Fillimi LajmePrinci saudit i kurorës injoron ujgurët gjatë vizitës në Kinë

Princi saudit i kurorës injoron ujgurët gjatë vizitës në Kinë

nga Shekulli Agency

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, bëri një sy qorr ndaj gjendjes së vështirë të muslimanëve ujgurë në Kinë, kur u takua të premten me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin.

Komuniteti i ujgurëve brenda dhe jashtë Kinës ka pritur nga bin Salman, sundimtar de facto i Arabisë Saudite dhe kujdestar i vendeve më të shenjta të Islamit, për të ngritur çështjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut të Kinës kundër ujgurëve etnikë. Në vend të kësaj, ai zgjodhi përkrahjen ndaj Kinës.

“Ne e respektojmë dhe mbështesim të drejtën e Kinës për të marrë masa kundër terrorizmit dhe de-ekstremizëm për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ne qëndrojmë gati për të forcuar bashkëpunimin me Kinën”, tha Salman, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua.

– Gjendja e vështirë e ujgurëve 

Rajoni Xinjiang në Kinë është shtëpia e rreth 10 milionë ujgurëve. Grupi musliman turk, që përbën rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiang, një kohë të gjatë akuzon autoritetet e Kinës për diskriminimin kulturor, fetar dhe ekonomik.

Sipas zyrtarëve të SHBA-ve dhe ekspertëve të OKB, mbi 1 milion njerëz, ose rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në Xinjiang, janë burgosur në një rrjet të zgjeruar të kampeve të “ri-arsimit politik”.

Në një raport të shtatorit të kaluar, Human Rights Watch akuzoi qeverinë kineze për një “fushatë sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut” kundër muslimanëve ujgurë në Xinjiang.

Sipas raportit prej 117 faqesh, qeveria kineze ka kryer “paraburgim masiv, torturë dhe keqtrajtime” të turqve ujgurë në rajon.

– Pozicioni i Turqisë 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, herët këtë muaj kritikoi politikën sistematike të asimilimit të Kinës ndaj ujgurëve turq, duke e quajtur “një turp të madh për njerëzimin”.

“Tashmë nuk është fshehtësi se mbi një milion turq ujgurë janë të ekspozuar arrestimeve pa arsye, torturimit dhe larjes politike të trurit në kampe të përqendrimit”, tha Aksoy.

Turqia i ka kërkuar autoriteteve të Kinës që të respektojnë të drejtat themelore të njeriut të turqve ujgurë dhe të mbyllin kampet e përqendrimit, tha Aksoy.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së që të ndërmarrin hapa efektivë për t’i dhënë fund tragjedisë njerëzore në Xinjiang”, shtoi ai.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies