Me aktivitete të ndryshme në Shqipëri është shënuar sot Dita Flamurit dhe e Pavarësisë, ndërkohë ceremonia qendrore është mbajtur në qytetin e Vlorës.
Ceremonia me rastin e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në qytetin e Vlorës me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Në Sheshin e Flamurit në Vlorë zyrtarët e lartë kanë marrë pjesë në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit, ndërsa aktivitete janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit.
Në një prononcim për mediat pas ceremoninë në Vlorë, presidenti Meta tha se “Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi, kudo për të gjithë shqiptarët sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve”.
“Është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar, në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në Bashkimin Evropian”, u shpreh Meta.
