
Trajtimi i popujve indigjenë në Kanada ishte “gjenocid”, tha Papa Françesku gjatë kthimit në shtëpi pas një vizite gjashtëditore në Kanada.
“Kam kërkuar falje, falje për këtë operacion që është gjenocid”, u tha Papa gazetarëve në fluturimin e kthimit nga Kanadaja, raportoi Vatican News.
Papa dënoi aktet e “marrjes së fëmijëve, ndryshimit të kulturës, ndryshimit të mentalitetit, ndryshimit të traditave, ndryshimit të racës, thënë ndryshe, të një kulture të tërë”.
Ai mbrojti me vendosmëri fjalët e tij: “Është e vërtetë, po, po, ishte gjenocid. Ju të gjithë mund të jeni të qetë (për këtë). Mund të thoni që thashë se ishte gjenocid”.
Ai ka trajtuar edhe çështjen e dorëheqjes nga papati, të ngritur vazhdimisht nga pyetjet e gazetarëve, duke thënë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen tani për tani edhe pse e konsideron të mundshme.
Papa Françesku u nis për në shtëpi të premten pasi përfundoi qëllimin e tij për të kërkuar falje për rolin e Kishës Katolike në shkollat famëkeqe rezidenciale kanadeze.
Ai e mbylli këtë vizitë gjashtëditore me një udhëtim në Iqaluit, kryeqyteti i territorit Nunavut të Kanadasë, shtëpia e 28.000 popujve indigjenë Inuit, megjithëse territori përbën rreth 21 për qind të vendit të dytë më të madh në botë.
Është hera e parë që një papë viziton Nunavutin, qytet i vogël në veri të Kanadasë.
Françesku foli me fëmijët Inuit, pleqtë dhe të mbijetuarit e shkollave rezidenciale.
Rreth 150.000 fëmijë indigjenë ishin pjesë e shkollave rezidenciale duke filluar nga vitet 1820 deri në gjysmën e dytë të viteve 1900. Një numër i konsiderueshëm u morën nga familjet e tyre me dekret të qeverisë kanadeze.
Ata u detyruan të mësonin në një nga 139 shkollat që përfundimisht u krijuan dhe administroheshin nga kisha të ndryshme, rreth 60 për qind nga Kisha Katolike.
Qëllimi ishte të pastronin kulturën indigjene nga “egërsitë”, siç deklaronte Sir John A. Macdonald, kryeministri i parë i vendit, në mesin e viteve 1800.
Por në shumë raste, shumë jetë u zhdukën – rreth 4.300 deri në 6.000 vdiqën nga sëmundjet, si dhe nga abuzimi mendor, seksual dhe psikologjik.
Disa familje nuk dëgjuan më për fëmijët e tyre dhe u lanë të vajtonin djemtë dhe vajzat e tyre pa e ditur fatin e tyre. Mijëra rezultuan të ishin varrosur në ish-shkollat në varre të pashënuara, vendndodhjet e të cilave tani po kërkohen në të gjithë Kanadanë.