Fillimi LajmeMPJ e Kosovës: BeH nuk duhet të ngatërrojë sportin me politikë

MPJ e Kosovës: BeH nuk duhet të ngatërrojë sportin me politikë

nga Shekulli Agency

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Republikës së Kosovës ka shprehur keqardhje të thellë për vonesat, sipas saj, të paarsyeshme, të stërgjatura dhe vështirësitë sistematike të procedurave të pajisjes me viza për anëtarët e Përfaqësueses U16 të Kosovës, e cila duhet të marrë pjesë në Kampionatin Evropian FIBA –U16, Divizioni B, në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës nga data 9 deri më 18 gusht të vitit 2018, transmeton AA.

MPJ-ja e Kosovës në një njoftim rikujton se Kosova është bërë anëtare e plotë dhe me të drejta të barabarta e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit më shumë se tre vjet. Sipas këtij institucioni, tentimi për të vënë pengesa politike me qëllimin e dukshëm për të rrezikuar pjesëmarrjen e përfaqësueses së Republikës së Kosovës në këtë ngjarje sportive deri në momentet e fundit jo vetëm që shkel parimin bazë evropian të lirisë së lëvizjes, por edhe rregullat e vet Organizatës, “gjë për të cilën ne do të kërkojmë përgjegjësi”.

MPJ-ja e Kosovës konsideron se ushtrimi i presionit psikologjik disa ditor ndaj përfaqësueses së Kosovës në lidhje me këto pengesa, përderisa ata sot është dashur, që të zhvillojnë stërvitjen e tyre në Sarajevë para përballjes në ndeshjen e parë kundër Bosnjë e Hercegovinës nesër, është dashakeqëse dhe jo-sportive.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i rikujton Bosnje e Hercegovinës se përkundër qëndrimeve politike përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në sport kanë marrë pjesë, janë respektuar dhe nderuar me simbolet dhe flamurin e tyre shtetërorë edhe nga autoritetet shtetërore dhe përfaqësuesit e Federatës Ruse.

Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje Bashkimin Evropian dhe shteteve aleate dhe partnere, që të reagojnë urgjentisht në lidhje më këtë çështje.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies