
Një shofer i dehur është përplasur në një grup turistësh të rinj gjermanë në veri të Italisë, duke vrarë 6 persona dhe duke plagosur 11 të tjerë.
Autoritetet italiane njoftojnë se aksidenti ka ndodhur në një fshat në afërsi të Bolzanos në rajonin Alto Adige, në kohën kur gjermanët të cilët ishin të moshës 20-25 vjeç ishin mbledhur për të hipur në autobusin e tyre.
Rajoni autonom në veri të Italisë, kryesisht gjermanofon, është atraktiv për turistët gjermanë me lokalitetet për skijim në Dolomites dhe fshatrat autentikë rreth Bolzanos.
“Viti i ri fillon me një tragjedi të tmerrshme”, tha presidenti i rajonit Alto Adige, Arno Kompatscher, duke shtuar se janë shokuar nga incidenti.
Shoferi i automjetit kishte një përmbajtje të lartë të alkoolit në gjak dhe po udhëtonte shumë shpejt, tha një zyrtar i policisë italiane, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar për prononcim për mediat.
Ai tha se policia kishte konkluduar se përplasja e makinës tek këmbësorët nuk ishte një akt terrorist.
Shërbimi zjarrfikës vullnetar Lutago përmes rrjeteve sociale njoftoi se 6 persona u vranë në vendin e ngjarjes. Komandati i Carabinierëve të Bolzanos, Alessandro Coassin, tha se 11 të plagosurit, katër prej të cilëve ishin në gjendje kritike, u dërguan në disa spitale rajonale, duke përfshirë dy persona të cilët u dërguan me transport ajror në spitalin në Innsbruck, Austri.
Coassin tha se shoferi, i identifikuar nga mediat italiane si një 28-vjeçar nga qyteti i afërt i Chienes, u arrestua me dyshimin për vrasje në autostradë dhe lëndime dhe së është duke u trajtuar në një spital në Brunico.
Autoritetet njoftuan se viktimat ishin pjesë e një grupi që kalonin pushimet në rajon, duke shprehur ngushëllime për familjet e tyre.
Aksidenti ndodhi në fund të festave të Krishtëlindjes dhe Vitit të Ri në Itali, të cilat do të përfundojnë të hënën.