Fillimi LajmePilotët e FSK-së vazhdojnë rifreskimin e shkathtësive në pilotim në Qendrën e Aviacionit Tokësor në Turqi

Pilotët e FSK-së vazhdojnë rifreskimin e shkathtësive në pilotim në Qendrën e Aviacionit Tokësor në Turqi

nga Shekulli Agency

Pilotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdojnë të rifreskojnë shkathtësitë teorike dhe praktike në pilotim dhe mirëmbajtje të helikopterëve në Qendrën e Aviacionit Tokësor në Turqi, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, transmeton (AA).

Ministri Mehaj nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Kosovës është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale.

Duke publikuar fotografi nga trajnimi i ushtarëve kosovarë, ministri Mehaj ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e dhënë nga Akademia Turke e Aviacionit Tokësor, por nuk është bërë i ditur numri i pjesëmarrësve nga Kosova në këtë trajnim dhe koha e mbajtjes së tij.

“Në kohën kur jemi në fazën inicuese të ngritjes së kapaciteteve ajrore, ky projekt është shumë i rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive në MEDEVAC (Evakuim Mjekësor), si dhe reagimit në kriza dhe emergjenca të tjera nga ajri. Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga Akademia Turke e Aviacionit Tokësor”, tha Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Armend Mehaj ka vizituar në shtator të këtij viti Akademinë Ushtarake Tokësore në Turqi, ku përveç kuadrove të forcave turke, tash e disa vite, studiojnë edhe kuadrot e oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së.

Mehaj gjatë kësaj vizite ishte pritur nga komandanti i Akademisë Ushtarake Tokësore turke, gjeneral Gultekin Yarali, nga i cili është njoftuar për historikun, misionin, strukturën, kushtet dhe ambientet e studimeve dhe stërvitjeve, si dhe plan-programin mësimor teorik dhe praktik.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies