tha se udhëheqësit kinezë “nuk e kuptojnë diversitetin” dhe se tendenca e Partisë Komuniste Kineze për kontroll të rreptë shoqëror mund të jetë e dëmshme.

Duke folur në konferencën online në Klubin e Gazetarëve të Huaj të Japonisë (FCCJ), murgu budist 86-vjeçar bëri deklarata në lidhje me pikëpamjet e tij sociale dhe politike.

Lama theksoi se ai preferon të qëndrojë në Indi, ku ai ka jetuar që nga kryengritja e pasuksesshme kundër sundimit kinez në Tibet në vitin 1959, në vend që të futej në një rrëmujë “të pakuptueshme politike” me Kinën.

Duke thënë se nuk ka plane specifike për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping, Lama nuk komentoi mbi “planet e Xi për të qëndruar në detyrë edhe për 5 vjet të tjera”.

“Udhëheqësit komunistë kinezë nuk e kuptojnë diversitetin e kulturave të ndryshme. Kontrolli i tepërt dëmton vërtet njerëzimin”, tha udhëheqësi shpirtëror i Tibetit në ekzil, Lama.

Ai tha se nuk dëshiron të përfshihet në problemet lokale dhe politike. Lama shtoi se ai është i përkushtuar për të kontribuar për vëllezërit e tij në Tajvan dhe Kinë.

Statusi i Tibetit

Rrafshnalta Tibetiane e cila ka 2.5 milionë kilometra katrorë në veri të maleve Himalaje, quhet “çatia e botës” ka një lartësi mesatare prej 4.380 metrash mbi nivelin e detit.

Rajoni, i cili ka qenë atdheu i popullit gjysmë nomad tibetian gjatë historisë, ra nën sovranitetin e Republikës Popullore të Kinës me Marrëveshjen prej 17 pikave të nënshkruar në vitin 1951. Qeveria e Pekinit e quajti këtë “çlirim paqësor të Tibetit”.

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, ishte larguar nga rajoni pas kryengritjes së dështuar pro-pavarësisë në vitin 1959 dhe u vendos në qytetin verior indian Dharmsala, duke formuar parlamentin dhe qeverinë tibetiane në ekzil.

Pekini nuk e njeh qeverinë tibetiane në ekzil dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e Dalai Lamës që nga viti 2010.

Pekini ka akuzuar qeverinë në ekzil për separatizëm duke argumentuar se Tibeti ka qenë pjesë e Kinës që nga shekulli i 13-të dhe nuk ka ekzistencë të veçantë. Dalai Lama dhe mbështetësit e tij argumentojnë se Tibeti ka qenë “de fakto” i pavarur në pjesën më të madhe të historisë së tij.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies