Fillimi LajmeThaçi përfundon për sot intervistimin në Dhomat e Specializuara në Hagë

Thaçi përfundon për sot intervistimin në Dhomat e Specializuara në Hagë

nga Shekulli Agency

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas më shumë se gjashtë orë ka përfunduar për sot intervistimin e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës.

Në një deklarim të tij të shkurt pas intervistimit në këtë gjykatë, që ka filluar nga ora 13:00 në mesditë dhe ka zgjatur deri pak pas orës 19:00 të mbrëmjes, Thaçi tha se dita e sotme në këtë proces më shumë ka qenë për çështje teknike.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknaliteteve të ndryshme mes avokatit Pierre-Richard Prosper dhe prokurorëve, do të thotë çështje sqaruese teknike e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kështu që, do të vazhdojë nesër. Faleminderit shumë”, tha Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës aktakuzë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Në aktakuzën e bërë publike më 24 qershor, pretendohet se Thaçi dhe Veseli si dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.

Ditë më parë, Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK) protestoi në kryeqytet dhe në disa komuna tjera të Kosovës duke kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të cilën e quajtën “të padrejtë dhe të njëanshme”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies