Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, megjithatë në kuadër të korrigjimit të kufirit me Serbinë, me pajtim të dyanshëm, është e mundur që Lugina e Preshëvës t’i bashkohet Kosovës.
Gjatë vizitës së tij në Odën Ekonomike të Kosovës, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Thaçi nuk përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Siç tha ai, realiteti flet se Kosova dhe Serbia kanë një kufi 400 kilometërsh i cili do të duhet të përcaktohet, pasi pa u bërë kjo, nuk mund të mbyllet konsolidimi i shtetit të Kosovës.
“Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq, mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. Nëse ka marrëveshje apo pajtueshmëri të dyanshme (në dialogun me Serbinë) askush nuk do të dilte kundër një marrëveshjeje të dyanshme, pra as nga Bashkimi Evropian, as NATO as SHBA-të”, tha Thaçi.
Presidenti i Kosovës nuk precizoi se kur do të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, për të shtuar se nga shtatori pret dinamikë më të madhe të dialogut me të cilin kryeson BE-ja, e përkrahur nga SHBA-të.
Thaçi tha se me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës ka biseduar për dialogun me Serbinë, për çka u ka thënë se një marrëveshje eventuale me Serbinë do të krijojë klimë të re, e cila do të dërgojë mesazhin se Kosova është shtet evropian me një rrugë të sigurtë drejt NATO-s dhe BE-së.