
Kontingjenti me ndihma mjekësore të dërguara nga Turqia për vendet e Ballkanit në mbështetje të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kanë arritur në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.
Avioni ushtarak me ndihma, i dërguar me porosi të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për pesë vende të Ballkanit, në Shkup u prit në Aeroportin Ndërkombëtar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, si dhe zyrtarë dhe të ftuar të tjerë.
Pajisjet mjekësore të dhuruara, të cilat përfshijnë maska, kostume mbrojtëse dhe sete për diagnostikim të shpejtë, iu dorëzuan autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij me këtë rast, kryediplomati maqedonas Dimitrov u shpreh mirënjohës për ndihmën nga shteti mik i Turqisë.
“Në ndihmat e dërguara nga presidenti i Turqisë (Recep Tayyip) Erdogan, ku përfshihen 50 mijë maska, një mijë kostume mbrojtëse dhe një mijë teste për COVID-19, qëndron një mesazh shumë i bukur, i cili thotë: ‘Pas dëshpërimit, ka shumë shpresë, pas errrësirës ka shumë diell'”, tha Dimitrov.
“Në letrën e tij drejtuar presidentit tonë Pendarovski, dhe unë falënderoj edhe në emër të tij për këtë ndihmë, presidenti Erdogan na përgëzon për sukseset tona të fundit, anëtarësimin në NATO, vendimin për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe thotë: ‘Shpresoj që edhe ju së shpejti të jetoni në qetësi dhe shëndet, miq dhe tani aleatë tanë'”, shtoi Dimitrov.
Ndërkaq, mabasadori Sekizkök tha se çdokush po përjeton ditë të hidhura në këtë periudhë në të cilën pandemia e koronavirusit është shndërruar në një kërcënim global, duke vënë theksin mbi nevojën për bashkëpunim në nivel global kundër këtij kërcënimi.
Ai tha se në këto ditë, rëndësi të madhe ka solidarizimi mes liderëve dhe ai ndërkombëtar.
“Duke u bazuar në këtë botëkuptim, Republika e Turqisë u dërgon pajisje shëndetësore vendeve në rajone të ndryshme të botës në mbështetje për luftën kundër pandemisë. Ballkani, ku popujt tanë kanë ekzistuar së bashku për shekuj me radhë, dhe Maqedonia e Veriut, që bën pjesë në zemrën e saj, gjithnjë kanë zënë vend në zemrën e Turqisë dhe popullit turk si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të këqija”, tha Sekizkök.
Ai u shpreh se i japin rëndësi vëllazërisë dhe miqësisë, duke uruar që ndihmat e dërguara me dashuri, miqësi dhe përshëndetjet e presidentit dhe popullit turk të ndihmojnë në “mbylljen e plagëve të popullit të Maqedonisë së Veriut”.
Ministri Vitia: Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira
Pas Maqedonisë së Veriut, pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë u bë po ashtu pranim-dorëzimi i kontingjentit me ndihma mjekësore të ardhura nga Turqia si donacion për popullin kosovar për menaxhimin e situatës epidemiologjike me koronavirusin e ri.
Me rastin e arritjes së këtij donacioni, në ceremoninë e pranim-dorëzimit kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, dhe përfaqësuesi i TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke falënderuar Turqinë, tha se “kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme për popullin e Kosovës që të përballemi më lehtë dhe më mirë me këtë situatë”.
“Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira dhe në kohën kur të gjithë miqtë tanë, njësoj si në Kosovë, po përballen me këtë problem, është akoma jo vetëm solidaritet, por është dhe një humanizëm, diçka hyjnore që po ndodh, që të gjithë miqtë tanë në kohën kur po përballemi me këto probleme, po gjejnë mundësi dhe kohë të na ndihmojnë edhe neve, popullin e Kosovës”, tha Vitia.
Ministri Vitia theksoi se këtyre ndihmave do t’u gëzohen më së shumti stafi mjekësor, të cilët “do ta kenë më të lehtë të përballen me situatën, qoftë duke mbrojtur veten që të jenë në krye të detyrës, duke i mbrojtur qytetarët të cilët kanë nevojë tani”.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, tha se ndihmat kanë ardhur me vendim të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Sot ne në mesin e këtyre ndihmave që janë sjellë nga Turqia përfshijnë dorëza, maska dhe disa teste të cilat e mundësojnë diagnostikimin e kësaj sëmundjeje”, tha ambasadori Sakar, duke uruar që këto ndihma të bëhen “ilaçe dhe shëndet për popullin kosovar”.
Gjatë konferencës, Ardian Arifaj, këshilltari i presidentit të Kosovës, tha se është realizuar premtimi i presidentit turk i dhënë më herët. Arifaj gjithashtu bëri të ditur se ka pranuar edhe një letër “dërguar nga presidenti Erdogan për presidentin Thaçi”.
Sot gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me ndihmat e Turqisë për luftimin e koronavirusit në Kosovë, ku u shpreh “Thellësisht mirënjohës për presidentin Erdoğan dhe Turqinë për mbështetjen e Kosovës në këtë kohë të pashembullt”.
Presidenti Thaçi kishte zhvilluar bisedë telefonike me homologun turk edhe më 23 mars, ku kishte kërkuar ndihmë nga Turqia për përballjen e institucioneve dhe qytetarëve me koronavirusin, ku kishte marrë zotimin e presidentit Erdoğan se “gjithçka që Turqia ka në dispozicion, do të jenë në shërbim edhe të popullit të Kosovës”.
Ndryshe, avioni ushtarak i tipit A400M me ndihma u ngrit mëngjesin e sotëm nga Aeroporti Ushtarak Etimesgut në Ankara për të dërguar pajisje mjekësore në pesë vende të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Javën e kaluar, Turqia dërgoi ndihma mjekësore në Itali dhe Spanjë, dy ndër vendet më të prekura nga virusi.