Fillimi LajmePlagoset kreu i Bashkisë së Lushnjës, dyshohet se është hedhur granatë dore në zyrën e tij

Plagoset kreu i Bashkisë së Lushnjës, dyshohet se është hedhur granatë dore në zyrën e tij

nga Shekulli Agency

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, është plagosur si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në zyrën e tij, ku dyshohet se është hedhur një granatë dore.

Në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se dyshohet se autor i ngjarjes ku mbeti e plagosur edhe sekretarja e bashkisë, është ish-shoferi i kryetarit të bashkisë, shtetasi G. S, i cili, sipas policisë, pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.

“Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar kryetari i Bashkisë shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, njoftohet se policia vazhdon operacionin për arrestimin e autorit të dyshuar, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Fatos Tushe është rizgjedhur në krye të Bashkisë së Lushnjës, që ndodhet në Qarkun e Fierit në zgjedhjet vendore që u mbajtën më 30 qershor të këtij viti, si kandidat i mbështetur nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies