
Në Francë janë shënuar përleshje mes policisë dhe protestuesve të cilët protestojnë në të gjithë vendin kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.
Në shumë qytete të vendit, kryesisht në kryeqytetin Paris, dhjetëra mijëra protestues kanë dalë nëpër rrugë. Gjatë protestave thuhet se ka patur tensione, ndërhyrje dhe përleshje. Lajmi i parë ka ardhur nga qyteti i Lyonit për të cilën thuhet se janë shënuar përleshje dhe se policia ka ndërhyrë ndaj protestuesve me bomba tymuese.
Ndërkohë edhe në protestën e zhvilluar në Nantes ku kanë marrë pjesë rreth 20 mijë persona policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës. Ndërsa në qytetin Rennes thuhet se ka patur tensione mes policisë dhe protestuesve.
Masat e jashtëzakonshme të sigurisë në Paris
Policia në Paris ka marrë masa intensive të sigurisë duke vendosur barrikada përreth ndërtesës së Presidencës si dhe duke mobilizuar 6.000 policë nga të cilët 160 prej tyre me motorë.
Protestuesit e mbledhur në stacionin e trenit Gare du Nord në Paris do të marshojnë drejt sheshit Nation.
Burimet e policisë kanë njoftuar se deri më tani janë arrestuar 18 persona.
Për shkak të protestave ku kanë marrë pjesë edhe “Jelekët e verdhë” janë anuluar një pjesë e madhe e udhëtimeve të trenave të shpejtë, ndërsa është mbyllur kulla Eiffel, e cila është dhe simbol i vendit.
Sipas medias lokale, mësohet se 80 për qind e mësuesve në shkollat fillore dhe 9-vjeçare kanë bojkotuar mësimet.
Reagimi ndaj reformës së pensioneve
Pas protestave të jelekëve të verdhë, sot në Francë punonjësit e shumë sektorëve filluan grevë të përgjithshme pa afat në të gjithë vendin, me qëllim për të reaguar kundër reformës së pensioneve të përgatitur nga qeveria e presidentit Emmanuel Macron.
Reforma në fjalë parashikon ndarje në pensionet për punëtorët dhe punonjësit e sektorit publik, rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, si dhe ndikimin negativ ndaj shumë sektorëve të tjerë.
Në mesin e pjesëmarrësve në grevë janë punonjësit e RATP (Rregullatorët e transportit publik) në Paris dhe përreth tij, kompania kombëtare franceze e hekurudhave (SNCF), punonjësit e kompanisë ajrore Air France, policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitaleve, studentët, punonjësit e postave, punonjësit e sektorit publik, avokatët, punonjësit e bujqësisë, ekipet e shëndetësisë për ambulancat, drejtuesit e taksive, mësuesit, punonjësit e kompanisë shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike EDF, shoferët e transportit, punonjësit e urgjencës në spitale, punonjësit e kompanisë Renault dhe punonjësit e rafinerisë.