Fillimi LajmeReagime për ekspozitën “Vështrim Historik Etnokulturor Pellazgjia-Epiri-Thesprotia-Çamëria”

Reagime për ekspozitën “Vështrim Historik Etnokulturor Pellazgjia-Epiri-Thesprotia-Çamëria”

nga Shekulli Agency

Një ekspozitë me fotografi dhe harta e hapur në Tiranë ka shkaktuar reagime në mediat greke, që janë pasqyruar edhe në mediat në Shqipëri, duke sjellë edhe reagimin e Presidencës së Shqipërisë.

Ekspozita “Vështrim Historik Etnokulturor Pellazgjia-Epiri-Thesprotia-Çamëria” e hapur disa ditë më parë është vizituar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ku sipas raportimeve në mediat greke ka shkaktuar edhe reagimin e Ambasadës së Greqisë në Shqipëri, ku pretendohet se ambasada ka kërkuar heqjen e ekspozitës dhe sqarime nga presidenti Meta.

Reagon Presidenca e Shqipërisë

Në lidhje me reagimet në media, ka reaguar edhe Tedi Blushi, këshilltari për mediat dhe zëdhënësi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Lidhur me reagimet në mediat e vendit fqinj për ekspozimin në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidencës së Shqipërisë, Blushi sqaron se: “Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në enciklopeditë dhe muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë”.

Sipas tij, Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, “pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara”.

Sipas Blushit, çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan”, theksohet në reagimin e Blushit.

Ekspozita

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Akademia “Rrënjët Shqiptare” kanë hapur në bashkëpunim më 15 nëntor ekspozitën me temë “Vështrim Historik Etnokulturor Pellazgjia-Epiri-Thesprotia-Çamëria”, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, tek kangjellat rrethuese të selisë së Presidencës së Shqipërisë.

Sipas fondacionit, “kjo ekspozitë paraqet Epirin qysh nga koha që dokumentohet historia, si ajo e Trojës e deri në vitin 1920, 3.000 vjet”.

“Në hartat e ekspozuara jepet me kufij të qartë, të plotë, historia nga Arta deri në Vjosë, herë-herë deri në Lezhë, si territor pellazg, epirot, çam, alban, por asnjëherë me përkatësi helene apo greke”, thekson Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në një njoftim rreth ekspozitës të publikuar në rrjetet sociale.

Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur edhe disa ditë paraqiten edhe fotografi që dëshmojnë gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies